buzët e dëborta të reve gërvishtën aurorën
si brisqe ia grisën lëkurën e butë faqes së mëngjesit;
dhe ti, që më joshe në buzë të kësaj shkretëtire
më vështron që prej natës, bashkë me të cilën largohesh
flokët e zinj lëshuar rrjedhin mbi të fundit erë të veriut
teksa drita e parë dhe tingujt e ditës tresin tej këtë skenë natësore
ku ne si shkencëtarë pedantë këmbyem me njëri-tjetrin
zbulimet më të panatyrshme; mendjet tona
që morën format e natës, të errësirës, të hijeve
dhe dunave të valëzuara të kësaj shkretëtire pa ngjyrë
format e tokës: mendimet e zjarrta të syve, që shtrihen;
atje ku hapësira, si një bibliotekare e re
plot pasion për punën, me trupin ende të pasqullur prej peshës së dijes
na solli përballë këtij udhëkryqi: shkretëtirës së paanë
të palëvizshmërive: jashtë kohëve – verbërisht
e pathyeshme, pa çarje, pa shpërndarje
dhe të përtejkohësisë: ku asgjëja ndodh e paturpshme,
fjalëëmbël, si dashnori kur plugon tokën e shkrifët të pranverës
shumëçka i shpëton syve; por ky rrëfim imtësish të pafolshme
tregon se ende nuk kemi mbërrirë në fund
prej vdekjes e deri në lindje, siç është rruga e njeriut
zgjedhjet e të cilit nuk ia bën tjetërkush, veçse vetja
ai e di, ai e do këtë liri që ia prodhon gjithë mjerimet
ndaj dhe nuk ndalet së premtuari zemër-mjera, premtimet e mendjes e të syrit
të qeta e të përunjura, teksa shtrohen palë-palë
nën rrezet e sapodala prej millit të diellit që bien mbi to si hanxhar
pak çaste më parë vetë yjet na shihnin me shikime pickuese
por tash ata ranë në gjumin që iku nga ne
të ngecur në mosveprimin tonë, po e nisim dhe këtë udhëkryq të ri
dalje prej labirintit të natës, hyrje në sherret e ditës
ku Orët e Zanat e epshit na heqin udhë të verbërve
mes këtij oqeani ranor, ku s´mbin kurrë dashuri.