Arber Zaimi

dërrasën e kalbur

In Vjersha on 1 Maj, 2016 at 21:20
Curt Echtermeyer - Legende, 1927

Curt Echtermeyer – Legende, 1927

vera në tiranë – lagështi e nxehtë

pamundësi për vetmi. për thellim në lexime. një molisje prej pelegrini që humbet në vështrime.

ecje vonë në mbrëmje, duke zgjedhur rrugët me sa më pak zagushi

për të gjetur një klub mundësisht pa njeri

e për t’u takuar me ndonjë zanë të zbehtë të natës.

muzikë e zbehtë, vallëzim i zbehtë, zana të trishta të natës, apartamente të djersitura prej vapës, melodi të vjetra të charles mingus.

bluza pambuku, të holla, të tejdukshme, të lagura prej lëkurës së drithëruar duke parë vajzat që kthehen e i japin fund sa për sot ekspozimit të vetes, s’ka fllad, një neon i rrugës fërgëllon, as i shuar as i ndezur, mes telash kushedi sa vjeçarë.

vapë e thellë.

spitale të zbehta të tiranës.

shëtitje të paguximshme nëpër rrugë të sheshta, rrethuar me qelqet pasqyrë të ndërtesave komerciale, të lidhura me kabllo të nëndheshme e tela të mbidheshëm, me struktura metalike, me zbukurime plastike, të veshura me lëkurë kafshe, të fërkuara me lëkurë njeriu, të çjerra, pa dalje emergjence, me trupa e fytyra të rregulluara prej kirurgësh të paaftë, të shartuar si pemë, netë spitalore në tiranë, pa vetmi, duke i mbajtur sytë e hundët mbyllur prej mureve të lagështa e dyshemeve e dritareve të ndotura që shohin përtej kulmet e ndërtesave të larta e të zbehta që ngulen në qiellin e nxehtë të askundit mesdhetar, me male të larta të pandotura që janë shumë larg e që ende nuk kanë ngrirë.

të gjithë aty e dinë se ç’ndodh me këdo.

edhe më vapë.

takim me studente të zbehta. që duan të studiojnë. djersë. asfalt i shkrirë. në kohë për në shkollë përditë. pa qenë kurrë i aftë të prodhosh vonesa të pajustifikueshme ndaj profesorit, ndaj shefit.

takime të zbehta me vajza optimiste nga periferitë që veshin funde të shkurtra të zbehta mbi këmbët e mbathura me këpucë të kuqe.

shëtitje me to në parkun e zbehtë rreth liqenit artificial të çuar peshë nga vapa e që më pas bie si djersë mbi zvarranikët që banojnë në ato moçale.

takime të zbehta në periferi me vajza të reja me emra anglezë, baballarët e të cilave me emra arabë e grekë janë pronarë të mëdhenj.

dhe takimi rastësor me një shok të vjetër që tashmë ka hapur një biznes të mesëm, ku thërret si praktikante vajzat e reja, studentet e zbehta, madje dhe gjimnazistet, që mëngjes për mëngjes shkojnë e renditen si sardele në sallat e mëdha ku kondicioneri i jep një aromë tjetër djersës së gjithkundshme, pa mundur të thonë asgjë, pa bërë asnjë hap në ndonjë shteg të parrahur, dhe pa shkelur kurrë dërrasën e kalbur.

  1. sipas meje, kjo eshte nga me te mirat (dhe pse pak kam hyre ketu brenda)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: