Arber Zaimi

Archive for the ‘Artikuj’ Category

PKI-ja të rinjve

In Artikuj, Përkthime, Vjersha on 7 Nëntor, 2015 at 17:13

venezia_contestazione01PKI-ja[1] të rinjve

 

Pier Paolo Pasolini

 

Më vjen keq. Polemika kundër

PKI-së duhej bërë në gjysmën e parë

të dekadës që shkoi. Jeni me vonesë, të dashur.

S’ka asnjë rëndësi nëse s’kishit lindur ende:

aq më keq për ju.

Tash gazetarët e të gjithë botës (përfshi

edhe ata të televizioneve)

ju lëpijnë (siç vazhdon të thuhet në gjuhë

studentore) bythën. Unë jo, të dashur.

Keni fytyrën e çunave të babit.

Ju urrej siç i urrej dhe baballarët tuaj.

Raca e mirë s’gënjen.

Keni të njëjtin sy për keq.

Keni turp, jeni të paqartë, të dëshpëruar

(shumë mirë!) por dini edhe se si të jini

prepotentë, kërcënues, me vetëbesim e pafytyrësi:

parakushtet e të qenit mikroborgjezë, të dashur.

Kur dje, në Valle Giulia[2] u rrahët

me policët,

unë isha tifoz i policëve.

Sepse policët janë bij të të varfërve

Vijnë nga subtopi, fshatare a qytetare qofshin.

Sa për mua, unë e njoh boll mirë

mënyrën se si kanë qenë fëmijë edhe çunakë,

ato një mijë lirat e çmueshme, babai po ashtu i mbetur çunak,

për shkak të mjerimit, që nuk të jep autoritet.

Nëna e ashpërsuar si me qenë roje, apo e brishtë

prej ndonjë sëmundje, si një zogth;

një mori me vëllezër; kolibja

rrethuar me një oborr me sherebelë të kuqe (në vende

që gjetiu tashmë janë parcelizuar); kasollet

aty ku derdhen gjirizet; ose apartamentet në lagjet

e stërmëdha popullore, etj. etj.

Pastaj shikoni se si i veshin: si palaço,

me atë cohë të ashpër, që qelbet era mensë

era kazermë dhe era popull. E keqja e të këqijave është, natyrisht,

gjendja psikologjike në të cilën i kanë katandisur

(për vetëm dyzet mijë lira në muaj):

s’kanë më buzëqeshje,

s’kanë më miqësi me botën,

të ndarë,

të përjashtuar (në një lloj përjashtimi që nuk ka të barabartë);

të poshtëruar se e kanë humbur cilësinë e njeriut

zëvendësuar me atë të policit (të qenit i urryer të bën të urresh). Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Advertisements

Që çlirimi të mos jetë një formë e re pushtimi

In Artikuj on 30 Shtator, 2012 at 15:52

Njërin prej filmave të saj më kontroversialë, “La pelle”, Liliana Cavani e mbyll me një skenë të pështirë. Një banor i Napolit feston çlirimin e Italisë nga aleatët amerikanë pas Luftës së Dytë Botërore. Me të birin në krah e me një flamur kuqebardhë me shumë yje ai i afrohet tankeve i ekzaltuar, bashkë me turmën me gra e burra që falënderojnë çliruesin që i dha fund luftës. Tanket ecin ngadalë e hijerëndë. Një bjonde ngjitet sipër një tanku, puthet me ushtarët. Burri del para tankut me fëmijë në krahë, dhe valëvit flamurin amerikan i ngazëllyer. Befas pengohet, bie – dhe aty Liliana Cavani nuk heziton fare me kumtin pamor – zinxhiri i tankut e shkel, kafka i plas në mënyrë eksplicite, truri bëhet përshesh bashkë me zorrët e me të brendshmet. Mbeten të paprekura gjymtyrët, në të dyja anët e zinxhirit. Turma tronditet, ulërimat nisin, dhe njerëzit vrapojnë të pështirosur, ndërsa Marcello Mastroianni, në rolin e një kapiteni të mbetur nga ushtria perandorake italiane, përpiqet të marrë situatën në dorë.

