Arber Zaimi

Retë prej nesh

In Vjersha on 5 Prill, 2016 at 17:21
Fluturimi ëndërror i Sonia Araquistain - Ithell Colquhoun, 1945

Fluturimi ëndërror i Sonia Araquistain – Ithell Colquhoun, 1945

Një pulëbardhë rrëmon mbi një anije të braktisur, atje poshtë në bregun ku po grumbullohet drita e re, ajo që e pamundëson kujtesën

E netëve kaluar bashkë si trupa paturpësisht të bardhë e pa dëshmi që i thanë njëri-tjetrit se djalli nuk kish për të ardhur

E nuk kish për të na i marrë gjithçka, e nuk kish për të na zhytur të dyve në thellësi dhe nuk do të na kishte poshtëruar i thashë

E i ngrita sytë lart dhe i pashë dy re që po lindnin mbi kurorën e plotë të rrapit

Retë kanë rrjedhur prej nesh, si një gërshetë lëngjesh e avujsh që u mbështollën e u naltuan

Prej nesh, dhe ende kanë diçka tonën, një farë brishtësie që gjithnjë vjen duke tëholluar, duke u ndarë, duke u tkurrur

Dhe duke e mbledhur veten sërish në qiell, ku vetë hyjnia ajrore fryn e shndërron në shi, që i lag

E i zhvleftëson gjithë shpenzimet që i kemi bërë, gjithë shënimet, gjithë komunikimet, që shuhen e treten e sëmuren, pra poshtë retë shkatërruese

Që na sulmojnë e na zbulojnë dhe lindin e rriten mbi ne dhe brenda nesh dy a tre herë në vit

Dhe ne e dimë, sepse nuk na zë gjumi, sepse mendojmë se gjithë kujtimet tona janë të sigurta

Dhe reshtim së menduari, pa shpresë për zgjedhjet që i kemi bërë, edhe pse shpresa është e gjitha tek ne por ne s’mundim ta shohim

Atje, tek vetë përmbajtja e trupit të braktisur që s’e ndjek asnjë gjuetar, një jetë paturpësish, atje pa asnjë kërcënim, pa asnjë dhunë

U pranua mençurisht propozimi për t’u bërë një jetë djallëzish, një jetë që nuk e ha karremin

Kurrën e kurrës, edhe nëse vdes urie, e meqë nuk e ha, nuk ka përse të ndihet e pashpresë, por prapë nuk mund ta shohim

 

Të flas në vesh, edhe pse të dy e dimë se na dëgjojnë, prapë se prapë i mbajmë kokat drejt

Dhe shpejt, shumë shpejt, i drejtojmë fytyrat në drejtime të ndryshme

E kësisoj aksidentet jetësore do të mund të bëhen të padukshme të lëna mënjanë

E të mbuluara prej gurit të verbërisë, duke na bërë të harrojmë se si lindën retë

E ne ikim, e ikim, e i braktisim retë – që lotët e lëngjet tanë i shpërndajnë kudo

Përtej nesh, nëpër fusha, teksa rrjedhin e zhyten nëndhe, e mbërrijnë në rrënjët e lagështa

Prej nga i merr e i nxjerr mbi dhe një psikopomp i reve, hyjni i erërave të një qielli të dendur

Qielli i këtushëm, pranë fëmijëve që lindin nën rrapin hijerëndë, nën rrezet e diellit

Ndërsa uji avullon dhe retë bëhen të dukshme, si kërpudha, që fryhen çast pas çasti

Qiell në të cilin reja shuan veten përmes nesh, ndërsa neve na lag

E ne i rrimë erës sërish e sërish, si qenie të çuditshme për jetët aksidentale të atyre që nuk janë kurrë të verbër.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: