Arber Zaimi

Vargje për Merilin Monronë

In Përkthime, Vjersha on 11 Prill, 2018 at 23:30

Hans Gustav Burkhardt – Enderr dashurie, 1969

Pierpaolo Pasolini

Prej botës së vjetër e prej botës së re
Kish mbetur veç bukuria, dhe ti
E mjera motërz miturake
Që rend pas vëllezërve më të mëdhenj
Dhe qesh e qan me ta, për t’i imituar,
Ti, motërza më e vogël
Atë bukuri e mbaje veshur me aq përulësi
Dhe shpirti yt prej bije të vegjëlisë
Kurrë nuk e diti se e mbaje veshur
Përndryshe s’do të ish bukuri.

Por bota ta mësoi
Kështu që bukuria jote u bë e botës
Prej së frikshmes botë të vjetër, prej së frikshmes botë të re
Kishte mbetur vetëm bukuria, dhe ti
E more me vete, siç merret një buzëqeshje e bindur.
Bindja lyp shumë lotë të gëlltitur,
T’i jepesh të tjerëve, shumë shikime gazmore
Që kërkojnë mëshirën e vet! Kështu pra
E more me vete bukurinë tënde.

U zhduk si një dromcë pluhur ari.

Prej idiotes botë të vjetër
Dhe prej së pamëshirshmes botë të re
Kishte mbetur një bukuri që nuk turpërohej
Të tregonte gjinjtë e veckël të motërzës
Barkun e vockël, aq lehtësisht të zhveshur.
Pikërisht prandaj ajo qe bukuri, e njëjta
Që kanë vajzat e ëmbla të botës tënde…
Vajzat e tregtarëve
Fituese konkursesh bukurie në Majemi a Londër.

U zhduk si një pëllumbeshë e artë.

Bota ta mësoi
Ndaj bukuria jote nuk ishte më bukuri.
Por ti vazhdove të ishe fëmijë
E papjekur, si lashtësia, mizore si e ardhmja
E mes teje e bukurisë tënde të pronësuar prej Pushtetit
U vendos gjithë idiotësia dhe mizoria e së tashmes.
E mbaje gjithnjë me vete, siç mbahet një buzëqeshje ndër lotë,
E paturp prej përtesës, e pafytyrë, prej bindjes.

U zhduk si një pëllumbeshë e bardhë, e artë.

Bukuria jote e mbijetuar e botës së vjetër
E kërkuar prej botës së ardhme, e pronësuar
Prej botës së tashme, u bë sëmundje vdekjeprurëse.

Tashti vëllezërit e mëdhenj më në fund kthejnë fytyrën
I ndalin për një çast lojërat e tyre të nëmura
Dalin prej shpërqendrimit të tyre të palodhshëm
Dhe pyesin: “A është e mundshme vallë që Merilina
E vockla Merilinë, të na ketë rrëfyer udhën?”

Tani je ti
Ajo që s’vlen më hiç, e mjera, me buzëqeshjen e saj
Je ti e para përtej dyerve të botës
Së braktisur në fatin e saj vdekatar.

 

Përktheu Arbër Zaimi

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: