Arber Zaimi

Lumen

In Vjersha on 4 Qershor, 2016 at 03:18
2 fëmijëve u kanoset një bilbil - Max Ernst, 1924

2 fëmijëve u kanoset një bilbil – Max Ernst, 1924

Do të vijë një kohë që dheu nuk

do ta mbajë më natën e lume. Trilionë llampash nëpër rrugë

nëpër reklama nëpër bare nëpër hotele nëpër

kazerma nëpër bordele nëpër kazino nëpër kapele

minatorësh nëpër brej nëpër antena në telefonë

nëpër orë dore nëpër kruaziera në aeroporte në nënkalime

në metro në burgje që do t’i lënë në terr të së shkuarës qirinjtë

edhe yjet. E si mund të jetë t’i kalosh netët e gjata të dimrit

në regëtimën e gjallë e të ftohtë të një gazi fisnik… Si mund të jetë

përqafimi, shtrirja, rënkimi në atë pamundësi verbërie

ku secila gjymtyrë e tipar mbindriçohet e përplaset me syrin

që doemos mbyllet që buzëqeshja të bëhet e mundur. Sa ngadalë

duhet të ecë koha e mpirë nën ritmin e pandërprerë

të poezisë futuriste rezonanca elektrike e së cilës 

duhet të ketë qenë pararendëse e atyre netëve të gjata

pa errësirë. Pasioni do zhduket siç dolën prej përdorimi qirinjtë, do shfaqet

vetëm si tallje, si qirinjtë që rindizen pa nevojë nën dritën e llampave për pak

romancë të sforcuar. Nuk do të jenë në gjendje të shohin njëri tjetrin

të zhveshur. As nuk do të jenë në gjendje të shohin

pjatat me ushqim. Nuk do të jenë në gjendje

të gatuajnë vetë. Nuk do të jenë

në gjendje të dashurojnë.

As seks nuk do të

dinë të bëjnë.

Do t’i harrojnë ngadalë emërtimet. Fillimisht do të harrojnë emrat

e pjesëve të tyre, nuk do të jenë në gjendje të dallojnë krahun

nga këmba e gojën prej bythës. Pastaj do të harrojnë shtratin

derën ditën dhe muzgun. Pastaj do të harrojnë kthimin, nderin

dhe tjetrin. Ç’është ledhatimi. Ç’është shkrimi, si dallon barku prej

mendjes? Ç’është mendimi do të jetë ndër të fundit pyetje që

do të reshtin së u bëri përgjithnjë dhe do të tretet në dritë.

Njerëzimi do ta vjellë mollën e njohjes.

Dhe do të tretet në dritë.

Si dement.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: