Arber Zaimi

Archive for Shkurt, 2017|Monthly archive page

Në kohën e Sokratit

In Përkthime, Vjersha on 22 Shkurt, 2017 at 12:36
Remedios Varo - Shteg spiral, 1962

Remedios Varo – Shteg spiral, 1962

Friedrich Holderlin

Dikur kohën e gjykonin Hyjnitë

Mbretërit.
Të urtët.
E kush gjykon tani?

Mos vallë i gjithë populli?
Klerikët dhe të urtët?
Jo! Kush gjykon tash?
Një racë nepërkash!
Rrenacake e frikacake
Fjalën fisnike nuk kalon më
Nëpër buzë të askujt

O në emër
I thërras
Shpirtrat e moçëm!

Ose dërgoni këtu
Një hero

Ose
Dijen

 

Advertisements

Po i sqaroj ca gjëra

In Përkthime, Vjersha on 19 Shkurt, 2017 at 18:03
Max Ernst - Oedipus Rex, 1922

Max Ernst – Oedipus Rex, 1922

Pablo Neruda

Keni për të pyetur: po ku janë zymbylat?
Ku është metafizika petal-lulëkuqtë?
Ku shiu që pandalshëm i stërpikte
Fjalët dhe i mbushte ato plot
Të çara e plot harabelë?

Kam për t’ju treguar gjithë ç’ka bërë vaki!

Unë jetoja në një lagje
Një lagje të Madridit, me këmbana
Me sahate, me pemë.

Prej aty mund ta shihje
Fytyrën e thatë të Kastijës
Një oqean i lëkurtë.
Shtëpia ime quhej
Shtëpia e luleve, sepse prej çdo skute
Mbinin barbarozë: ishte
Një shtëpi e bukur
E atypari luanin do qen edhe fëmijë.
Raul, të
Mbahet mend?
Të mbahet mend Rafael?
Federiko, a të kujtohet?
Si dukeshin prej sokakut
Ballkonet e mi prej nga
Drita e qershorit rrëzonte një shi lulesh mbi gojët tuaja?
Vëlla,
Vëlla!
Gjithçka
Ishin zërat e lartë, kripa e pazarit
Grumbujt e bukës taze të nxehtë
Dyqanet e lagjes sime Arguelles me
Një statujë
Si një njollë boje mes një vorbulle peshqish:
Si vaji që mbush lugët,
Një rrapëtimë e zhurmshme
Këmbësh e duarsh i mbushte rrugët,
Metra, litra, matje
E mprehtë e jetës,
Si peshqit në konservë,
Kulmet e shtëpive me diellin e ftohtë në të cilin
Dështon çdo parashikim i motit,
Mermer elegant patatesh të çmendura,
Dhe domate, domate prej këtu e deri në det.

Dhe një mëngjes gjithçka nisi të kallej flakë
Dhe një mëngjes zjarret
Dolën prej nëntokës
Për të ngrënë njerëz,
E prej asaj kohe zjarr,
Barut, ç’prej asaj kohe,
Prej asaj kohe gjak.
Banditë me aeroplanë, këmishëzinj,
Banditë me unaza të shtrenjta e me gra dukesha,
Banditë me priftërinj të zinj që shpërndajnë bekime
Erdhën prej qiellit për të vrarë fëmijë,
Dhe nëpër rrugë gjaku i fëmijëve
Rridhte i thjeshtë, si gjak fëminor.

Çakej që do i përbuzte çdo çakall
Gurë që edhe therra e thatë po t’i kafshonte do t’i pështynte
Gjarpinj që edhe gjarpri do t’i urrente!

Përballë jush kam parë gjakun
E Spanjës të ngrihej
Për t’ju përmbytur në një dallgë të vetme
Krenarie e thikash!

Gjeneralë
Tradhtarë:
Shiheni shtëpinë time të vdekur
Shiheni Spanjën e prishur:
Por prej çdo shtëpie të vdekur lind metal i shkrirë
Në vend të luleve,
Por prej çdo gërmadhe të Spanjës
Lind Spanja,
Por prej çdo të riu të vrarë lind një pushkë me dy sy,
Por prej çdo krimi lindin plumba
Që do t’jua gjejnë një ditë dhe juve loçkën
E zemrës.

Dhe ju do të pyesni se pse poezia e këtij
Nuk na flet për ëndrrat, dhe për gjethet,
Apo për bjeshkët e larta të vendit të tij?

Ejani dhe shihni gjakun në rrugë,
Ejani dhe shihni
Gjakun në rrugë,
Ejani dhe shihni gjakun
Në rrugë!

Ndërrimi i Shekujve

In Përkthime, Vjersha on 17 Shkurt, 2017 at 18:16
Marie Cerminova - Fshih vetveten, 1944

Marie Cerminova – Fshih vetveten, 1944

Wislawa Szymborska (Visllava Shimborska)

Menduam se do qe më i mirë se të tjerët
Shekulli ynë XX
Por tash ai s’ka më kohë të dëshmohet i tillë
Vitet i ka të numëruar
Hapat të pasigurtë
Fryma i mbahet.

Tashmë shumëçka ka ndodhur
Që s’duhet të kishte ndodhur
E ato çka i prisnim
Nuk erdhën.

Pranvera duhej të ishte duke ardhur
Bashkë me lunturinë, mes gjërash të tjera.

Frika duhej t’i linte malet e fushat.
E vërteta duhej të mbërrinte para së vërtetës.

Ca gabime
Nuk do të duhej të ndodhnin më
Përshembull luftërat, uria e kështu me radhë.

Këto do të duhej të ishin respektuar:
Pambrojtësia e të pambrojturve,
Besimi e gjëra të tilla.

Cilido që donte të shijonte botën
Përballet me një qëllim të pamundur.

Idiotësia nuk është qesharake.
Dija nuk është zbavitëse.

Shpresa
Nuk është më ajo vajza e vogël
E të tjera. Medet.

Zoti më në fund qe gati të besonte tek njeriu:
I mirë e i fortë,
Por i miri e i forti
Janë ende dy njerëz të ndryshëm.

Si të jetoj – dikush ma bëri këtë pyetje në një letër,
Dikush të cilin kisha dashur
Ta pyesja për të njëjtën gjë.

Sërish e si gjithmonë
Siç u tha dhe më lart
S’ka pyetje më urgjente
Se pyetjet naive.

 

Arbër Zaimi

Aedi ëndërron një tunikë prej qielli

In Përkthime, Vjersha on 15 Shkurt, 2017 at 16:32
Kristians Tony - Portret parathënës

Kristians Tony – Portret parathënës

William Butler Yeats

Ta kisha prej qielli të qëndisur tunikën
Thurur me ar e argjend e dritë,
Të kaltër, të zbehtë, të errtë tunikën
Si natë, si ditë, si gjysmëdritë,
Do e shtroja atë tunikë nën këmbët e tua
Por unë i varfri nuk kam veçse ëndrra;
Dhe ëndrrat i shtrova nën këmbët e tua;
Shkel butë se po më shkel mbi ëndrra.

 

Si Qeremi

In Përkthime, Vjersha on 13 Shkurt, 2017 at 16:36
Dorothea Tanning - Stuhi në të verdhë, 1956

Dorothea Tanning – Stuhi në të verdhë, 1956

Nazim Hikmet

Ajri i rëndë si plumb

Bërtit
Bërtit
Bërtit
Unë po bërtas!

Vrapo!
Unë po të thërras
Të shkrijmë plumb.

Ai më thotë:

– Hej! Ti ke për t’u bërë shkrumb e hi prej zërit tënd!
Që djeg
Që djeg
Si i Qeremit
Që djeg

“Kaq shumë brenga
E askush për ta ndarë vuajtjen”

Veshët e
Zemrave janë
Shurdhuar…

Ajri i rëndë si plumb…

I them atij:

– Lërmë të digjem shkrumb e hi
Bash
Siç
Digjet
Qeremi.

Nëse unë s’digjem
Nëse s’digjesh ti
Nëse ne nuk digjemi

Po si do të arrijë drita
Ta mposhtë errësirën?

Ajri shtatzanë si toka.

Ajri i rëndë si plumbi.

Bërtit
Bërtit
Bërtit
Unë po bërtas.

VRAPO
Unë po të thërras
Të shkrijmë plumb…

 

1930

Athinë 1970

In Përkthime, Vjersha on 13 Shkurt, 2017 at 12:08
Yves Tangui - Të padukshmit, 1955

Yves Tangui – Të padukshmit, 1955

Yannis Ritsos (Jani Rico)

Nëpër këto rrugë
Njerëzit ikin; njerëzit
Nguten, duan me nxitim
Të largohen tej; të ikin tutje (nga çka?),
Të arrijnë (ku?) – nuk e di – jo fytyra –
Fshesa elektrike, çizme, kuti –
E kanë me ngut.

Në këto rrugë në kohëra të tjera
Njerëzit ecnin me flamuj të mëdhenj
E kishin një zë (më mbahet mend, e kam dëgjuar),
Një zë kumbues.

Tash,
Ata ikin, vrapojnë, nxitojnë,
Të palëvizshëm në nxitimin e tyre –
Vjen treni, ata hipin, shtyjnë njëri-tjetrin;
Dritë e kuqe, e gjelbër;
Portieri pas xhamit të sportelit;
Kurva, ushtari, kasapi;
Muri është i hirtë, më i lartë se koha.

E as statujat s’po munden të shohin.

Mirë do të ishte

In Përkthime, Vjersha on 11 Shkurt, 2017 at 20:35
Jindrich Styrsky - Pa titull, 1927

Jindrich Styrsky – Pa titull, 1927

Mourid Barghouti

Mirë do të ishte të vdisnim në shtretërit tanë
Me jastëkë të pastër
Rrethuar prej miqve tanë.

Mirë do të ishte të vdisnim pasi
T’i kishim kryqëzuar duart mbi gjoks
Të zbrazëta e të zbehta
Pa vragë, pa pranga, pa flamuj
Dhe pa peticione.

Mirë do të ishte të kishim një vdekje të dlirë e të përkryer
Pa shqyerje në këmishë
Pa shenja në brinjë.

Mirë do të ishte të vdisnim
Me një jastëk të bardhë e jo me dyshemenë nën fytyrë,
Me duart që pushojnë në duart e më të dashurve
Rrethuar prej infermieresh e mjekësh të trishtuar
Pa asgjë për t’u shqetësuar përveç hijeshisë së lamtumirës
Pa e vrarë mendjen për historinë
Duke e lënë këtë botë ashtu siç është
Duke shpresuar se ndonjë herë tjetër, dikush tjetër
Do ta sjellë ndryshimin.

 

Në qoftë ky njeri

In Përkthime, Vjersha on 9 Shkurt, 2017 at 15:40
Kurt Seligmann - Amfitrita, 1946

Kurt Seligmann – Amfitrita, 1946

Primo Levi

Ju që jetoni të sigurtë
Në shtëpitë tuaja të ngrohta
Ju që kur ktheheni në mbrëmje gjeni
Gjellë të nxehtë e fytyra të dashura
Mendohuni pak, a është vallë burrë ky
Që punon në baltë,
Që kurrë s’njeh prehje,
Që lufton për gjysmë cope bukë,
Që vdes për një po a për një jo.
Konsideroni a është vallë grua kjo
Pa flokë e pa emër,
Pa forcë për të mbajtur mend,
Të zbrazët sytë, të ftohtë mitrën
Si një zhabë gjatë dimrit.
Mendohuni mirë pra, sepse këto kanë ndodhur:
Jua urdhëroj këto fjalë
T’i skalitni në zemrat tuaja
Kur jeni në shtëpi apo kur ecni nëpër rrugë
Duke u shtrirë apo duke u çuar;
Përsëritjani bijve tuaj.
E nëse s’e bëni, ju rrënoftë shtëpia,
Ju lëntë në vend sëmundja,
Pjella e juaj jua marrtë fytyrën.

Rita dhe pushka

In Përkthime, Vjersha on 8 Shkurt, 2017 at 15:03
Kay Sage - Nesër është kurrë, 1955

Kay Sage – Nesër është kurrë, 1955

Mahmoud Darwish

Mes Ritës e syve të mi
Qëndron një pushkë
Dhe cilido që e njeh Ritën
Bie në gjunjë e i falet
Hyjnisë që rri në ato sy ngjyrëmjaltë
Dhe e putha Ritën
Kur qe e re
Dhe e mbaj mend si m’u qas pranë
E si krahu im ia mbuloi më të bukurin gërshet
Dhe më kujtohet Rita
Siç i kujtohet trumcakut kroi
Ah, Rita
Mes nesh ka një milion trumcakë dhe imazhe
Dhe shumë rendez-vous
Të qëlluara me pushkë

Emri i Ritës qe gosti në gojën time
Trupi i Ritës qe dasmë në gjakun tim
E unë u përhumba te Rita për dy vjet
Dhe për dy vjet ajo fjeti mbi krahun tim
Dhe i premtuam njëri-tjetrit
Mbi më të bukurën kupë
Dhe u dogjëm në verën e buzëve tona
Dhe u lindëm sërish

Ah, Rita!
E çfarë vallë i hiqte sytë e mi prej të tuve, para se të vinte pushka
Përveç ndonjë gjumi a ndonjë reje ngjyrë mjalti?
Një herë e në një kohë
Oh, heshtja e muzgut
Mëngjeseve hëna ime mërgonte diku larg
Drejt atyre syve ngjyrëmjaltë
Dhe qyteti i spastroi krejt këngëtarët
Dhe Ritën

Mes Ritës dhe syve të mi –
Një pushkë!