Arber Zaimi

Archive for Prill, 2017|Monthly archive page

Rimë

In Vjersha on 20 Prill, 2017 at 13:57

Pierre Alechinsky – Nata, 1952

S’ka ku e përdor i varfri mirësinë
Se rend pas botës dhe pse kurrë s’e mbrrin
Në male e djerrina mbetur shkretëtirë
Ku nepsi njerëzor zullumin e ka shtrirë
Aty atij i çelet hapësira e pafund
Një bosh i gjallë që gjithçka mund e shkund
I çelet dhe një qiell s’ndal së dhëni shi
Që ia përmbys çdo shqisë për mrekulli apo habi
Zemra i rritet më shumë se çdo verdhemë
E barku veç harron t’i thotë “ushqemë”

Advertisements

Përditë lind i përgjumuri

In Vjersha on 9 Prill, 2017 at 13:58

Unica Zurn – Vizatim, 1960

Përditë lind i përgjumuri
dezertori prej mishi e gjaku
prej ndjenjash të thjeshta
e prej valiumi,
prej uji që shuan çdo zjarr,
prej veturash të rehatshme
me energji diellore,
prej mërzitjes së vogël, prej mburrjes,
prej biletës së udhëtimit me aeroplan
në ulësen pranë dritares,
prej syzesh diellore,
prej produktesh higjienike,

prej engjëjsh të qetë,
prej ajri të palëvizshëm,
prej frikës nga teknologjia, prej
pastruesish pleq e të zeshkët që shajnë
me gishtin e mesit, prej rënkimeve epshore
të vajzave të vetmuara të nëpunësve
civilë, prej

kontratave individuale të mbledhura
në dosje si vendime
dënimesh të përjetshme
në fletë të bardha bibliotekash
të munguara përgjithnjë
aq shumë kontrata sa
pyje të prera prej Kongos e deri në Siberi,

prej paqes së përjetshme
që mbretëron në skëterrë,
prej rrëmujës kabalistike
të ekspertizës, prej gjurmës
së humbur të dijes
nga rrëfimet e nga librat,
prej vrasësish që gjithnjë
e dinë me çka

vrasin, prej prehjes që pllakosi
parajsën dhe e bëri kryeqytet
prej shumimit shurdhues të
qelizave të lëkurës, prej
zhdukjes së hijes mbi gurë,
prej hyrjes së ujit në

këpucë, prej qejfit,
prej fobive
prej supersticionit
prej të ardhmes së shndritshme, prej
vrasësve racionalë që s’kanë asnjë
njollë gjaku, prej pëllumbit
që gugon për kënaqësinë
e veshit të çdo përbindëshi

vrasës, prej mrekullisë së lirisë, prej
haresë, prej krenarisë, prej dremitjes së lehtë.