Nejse. Me fillimin e fushatës elektorale, si pa të keq, lexoj nëpër media e dëgjoj nëpër emisione televizive të artikulohet si alternativë për “çlirimin” e vendit nga “shkatërrimi përfundimtar” një aleancë të mundshme të Edi Ramës me Ilir Metën. Arsyetimi është vetëshprehës dhe vetëpërmbushës – përderisa qëllimi i vetëm është të shkojë Berisha dhe kasta e tij – çdo mjet vlen. Duket se në PS deri diku ky propozim është rehatuar, dhe të rrallë janë zërat që kundërshtojnë fort këtë strategji, prezantuar si e domosdoshme; se s’ke ç’i bën; se politika i ka këto; se kompromisi është çmimi që duhet paguar për zgjidhjen; se as mua s’më pëlqen po si thua ti, të mbajmë Berishën; se edhe ti që kritikon kot bën moral, ça kujton se je… Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Pamundësia për të ëndërruar (kundër hegjemonisë)

In Artikuj on 17 Shtator, 2012 at 23:46

The strength of the curve, 1930 – Tullio Crali

Ndërsa zhvillimi teknologjik ka bërë që mass-media, përcjellësi që lidh botët e brendshme të kujtdo me shumëkënd të evoluojë prej shtypshkrimit te fotografia bardh-e-zi, e më pas te ajo me ngjyra, pastaj te zëri nëpër radio, pamja në lëvizje (video), e gjer te tre dimensionet që mund t’i shohim në kinema – me aftësinë tonë për të ëndërruar ka ngjarë e kundërta. Dikur ëndërrat duket se kishin më shumë ngjyra, më shumë dinamikë e i qaseshin më tepër realitetit, ndërsa sot duket se ëndërrohen ëndërra të printuara në seri, si bartëse të një propagande të hapur, të thjeshtë e naïve, sepse të pandërgjegjshme. Duket sikur jemi në gjendje të ëndërrojmë vetëm kitsch, për të përdorur një këndvështrim interesant që dikur Walter Benjamin ua hodhi shoqërive të përparuara teknologjikisht.

Sot, kur një ideologji fondamentaliste e tregut dominon gjithë globin, ndërkohë që besohet pa skepticizëm e dyshim në “një dorë të padukshme”, ndërsa nuk hezitojmë t’i japim gjithçkaje një vlerë këmbimi (gjer edhe pasionit, idealit, besimit, besnikërisë, dijes, miqësisë e solidaritetit) ëndrrat e individit dhe të shoqërisë duken të tredhura. Janë kryesisht ëndrra hedonistësh konsumistë, që duan të kenë pará, duan të kenë njerëz nën hyqëm, të kenë prona materiale si shtëpitë a makinat, jomateriale si statusi social (ofiqet shkencore), apo njerëzore (të kenë në dispozicion partnerët më sexy, më fit, më fun dhe më smart që ofron tregu).

Kjo paaftësi për të ëndërruar nuk përjetohet fshehurazi e me turp, përkundrazi përbën një vlerë të trupëzueshme, për të cilën mund edhe të mburresh publikisht. Gjer edhe ata që duhet t’i japin shkëndijën nistore ëndrrave, pra të përkundërtit e aktualitetit – opozitarët, edhe ata gjenden po aq të gëlltitur në veshtullinë e përgjithshme (nuk e kam fjalën për afaristët apo pronarët, sepse nuk jam as i pari as i fundit që e them, po secili afarist e secili pronar është pushteti, e në thelb e ka të pamundur të jetë opozitar). Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

“Letra” e amerikanit

In Artikuj on 12 Shtator, 2012 at 18:05

Coca-Cola Santa, 1944 – Haddon Sundblom

Letra e ambasadorit amerikan për “Shekullin”, ku me demek ndërprikësh marrëdhëniet deri në një vendim tjetër, i shtohet groteskut elektoral të ditëve të fundit. Por nuk i shtohet si diçka thelbësisht e re, përkundrazi, ky eveniment është thjesht budallallëku i radhës në këtë estradë të stërzgjatur e të pakuptimtë që me dashamirësi po e quajmë “skenë politike shqiptare”.

Të të njëjtit nivel kanë qenë dhe reagimet ndaj “Letrës”, por sidomos mosreagimet. Ç’ka ndodhur? Edhe pse, si shqiptar i mirë që jam e di që duhet të tregohem i matur e i pjekur kah shkruaj, si shqiptar i mirë duhet të bëj çmos që të shmang përmendjen e të qenit shqiptar, e të flas sa më shumë për sende pa lidhje, të tërholl bisedën, të hyj në sofistikimet më të kota e të mos dal kurrë në thelb (se ashtu e do puna, se bota është e padrejtë, se s’ka gjësend tjetër veç realpolitikës, se mirë e kam po kështu s’bëhet, se nuk do gjej dot punë, se ne jetojmë prej Amerikës, se ata na çliruan Kosovën) – unë kam vendosur që në këtë shkrim të veproj ndryshe.

Meqenëse “Shkenca e komunikimit” na mëson se nuk qenkërkemi, por thjesht u dukërkemi, nuk e paskërkemi seriozisht, po thjesht lodrokërkemi, unë në rolin e parë të student kurajoz po marr përsipër që në këtë shkrim të luaj rolin e dytë e të padëshiruar të shqiptarit të keq. Domethënë, të shqiptarit që nuk e vret mendjen hiç për “shkencën e komunikimit”, të shqiptarit që përbuz lajle-lulet dhe lajkat ndaj “më të fortit”, të shqiptarit që beson se ndryshimi është i mundshëm, që angazhohet tek ky ndryshim, tek dashuria për të vërtetën, tek fjala, dhe tek qenia që del përsipër saj. Për arsye aspak “deontologjike” marr përsipër të them të vërtetën, ashtu siç, moti e kemi parë të gjithë tek ndodh. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Çështja e grave, kompromis apo konflikt

In Artikuj on 10 Shtator, 2012 at 17:49

Three Women, 1930 – David Burliuk

Çështja e grave, bashkë me një sërë çështjesh të tjera, ngrihen në përgjithësi sa herë që ka ndonjë qokë. Edhe kësaj radhe, për tetë marsin, nuk munguan debate e diskutime si garniturë e festive grarishte, nuk munguan fushatat ndërgjegjësuese, apo frazat e politikanëve që u përpoqën të kapitalizonin “kredite publike”, pra të fitonin pikë duke u marrë me çështjen e momentit, pra me problemet e grave.

Po cili është problemi i grave? Ca thonë që gratë kanë problemin e prezencës në sferat e larta të vendimmarrjes, e duhen ndihmuar me kuota. Ca thonë që gratë kanë nevojë për më shumë liri, që të bëjnë çkado që duan pa u ndjerë të detyruara. Ca thonë që gratë kanë nevojë për më shumë pushtet, pavarësi, vlerësim etj. Por këto përgjigje duken të pjesshme, e në një analizë të thellë, duken të bazuara mbi bindje jo tepër koherente në logjikën e atyre që i mbajnë. Pra cila është pyetja që duhet të shtrojmë, kujt duhet t’ia drejtojmë, e ç’përgjigje duhet  të presim, sa i përket problemit të grave? Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Transporti publik: Lëngata që solli total-privatizimi

In Artikuj on 4 Shtator, 2012 at 12:41

Sardines, 1955 – Michael Goldberg

Ndërsa gjetiu publikja dhe alternativat e saj po diskutohen tepër seriozisht, në politikë e jo vetëm, në Shqipëri retorika paraelektorale e thuajse cilitdo ende ekzalton individualizmin, privatësinë dhe konkurencën. Po në u shkëputshim për një çast prej debateve shkenciste të furnizuara nga utopia ekonomike neoliberale e në i kthefshim sytë nga e përditshmja, ndoshta frika prej së përbashkëtës zvogëlohet e zbutet karshi nevojës gjithnjë e më të madhe që kemi për të.

Sipas doracakëve të fondamentalistëve të tregut, po edhe sipas “pulitikave” të bëra nga pushteti qendror e lokal në Shqipëri prej 2000 e këtej, në një sistem të tillë (market stalinism po e quajnë së fundi në perëndim, ndërsa te ne demokraci) logjika duhet të jetë kjo: mjafton që shteti të krijojë rrjetin, se atë e mbush me limfë vitale privati, i pandalshëm në zgjerimin e tij sasior e cilësor. Po a është kështu? Le të marrim një shembull, një prej sektorëve që ka kaluar thuajse tërësisht në dorë të privatëve, infrastrukturën e transportit. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Teshtimë prej kokëpalari

In Artikuj, Ese, Uncategorized on 31 Gusht, 2012 at 15:08

Arbër Zaimi

Family (A Child Shall Lead Them), 1932 – George Grosz

Ftohma njeriun e kap me kollë e me teshtima, e këto janë të bezdisshme, të zhurmshme, mund t’ia ngjisin virusin të tjerëve, ndaj kërkush s’ka qejf të rrijë gjatë me kë teshtin a kollitet. I sëmuri, fillimisht synon ta zgjidhë problemin me vetveten. Për të mos vënë në siklet të tjerët, ja rri në shtëpi e izolohet, ja përpiqet ta zbusë kollën me ndonjë shurup a çaj të nxehtë, ndërsa teshtimat i mbyt duke zhytur hundët në shami e duke bërë lloj-lloj marifetesh (duke mbajtur frymën, duke pickuar majën e hundës e të tjera gjëra qesharake, si këto).

Mirëpo historia (magistra vitae) rrëfen faktin imponues, që teshtimat e kollitjet kanë vazhduar, pavarësisht marifeteve e shurupeve. Afërmendsh, nuk mjaftojnë hiletë për ta ndaluar përgjigjen reflektive të organizmit ndaj shqetësimeve të brendshme, në këtë rast viruseve që shkaktojnë të flamosurën ftohmë. Duhet tjetër zgjidhje.

Një zgjidhje qesharake do të qe receta e tiranit, një dikush arrogant që synon të shmangë menjëherë bezdinë. E tillë zgjidhje do të qe psh. lëshimi i një urdhri për të ndaluar me dhunë kollën e teshtimat, apo për t’i kërcënuar, rrahur e përzënë autorët e këtyre gjesteve bezdisëse. Po sot zor se gjen njerëz kaq të trashë e të pasjellshëm (apo ndoshta gjen?) sa të lëshojnë të tillë urdhra, e sërish kjo nuk e ndalon as kollën e as teshtimën. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Lindja e Korrupsionit dhe “Simptoma Meta”

In Artikuj on 23 Gusht, 2012 at 11:14

Paraqitja televizive e bisedave të turpshme mes Metës e Priftit ishte ngjarja e vitit të shkuar. Ekzistenca e kësaj videoje kishte kohë që përflitej, Prifti e kish përmendur kërcënueshëm ekzistencën e këtij materiali filmik që kur u “zu” me LSI-në, e megjithatë të gjithë (madje dhe Meta) mbetën të habitur nga publikimi. Kjo ishte tema kryesore e bisedave, u rrah ndër tavolina, indinjoi njerëz të ndershëm, bëri të buzëqeshin njerëz që “e kishin parashikuar”, e vuri në pozitë të vështirë njerëz që për një arsye apo për një tjetër kanë lidhur fatin e tyre me “kampin qeveritar”, çkado që të jetë domethënia e këtij kampi.

Që të jetë e qartë që në fillim, efekti i videos nuk është zbulimi apo denoncimi i korrupsionit. Korrupsioni dihej që ishte, madje korrupsionin shoqëria jonë tashmë e ka gëlltitur si diçka normale. Efekti kryesor i videos, ai për të cilin flitet më pak sepse kërkon pak më shumë impenjim, është pikërisht fakti se kjo video e shfaq korrupsionin në vërtetësinë e tij, jo si shkak të gjendjes së mjerueshme të politikës e të politikes, por pikërisht si simptomë të këtij mjerimi. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Shënime mbi Kronikën e Zezë

In Artikuj on 22 Gusht, 2012 at 16:56

Einsamer Grosstadler, 1932 – Herbert Bayer

Arbër Zaimi

Një babë vret vajzën. Dikush, diku tjetër vret një fëmijë për gjakmarrje, e për dhjetë ditë gjaku shuan edhe gjashtë jetë të tjera. Dikush hedh foshnjën e sapolindur nga materniteti, dikush vret nënën në sy të fëmijëve për të vjedhur varësen, dikush vret ish-punëtorin e nxehur se ka mbetur pa punë, pastaj vret dhe veten, e pastaj ia copëtojnë kufomën në shenjë shpagimi… Shumëkush rreh, bërtet, vjedh e vidhet, vret e vritet. Kronika e zezë po shndërrohet në një sport ku Shqipëria po shënon rekordet e veta, e ku duket se po garon suksesshëm edhe në nivele ndërkombëtare. Në muajt e fundit kam dëgjuar për më shumë raste krimesh të rënda, vrasjesh, dhunimesh e vetëvrasjesh (s’po i fus në një thes, po meqë janë në të njëjtën faqe gazete), sa kurrë ndonjëherë në jetën time – e unë gazetat i lexoj rregullisht.

S’jam i vetmi që e kam ndjerë duhmën që ka pllakosur, përkundrazi. Reagime ka plot, në media, në rrjete sociale, në tryeza shtëpish e kafenesh. Ato variojnë që prej qëndrimeve religjioze, që thërrasin për një rikthim në zot e në fe, e gjer te qëndrimet konservative borgjeze, që thërrasin për më shumë ndëshkim e për rikthim të dënimit me vdekje. Opozitarët nuk mënojnë t’ia hedhin fajin qeverisë, shkaku i papunësisë e i varërisë, e qeveria ia hedh fajin depresionit global e pjesërisht edhe opozitës, e cila pengon ecurinë e dogmës politike të kohës, integrimit evropian. Psikologët thirren në media e lëshojnë fjali klishe, jo “shthurja e familjes”, jo “lëvizjet demografike”, jo “stresi ekonomik” e të tilla sende. Qëndrime ka aq sa ka edhe njerëz, e ndoshta te të gjitha gjen arsye, diku përzier me mllef, diku me pamundësinë për të hapur syte, diku me cinizmin, diku me melankolinë e diku me mosbesimin… Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »