Arber Zaimi

Zjarret e Shën Gjonit

In Përkthime, Vjersha on 28 Qershor, 2017 at 13:52

Antonio Dacosta – Në ujërat e lumit, 1980-83

Fati ynë: plumb i shkrirë; fati ynë s´mund të ndryshojë –
s´ke ç´i bën.
Nën dritën e yjeve derdhën plumbin e shkrirë në ujë, tash le të flakërojnë zjarret.

 

Nëse zhvishesh para pasqyrës në mesnatë mund të shohësh,
të shohësh një burrë që lëviz në thellësitë e pasqyrës
burrin që fati e ka shkruar të sundojë trupin tënd
në vetmi e në heshtje, burrin
e vetmisë e të heshtjes
tash le të flakërojnë zjarret.

 

Në atë çast kur njëra ditë merr fund e tjetra ende s´ka nisur
në çastin kur koha pezullohet
duhet të gjesh burrin që dikur edhe tash, prej fillimit të herës, sundon trupin tënd
duhet të kërkosh për të, që të paktën dikush tjetër
ta gjejë, kur ti të kesh vdekur.

 

Janë fëmijët ata që ndezin zjarre dhe bërtasin rreth flakëve në këtë natë të nxehtë
(A ka patur farë zjarri që s´u ndez prej një fëmije, o Herostrat*?)
dhe i hedhin kripë flakëve që t´i bëjnë të kërcasin
(Sa çuditshëm shtëpitë – këto enë të njerëzores – befasisht
nisin të na vështrojnë kur shembëlltyra e flakëve zë t´i përkedhelë).

 

Por ti që njihje bukurinë e gurit mbi shkëmbin rrahur dallgësh prej detit
mbrëmjen kur prehja ra
dëgjove prej përtejlargut zërin njerëzor të vetmisë e të heshtjes
brenda trupit tënd
atë natë të Shën Gjonit
kur gjithë zjarret u shuan
dhe ti nën yje, studiove hirnat.

 

Jorgo Seferi

 

Përktheu: Arbër Zaimi

 

 

Shënim i përkthyesit: Nata e Shën Gjonit shënon mbrëmjen para ditës së lindjes (së supozuar) të Shën Gjon Pagëzorit, që është gjashtë muaj para lindjes (së supozuar) të Krishtit. Po ashtu shënon solsticin e verës, gjashtë muaj para solsticit të dimrit. Festivale të ndryshme në vende me trashëgimi kryesisht evropiane, shënohen atë ditë me zjarre të ndezura në parqe e livadhe. Secili vend ka traditat e bestytnitë e veta lidhur me festën, dhe specifikisht në kulturën greke, së cilës i referohet autori, gjenden edhe dy praktikat e përmendura në vjershë: derdhja e plumbit të shkrirë në ujë prej ndonjë vajze të pamartuar, e cila sipas formës që merr plumbi mendohej se parashikonte zanatin e burrit të ardhshëm të vajzës, dhe së dyti, në natën e Shën Gjonit vajza e pamartuar në mesnatë dilte e zhveshur para pasqyrës dhe i lutej Shën Gjonit që t´ia tregonte burrin e saj të ardhshëm, dhe besohej se emri i parë që do të dëgjonte ajo vajzë kur të zgjohej në mëngjes, do të ishte emri i burrit të saj të ardhshëm.

 

*Herostrati, në vitin 346 pes. dogji tempullin e famshëm të Artemisës në Efes (një ndër shtatë mrekullitë e botës së lashtë), me qëllimin e vetëm që ta bënte emrin e tij të paharrueshëm.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: