Arber Zaimi

Fronti i zogjve të zinj

In Vjersha on 29 Mars, 2016 at 14:09
Korba - Print japonez, shek XVII

Korba – Print japonez, shek XVII

Katër lloje zogjsh të zinj

Rrinë në qiellin e Prishtinës

 

Më të mëdhenjtë, korbat

Fluturojnë lart, e me krahët e shtrirë

Fëmijës së qytetit që kurrë s’ka parë shqiponja jashtë televizorit

Mund t’i duket si korb dhe shqiponja më e mirë

 

Krokama ndjellakeqe e korbave ndihet rrallë

Ata vetë janë të tillë, të rrallë

Dhe prej lartësive ku rrëshqasin vetmitarë e krenarë

Për madhësinë e vet

Vëzhgojnë qytetin plot me kujdes e frikë

Se s’është bash lehtë të jesh i madh edhe i lig

 

Qëndron kryeshtrigani mbi ndërtesat më të larta

Prej nga ia kontrollon gjithë qytetit mendimin

Prej nga ia dikton gjithë qytetit kujtimin

Me pendët e qafës kreshpëruar që i nxijnë si katran

I duket vetja luan

 

Pas korbave, nga madhësia, vijnë stërqokat e përhime

Të famshme botërisht si ngrënëse stërvinash

Presin ndanë rrugës rastësinë e ndonjë viktime

 

Manteli i tyre e përzien zinë me argjend

Por prapë se prapë është veç shenjë e keqe t’i kesh pranë

Dhe fat i keq të ta ndërtojnë folenë në kulm

 

Shpezët e tjerë iu tuten stërqokave kërmëngrënëse

Pendët e tyre të hirta si shkatërrim pas zjarri

S’janë ngjyrë feniksi, po më shumë uniformë rojtari

Truprojat kërmëngrënëse të vetë korbit mbret.

 

Pas stërqokës për nga madhësia vjen sorra sqepzhveshur.

Në ngjyrë imiton korbin, dëshiron të jetë madhështore

Po gojën e ka të madhe aq sa bën për të qeshur

Të tjera auditore

 

Sorra sqepzhveshur është një farë opinionisti

Që mendon  për çdo gjë, dhe që ka shumë mendime

Dhe ka aq shumë mendime sa nuk ka kohë ta mendojë mendimin

E nuk ka gjë në botë që t’ia ndalë krakërimin

Se është e drejtë e saj e shenjtë

Fjala e sorrës

Një farë mendimi konformist i dalë dorës

 

Sorra sqepzhveshur njihet ndër të tjera

Për këmbët e saj të shkurtra e për fluturimin plot dredhi

Që paralajmëron veç shi edhe stuhi

 

Sorra sqepzhveshur, që ushqehet me insekte

E mbeturina

Të cilat thotë se janë “teorina”

E i mbulon të gjitha, pemë, rrugë e sheshe

Dhe në Kuvend e Qeveri e ke, po e deshe

Sorra sqepzhveshur, ky shpend gërnjar

E ka veç një shpend tjetër që është më lakmitar

 

Ajo është çafka, më e vogla prej zogjve të zinj

Botërisht e njohur si dashnore e monedhës

Një zog që vjedh, se dëshiron gjithçka që shndrin

Një zog që di vetëm të ndyjë ndërkohë që shkon pas rrjedhës

 

Një zog që ndërton turma të zeza të mëdha

Bashkë me sorrën sqepzhveshur, ndonjëherë dhe me stërqokën

E që beson se korbin e ka vëlla

 

Që e adhuron, që e sheh si mbret të tokës

 

Të gjithë këta zogj që gjenden në Prishtinë

Me mosmarrëveshjet e tyre të dakorduara

Ia errësojnë këtij qyteti grinë

E i shohin me dyshim gjithë shpezët e tjerë

Madje dhe laraska ua prish të zinë

 

E zogjtë e tjerë të gjithë bindin vetveten

Se as ata të bardhë nuk mund të jenë

Se janë të himtë, se nuk ka ndonjë vlerë

Të qenit i bardhë, madje kjo e fundit

Mund të bëjë të trajtohesh si ndonjë pulëbardhë

E ardhur e padëshiruar që duhet dëbuar

Imigrante, prej asgjëkundit.

 

Në pushtetin mbi Prishtinë

Fronti i zogjve të zinj.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: