Arber Zaimi

E diela e kufomave

In Përkthime, Vjersha on 2 Nëntor, 2016 at 14:42

Renato Guttuso - Turma, 1960

Renato Guttuso – Turma, 1960

Fabrizio de Andre

Tentoj t’ia mbath me tramvaj
rreth orës gjashtë kur agon
prej shishes së alkoholit
ku Milanoja lundron.

Nuk qe e vështirë ta ndiqnin
poetin e azilit të pleqve
shpirti i tij i ndezur
ndriçonte si fener teneqeje.

Ia dogjën shtratin
në rrugën e Trentit
mbërriti t’ia mbathte prej mjekrës së djegur
një gushëkuq i regjimentit.

Polakët s’vdiqën menjëherë
por të përgjunjur në semaforët e fundit
u ribënin grimin e kurvave të regjimit
që u nisën drejt detit.

Trafikantët e sapunëve
e rritën barkun drejt lindjes
atij që ndryshoi rrugë në nëntëdhjetën
ia shitën sapunin në nëntëdhjetenjëshin.

Majmuni i Rajhut të Katërt
kërcente polka përmbi mur
e ndërkohë që ngjitej
na tregoi të gjithëve bythën e zhveshur.

Piramida e Keopsit
atë ditë feste dëshiroi të rindërtohej
gur pas guri
skllav pas skllavi
komunist pas komunisti.

Të dielën e kufomave
nuk u dëgjuan të shtëna.
një gaz qesharak
mbuloi rrugët.

E diela e kufomave
i mori me vete gjithë mendimet
dhe mbretëreshat e tua culpa-s
u dyndën tek parukierët

Në atdheun-burg plot diell
në sekondthin e dytë
i thanë mustaqelyrës që ishte i pari
zbatoje detyrën nesër, kur mëngjesi të lindë
dhe u dërguan korrierë
kalorësit, kuajt, zagarët dhe gomari
që lajmëruan se ia prenë këmbën
Renato Kurçios
karbonarit.

Ministri i stuhive
me një fanfarë trombash të pashoqe
uronte demokraci
me një peshqir në duar e me duart përmbi koqe.

– Dua të jetoj në një qytet
ku në orën e aperitivit
të mos ketë derdhje të gjakut
e as të detersivit…

Në mbrëmje vonë unë me kushëririn tim De Andrade
ishim të fundmit qytetarë të lirë
në këtë të famshmin qytet “civil”
se ne e kishim një pushkë fshehur në tavan.

Të dielën e kufomave
askush s’është prerë.
Të gjithë në funeralin
e idealit të ndjerë.
Të dielën e kufomave
u dëgjua një brohorimë
“sa e bukur është rinia”
më s’e donin pleqërinë.

Udhëtarët e fundit
u tërhoqën nëpër katakomba
ndezën televizorin e na panë tek këndonim me mall
për rreth gjysmë ore
pastaj na çuan në djall.

Ju që keni kënduar mbi piedestalë apo me gjunjë në tokë
me pianofortat tuaja, të veshur si pinokë
ju që keni kënduar për longobardët e për centralistët
për Amazonën e për pasurinë
në pallatet e modës
dhe tek murgjit maristë
ju keni zëra të fuqishëm
gjuhë të stërvitura për të rrahur tamburë
ju kishit zëra të fortë
të përshtatshëm për në pidh të s’ëmës.

Të dielën e kufomave
ekspertët e nostalgjisë
shoqëruan mes flautëve
kufomën e utopisë.
E diela e kufomave
ish një e dielë shumë e zakontë
një ditë më vonë u shfaqën shenjat
e një paqeje që rëndonte.

Ndërsa zemra e Italisë
nga Palermo gjer n’Aostë
fryhej në një kor
që gërvinte n’protestë…

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: