Arber Zaimi

Archive for the ‘Ese’ Category

Teza XI: Socialdemokracia, puna dhe natyra

In Ese, Përkthime, Prozë on 27 Maj, 2012 at 18:01

Industrial Cloud, 2003 – Kay Jackson

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XI

Konformizmi që e ka patur çerdhen që prej fillimit në gji të social-demokracisë nuk qëndron veç te taktikat e saj politike, po edhe te konceptet e saj ekonomike. E këto të fundit janë një prej arsyeve kryesore të dështimit të saj. Asgjë s’e ka korruptuar klasën punëtore gjermane aq sa bindja që ata po notonin pas rrjedhës. Zhvillimet e teknikës atyre u dukeshin si shenja të kahjes së rrjedhës, në të cilën mendonin se po notonin. Kjo s’qe veçse një hap larg bindjes iluzive që puna në fabrikë – e cila sipas tyre qe hallkë e rrjedhës së progresit teknologjik – përbënte një akt politik përparimtar. E lashta etikë protestante e punës po përjetonte ringjalljen e saj mes punëtorëve gjermanë, tashmë në format të shekullarizuar. Gjurmë të këtij konfuzioni u shfaqën që në programin Gotha (i paraqitur në Kongresin e Gotha-s, në 1875). Aty puna përkufizohej si “burimi i gjithë pasurisë e i gjithë kulturës”. Marksi, që i tutej më së keqes, shkroi në përgjigjje se qeniet njerëzore që nuk zotëronin asnjë pronë përveç fuqisë së vet punëtore “detyrohen të jenë skllevër të të tjerë njerëzve të cilët… janë bërë pronarë”. Po duke e anashkaluar këtë vërejtje konfuzioni veç u rrit, dhe pak kohë më pas Josef Dietzgen shpalli se: “Puna është shpëtimtari i kohëve tona… Tek… përmirësimi… i punës… mbruhet pasuria, që tashmë mund të plotësojë më së fundi atë që asnjë shpagues nuk do e kish mbërritur”. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Reklama

Teza X: Pështjellimi

In Ese, Përkthime, Prozë on 25 Maj, 2012 at 17:47

Crypt of San Martino ai Monti (Rome), 1806 – François-Marius Granet

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza X

Murgjve nëpër manastire disiplina monastike u përcaktonte tema për meditim me qëllim që t’i shkëpuste prej botës e çështjeve mondane. Mendimet që zhvillojmë këtu burojnë prej një konsiderimi analog. Vëzhgimet tona synojnë që – shi në momentin kur politikanët që mishërojnë shpresat e kundërshtarëve të fashizmit janë përkulur duke pranuar mposhtjen e vet e duke tradhtuar çështjen – ne ta shpështjellim politiken mondane prej merimangave ku e kanë kapërthyer tradhtarët. Konsiderata jonë lind prej vëzhgimit të këtyre tre fakteve: besimit kokëfortë që politikanët kanë te progresi; vetëbesimit që ushqejnë për “bazën popullore”; dhe më së fundi integrimit të tyre servil tek një aparat i pakontrollueshëm, të cilat s’kanë qenë veçse tre aspekte të së njëjtës gjë. Pra duam të bëjmë të qartë se sa shtrenjtë duhet t”i kushtojë mendimit të zakonshëm konceptimi i një historie që e shmang çdo lloj pikëpjekje me mendimin ku aderojnë këta politikanë.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza IX: Angelus Novus

In Ese, Përkthime, Prozë on 24 Maj, 2012 at 15:07

Angelus Novus, 1920 – Paul Klee

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza IX


Mein Flügel ist zum Schwung bereit,
ich kehrte gern zurück,
denn blieb ich auch lebendige Zeit,
ich hätte wenig Glück.

“Gruss vom Angelus” *   

Gerherd Scholem

Është një tabllo e Klee që titullohet “Angelus Novus”, që paraqet një engjëll që ngjan a thua se është duke u larguar prej diçkaje të cilën po e sheh me përqendrim. Sytë e tij janë duke vështruar, gojën e ka të hapur, flatrat e shtrira. Bash kështu pikturohet engjëlli i historisë. Fytyra e tij është kthyer kah e shkuara. Aty ku ne perceptojmë një zinxhir ngjarjesh, ai sheh veç një katastrofë të vetme që pandalur rritet duke grumbulluar rrënoja, e duke i sjellë ato para këmbëve të engjëllit. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Teza VIII: Fashizëm i zakonshëm

In Ese, Përkthime, Prozë on 23 Maj, 2012 at 15:09

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza VIII

Gross Stadt, 1928 – Otto Dix

Tradita e të shtypurve na mëson se “situata e jashtëzakonshme” në të cilën jetojmë nuk është përjashtim, por rregull. Duhet mbërritur një konceptim i historisë që përputhet me këtë vëzhgim. Më pas do ta kuptojmë qartësisht se ne na bie detyra që të shkaktojmë një situatë vërtet të jashtëzakonshme, dhe kjo do ta përmirësojë pozitën tonë përballë Fashizmit. Një nga arsyet se pse Fashizmi ka gjasa të ndodhë është se kundërshtarët e vet e luftojnë në emër të progresit, si një normë historike. Habia që shfaqet kësokohe, se si ka mundësi që gjërat që përjetojmë vazhdojnë “ende” të ndodhin në shekullin e njëzetë nuk është filozofike. Kjo habi nuk çon tek asnjë dije, përveçse tek ajo që shpërfaq se këndvështrimi historik prej nga rrjedh habia, nuk qëndron më në këmbë.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza VII: Thesaret e kulturës

In Ese, Përkthime, Prozë on 23 Maj, 2012 at 01:19

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza VII

Dhunimi i Kasandrës, 480 p.e.s.

Mendoni terrin dhe të madhen ngricë

Të k’saj lugine ku jehon mjerimi

Brecht, Opera për tre pare

Historianit që dëshiron ta jetësojë rishtaz një epokë të së shkuarës Fustel de Coulanges i rekomandon që ta fshijë prej mendjes gjithçka që ai di mbi zhvillimin e mëpastajmë të historisë. S’ka mënyrë më të mirë për ta përshkruar metodën prej së cilës materializmi historik është distancuar e është shkëputur. Është një proces empatik, që rrjedh prej plogështisë së zemrës, acedisë, që dëshiron ta kapë e ta mbërthejë imazhin e mirëfilltë historik, teksa ky shfaqet vetëtimthi. Teologët mesjetarë e shihnin acedia-n si shkakun që i rri në rrënjë trishtimit. Flaubert-i, që e njihte mirë këtë ndjenjë, shkruante: “Peu de gens devineront combien il a fallu être triste pour ressusciter Carthage”*. Natyra e këtij trishtimi del në pah më qartë nëse shtrohet pyetja se cilën anë mban empatia e atyre që përkrahin historicizmin. Përgjigjja është e pashmangshme: anën e ngadhnjyesit. Dhe çdo sundues është trashëgimtar i pushtuesit të mëhershëm. Pra, empatia me ngadhnjyesin gjithnjë i leverdis sunduesve. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Teza VI: Armiku

In Ese, Përkthime, Prozë on 22 Maj, 2012 at 10:35

Shën Gjergji I, 1911 – Wassily Kandinsky

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza VI

Të artikulosh historikisht të shkuarën nuk do të thotë ta njohësh atë “ashtu siç ka qenë me të vërtetë” (Ranke). Do të thotë ta kapësh një kujtim teksa shkreptin në një moment rreziku. Materializmi historik synon të fiksojë atë imazh të të shkuarës që i shfaqet befasisht njeriut të përzgjedhur nga historia në çastin e rrezikut. Rreziku shenjon si përmbajtjen e traditës, ashtu dhe publikun e saj. Të dyjave u kanoset i njëjti kërcënim: mund të shndërrohen në vegël të klasave sunduese. Në çdo epokë duhet bërë rishtaz përpjekja për t’ia shkëputur traditën konformizmit që gjithnjë synon t’i mbivendoset. Mesia nuk vjen veç si shpagues, ai vjen dhe si mposhtës i Antikrishtit. Dhuntinë për t’i fryrë gacës së shpresës që gjendet tek e shkuara ka për ta patur vetëm ai historian që është tërësisht i bindur se as të vdekurit nuk do të shpëtojnë nga armiku nëse ai ngadhnjen. Dhe ky armik nuk ka pushuar së qeni ngadhnjimtar.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza V: Shkreptima e së shkuarës

In Ese, Përkthime, Prozë on 21 Maj, 2012 at 02:08

Painting the Moment (Malerei des Augenblicks), 2006-2008 – Shan Fan

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza V

Imazhi i vërtetë i së shkuarës kalon rrëshqanthi. E shkuara mund të kapet veç si një imazh që shkreptin në çastin e vetëm kur mundet të njihet, pastaj s’shihet më kurrë. “E vërteta s’do të largohet prej nesh”: në një vështrim historik të historicizmit këto fjalë të Gottfried Kellerit shënojnë saktësisht pikën ku materializmi historik e pret mespërmes historicizmin. Sepse çdo imazh i së shkuarës të cilin e tashmja nuk e njeh si shqetësim të vetin rrezikon të zhduket përgjithmonë. (Lajmet e mezipritura që historiani i së shkuarës i sjell zemër-rravguar mund të humbin në zbrazëti pikërisht në momentin kur ai nis të flasë).

Përktheu Arbër Zaimi

Teza IV: Lulediejt

In Ese, Përkthime, Prozë on 20 Maj, 2012 at 16:19

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza IV

Femme devant “Les Tournesols” de van Gogh, 1917 – Isaac Israels

Së pari përpiquni për bukë e rroba edhe

Mbretëria e Zotit do të vijë vetë te ju

Hegel, 1807

Beteja klasore, që është gjithnjë e pranishme për çdo historian të ndikuar nga Marksi , është betejë për të fituar gjërat e ashpra dhe materiale pa të cilat nuk mund të ekzistojë asgjë delikate e shpirtërore. Gjithsesi, këto të fundit janë të pranishme në betejën klasore, por jo në formën e plaçkës që i takon fitimtarit. Ato e manifestojnë vetveten në këtë betejë në formën e kurajos, humorit, dinakërisë e qëndresës. Ato kanë një forcë retroaktive dhe vazhdimisht do të vënë në pikëpyetje cilëndo fitore të sunduesve, qoftë ajo e së shkuarës apo e së tashmes. Porsi ato lulet që e kthejnë fytyrën kah dielli, ashtu edhe e shkuara, e detyruar prej një force të fshehtë heliotropike, e kthen fytyrën kah dielli që po lind në horizont të historisë. Materialisti historik duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë transformim, që është më pak i dukshmi nga gjithë të tjerët.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza III – Der juengste Tag

In Ese, Përkthime, Prozë on 20 Maj, 2012 at 03:20

Excavation, 1950 – Willem de Kooning

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza III

Kronikani që i rendit ngjarjet pa bërë dallim mes të mëdhave e të voglave, vepron në përputhje me këtë të vërtetë: prej gjithçkaje që ka ndodhur ndonjëherë, asnjë ndodhi s’bën të quhet e humbur për historinë. Sigurisht, vetëm një njerëzim i shpaguar mbërrin ta zotërojë tërësisht të shkuarën e vet, që do të thotë se vetëm për njerëzimin e shpaguar e shkuara bëhet e citueshme në të gjitha momentet e saj. Secili moment i përjetuar bëhet një citation a l’ordre du jour – dhe kjo ditë, është Dita e Re (der juengste Tag).

Përktheu Arbër Zaimi