Arber Zaimi

Mbreti i Asinisë

In Përkthime, Vjersha on 6 Prill, 2018 at 22:24

William Theophilus Brown – Figura në fushë, 1966

Jorgo Seferis

Gjithë mëngjesin u endëm ndër rrënoja
Nisëm prej anës nën hije, atje ku deti
I gjelbër por pa shkëlqim – krahëror i një pavodës së therur –
Na priti si koha, që të çara s’ka.
Damarë shkëmbinjsh vdiren drejt bregut prej majave lart,
Hardhi spërdredhore, zhveshur gjethesh, shumëdegëshe, që ngjallen
Kur uji i prek, ndërsa syri që i ndjek
Rropatet t’i ikë gurësisë robtuese
Duke bjerrë ca nga ca krejt fuqinë.

Anës me diell një plazh i gjatë e i zbrazët
Dhe rrezet që shkrepin diamantë në muret e stërmëdhenj.
Asgjë s’frymon, pëllumbat e egër shkuan
Dhe mbreti i Asinisë, që rrekemi ta gjejmë tash e dy vjet,
I panjohur, nga krejt i harruar, madje edhe nga Homeri,
Vetëm një fjalëz në gjithë Iliadën, dhe ajo e paqartë,
Flakur këtu si maska e artë e varrimit.
Ti e preke, a ia mban mend tingëllimën? E zgavërt në dritë
Si një shtambë e tharë në dheun e mihur:
Të njëjtin tingull që bëjnë rremat tona kur rrahin detin.
Mbreti i Asinisë, një zbrazëtirë pas maskës
Gjithkund me ne, gjithkund me ne, nën një emër:
“Ασíνην τε… Ασíνην τε…”
Dhe statujat e fëmijëve të tij
Dhe dëshirat e tij në flatrimin e shpezëve, dhe era
Në të çarat mes mendimeve të tij, dhe anijet e tij
Ankoruar në një port të tretur:
Nën maskë një zbrazëtirë.

Tej syve të mëdhenj, buzëve formëplota, krelave
Të skalitura me reliev në mbështjellën e artë të ekzistencës sonë
Një njollë e errët që e sheh tek udhëton si një peshk
Në platitjen agimore të detit:
Një zbrazëtirë gjithkund me ne.
Dhe shpendi që fluturoi tutje dimrin e shkuar
Me një krah të thyer:
Banesë e jetës
Dhe gruaja e re që iku, për të luajtur
Me çatajtë e verës
Dhe shpirti që lypi botën e poshtme duke kujisur
Dhe vendi si një gjethe e gjerë rrapi e çuar tej
Prej rrëkeve diellore
Bashkë me monumentët e moçëm dhe keqardhjen e sotme.

Dhe poeti mëdyshet, vështron gurët dhe pyet vetveten
A ekziston vërtet vallë
Midis këtyre linjave të rrënuara, brinjëve, pikave, zgavrave e lakoreve
A ekziston vërtet vallë
Këtu ku puqesh me shtegun e shiut, erës e rrënojave
A ekziston lëvizja e fytyrës, forma e brishtësisë
E atyre që janë tkurrur kaq përçudnisht në jetët tona,
Atyre që mbetën hije e valëve dhe mendimeve
Në pakufishmërinë e detit
A ndofta jo, asgjë nuk mbetet përveç peshës
Nostalgjisë për peshën e një ekzistence në jetë
Aty ku ne tash mbetemi të pathelb, të hepuar
Si degët e një shelgu të tmerrshëm, gërmuqur nën
Dëshpërim të pambarimtë
Ndërsa përroi i verdhë ngadalë sjell poshtë
Xunkthe të nxjerra me gjithë rrënjë prej baltës
Imazh i një forme që dënimi me hidhërim
Të përjetshëm e ka kthyer në gur:
Poeti një zbrazëtirë.

 

Përktheu Arbër Zaimi

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: