Arber Zaimi

Archive for the ‘Prozë’ Category

Zotërimi i së djeshmes

In Përkthime, Prozë on 11 Korrik, 2017 at 00:26

John Altoon – Dy figura dhe një pëllumb, 1957

J.L. Borges

E di se kam humbur shumëçka, aq sa nuk mund t´i numëroj, dhe tanimë zotërimet e mia janë pikërisht ato humbje. E di se e kam humbur të verdhën e të zezën dhe mendoj mbi ato ngjyra të pamundshme ndryshe nga ç´i mendojnë ata që shohin. Im atë ka vdekur dhe gjithnjë është krah meje. Kur dua të numëroj rrokjet e vargjeve të Swinburne-it, e bëj, më thonë, me zërin e tij. Veç ajo që ka vdekur është jona, jona është veç ajo që kemi humbur. Ilioni e pat, por Ilioni vazhdon të jetojë në hekzametrin që e vajton. Izraeli u krye vetëm pasi u bë një nostalgji e lashtë. Secila poemë, me kalimin e kohës, bëhet elegji. Tonat janë gratë që na kanë lënë, jo më subjekte të muzgut që përmbys ditën, e as të alarmeve a terroreve të shpresës. Nuk ka parajsa të tjera përveç parajsave të humbura.

Përktheu nga spanjishtja A. Zaimi
Advertisements

Thika

In Përkthime, Prozë on 28 Qershor, 2017 at 20:41

Kathleen Gemberling Adkinson – Shtresat e kohës

Për Margarita Bunge

Një thikë prehet në një sirtar.

U farkëtua në Toledo nga fundi i shekullit të shkuar. Luis Melián Lafinuri ia dha tim eti, që e solli këtu prej Uruguaji. Dikur e ka mbajtur në dorë Evaristo Carriego.

Të gjithë që e shohin duhet ta marrin e të luajnë më të; a thua se kanë kohë që kërkojnë pikërisht atë thikë; dora shpejt e pushton dorezën që duket sikur po priste pikërisht atë kapje; tehu i bindur e i fuqishëm rrëshqet me precizion jashtë e brenda këllëfit.

Por tjetërçka dëshiron thika. Ajo është më shumë se një strukturë e përbërë prej metalesh; njerëzit e kanë menduar dhe e kanë formuar me një qëllim shumë të saktë; ndaj ajo është, në një farë vështrimi të përjetësisë, thika e cila dje natën vrau një burrë në Takuarembo, apo edhe thika që vranë Qesarin. Ajo dëshiron të vrasë, dëshiron të derdhë gjak të nxehtë.

Në një sirtar të skrivanisë sime, mes dorëshkrimesh e letrash, pandalshëm ëndërron thika ëndrrën e saj të thjeshtë prej tigri e dora gjallërohet kur e prek sepse metali gjallërohet, metali që ndjen vetveten sa herë që është në kontakt me vrasësin për të cilën njerëzit e kanë krijuar.

Ndonjëherë më vjen keq. Kaq durim, kaq besim, kaq qëndrueshmëri e pashtershme dhe e pafajshme, dhe vitet kalojnë, të kotë.

J.L. Borges

Përktheu nga spanjishtja Arbër Zaimi

Shtojcë: Çmagjepsja prej së ardhmes

In Ese, Përkthime, Prozë on 12 Qershor, 2012 at 13:21

Clairvoyant’s Daughter II, 2003 – Gary Slipper

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Shtojcë

A. Historicizmi ndihet i kënaqur kur vendos një lidhje shkakësie mes momenteve të ndryshme të historisë. Mirëpo asnjë realitet faktik nuk shndërrohet – thjesht pse gëzon cilësitë e shkakut – në fakt historik. Fakti bëhet historik vetëm pasi ka vdekur, nën veprimin e ndodhive që mund të jenë të ndara me mijëvjeçarë të tërë nga vetë fakti. Historiani që niset prej këtij konstatimi nuk i lejon më rrjedhat e ngjarjeve t’i kalojnë nëpër gishtërinj si rruzarë (tespihe). Ai kap konstelacionin që formon epoka e vet teksa përziehet me një aksh epokë të së shkuarës. Kështu, ai themelon një koncept të së tashmes si koha e “bash-tashit” [Jetztzeit], stërpikur me grimca prej kohe mesianike.

B. Natyrisht që falltarët, të cilët e pyesnin kohën duke u rrekur të mësonin se çfarë fshihte në gji, nuk e perceptonin atë si kohë homogjene e boshe. Ai që e mban parasysh këtë shembull, ndoshta mund ta krijojë një ide për mënyrën se si perceptohet koha e shkuar si përkujtim: bash në këtë mënyrë. Ne e dimë që hebrenjve u ishte ndaluar të parashihnin të ardhmen. Torahu dhe lutjet, si kundërpeshë, u mësuan atyre përkujtimin. Kjo i çliroi ata prej magjepsjes nga e ardhmja, pre e së cilës bien gjithë ata që marrin këshilla prej falltarëve. Por e ardhmja nuk ishte aspak një kohë homogjene dhe boshe në sytë e hebrejve. Sepse te e ardhmja, në secilin çast, gjendet ajo porta e ngushtë prej nga mund të hyjë Mesia.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza XVIII: E pesta e sekondës

In Ese, Përkthime, Prozë on 7 Qershor, 2012 at 03:48

Tre luftëtarë, rreth 12000 pes. – Piktorë Magdalenianë

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XVIII

“Pesëdhjetë mijëvjeçarët e shkretë të homo sapiensit” – shkruan një biolog modern – “përballë historisë së jetës organike në tokë qëndrojnë në raport diçka si dy sekondat në fund të një dite prej njëzet e katër orësh. Në këtë shkallë, gjithë historia e qytetërimit njerëzor do të mbushte vetëm një të pestën e sekondës së fundit në orën e fundit”. Koha e bash-tashit, që si model i kohës mesianike rimerr në një përmbledhje madhështore historinë e krejt njerëzimit, koincidon saktësisht me pjesën që zë në univers historia e njerëzimit.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza XVII – Ngurosja e çastit

In Ese, Përkthime, Prozë on 3 Qershor, 2012 at 20:26

Josué arrêtant le soleil, 1742-43 – Joseph-Marie Vien

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XVII

Po të ecë drejt historicizmi kulmon në histori universale [Universalgeschichte]. E prej kësaj dallon ndoshta më qartësisht se prej çdo gjëje tjetër historiografia materialiste, sa i përket metodës. Historisë universale i mungon armatura teorike. Ajo zhvillohet përmes grumbullimit: mbledh një masë faktesh që të mbushë kohën homogjene e të zbrazët. Historiografia materialiste, në anë të kundërt, themelohet mbi një princip konstruktiv. Mendimi nuk zhvillohet veç si lëvizje e ideve, po edhe si ngrirje, si ngurosje e tyre [Stillstellung]. Aty ku mendimi ngrin i beftë, brenda një konstelacioni stërmbushur me tensione, këtij të fundit i jep një goditje që e kristalizon në monadë. Historiani materialist nuk i avitet objektit historik për sa kohë ky ende nuk i është paraqitur si një monadë. Në këtë strukturë ai njehson shenjën e ngurosjes mesianike të gjithë ndodhive, e thënë ndryshe, shenjën e një mundësie revolucionare në luftën për të shkuarën e shtypur. E kap këtë shans në mënyrë që të shkëpusë një epokë të caktuar prej tragës homogjene të historisë; e nxjerr një jetë të përveçme prej një epoke; e nxjerr një akt të përveçëm prej veprës së një jete. Rezultati i kësaj procedure është se në aktin e përveçëm ruhet e përnaltësohet [aufgehoben] vepra e një jete, në jetën e përveçme ruhet e përnaltësohet epoka, e në epokë ruhet e përnaltësohet gjithë traga e historisë. Fruti ushqyes i konceptimit historik përmban në thelbin e vet kohën, si një farë të çmuar por pa shije e pa aromë.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza XVI: Në bordellon e historicizmit

In Ese, Përkthime, Prozë on 2 Qershor, 2012 at 15:27

Les Demoiselles d’Avignon, 1909 – Pablo Picasso

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XVI

Prej konceptit të së tashmes që s’është çast kalimtar, po një kohë e ndalur dhe e bllokuar, materialisti historik nuk bën të heqë dorë. Sepse një koncept i tillë e përkufizon drejt atë të tashme në të cilën, për hesap të vet, ai shkruan historinë. Historicizmi kompozon një imazh “të përjetshëm” të së shkuarës ndërsa materializmi historik skicon eksperiencën unike të takimit me të. I lë të tjerët të shpërdorojnë forcat me kurvën e quajtur “na ishte një herë” në bordellon e historicizmit. Dhe mbetet zot i fuqive të veta: mjaftueshëm burrëror për ta shpërthyer tragën e vijueshmërisë të historisë.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza XIV: Hop revolucionar në të shkuarën

In Ese, Përkthime, Prozë on 31 Maj, 2012 at 14:24

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XIV

Origjina është synimi

Ursprung ist das Ziel

Karl Kraus Worte in Wersen I (Fjalë në Vargje)

Nunc Stans, 1965 – Jean Dubuffet

Historia është objekt i një konstruksioni që nuk shtrihet në kohën e zbrazët e homogjene, por në kohën e përplotë të “bash-tashit” [Jetztzeit]. Kështu, për Robespierre-in, Roma e lashtë qe një e shkuar e mbarsur me “bash-tash”, të cilën ai e shkulte prej tragës së vazhdueshme [continuum] të historisë. Revolucioni francez e mendonte vetveten si një Romë e kohës së tashme. E citonte Romën e lashtë njësoj si moda që risjell në jetë ndonjë kostum të së shkuarës. Moda ka një nuhatje për aktualen, kudo që ajo gjëllon në bjeshkët e së shkuarës.  Moda është një brofje prej tigri përmbi të shkuarën. Vetëm se kjo ndodh në një arenë të kontrolluar nga klasat sunduese. I njëjti hop, por në qiellin e çelur të historisë, është hopi dialektik, ashtu si e kish konceptuar revolucionin Marksi.

Përktheu Arbër Zaimi

Teza XIII: Determinizmi socialdemokrat

In Ese, Përkthime, Prozë on 29 Maj, 2012 at 14:48

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XIII

Çdo ditë e më shumë çështja jonë qartësohet

çdo ditë e më shumë populli po bëhet i mençur

Joseph Dietzgen, Filozofia Socialdemokratike

Man at the Crossroads, 1933 – Diego Rivera

Në teorinë, po sidomos në praktikën e saj, socialdemokracia është udhëhequr prej një koncepti të progresit që nuk përputhej me realitetin, por që kishte pretendime dogmatike. Progresi, siç përvijohej në mendjet e socialdemokratëve, na paskësh qenë një përparim i vetë njerëzimit (jo veç përparim i aftësive dhe dijeve të tij). Së dyti, progresi na qenka diçka që nuk mbaron kurrë (diçka që i korrespondon përmirësueshmërisë të pafundme të njerëzimit). Së treti, progresi njehsohet si diçka në thelb e pandalshme (si diçka që vetëvepron, dhe ndjek një tragë të drejtë apo spirale). Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Teza XII: Imazhi i gjyshërve dhe ideali për nipërit

In Ese, Përkthime, Prozë on 28 Maj, 2012 at 16:47

Mbi Konceptin e Historisë

Walter Benjamin

Teza XII

Chicago – after work on the blue line train, 2009 – Marlena Yurukova

Ne kemi nevojë për historinë, por nevoja jonë është e ndryshme nga ajo e bjerrakohësve që lazdrohen në kopshtijen e dijes.

Nietzsche, Mbi Dobinë dhe Dëmin e Historisë ndaj Jetës

Subjekti i njohjes historike është vetë klasa e shtypur që lufton. Te Marksi ajo shfaqet si e fundmja klasë e skllavëruar, që dëshiron të hakmerret edhe ta çojë deri në fund punën emancipuese, në emër të gjithë brezave të nënshtruar. Kjo ndërgjegje – që u bë e ndjeshme gjatë një periudhe të shkurtër tek “Lidhja e Spartakut” [grupi spartacist që u bë pararendës i Partisë Komuniste Gjermane] – e kundërshtonte  socialdemokracinë që prej momentit nistor. Brenda tre dekadave ajo mbërriti ta shuante thuajse tërësisht emrin e Blanqui-së, sokëllimat [Erzklang] e të cilit e kishin bërë të dridhej gjithë shekullin pararendës. Spartacistët u kënaqën duke i dhënë klasës punëtore rolin e shpëtimtarit të brezave të ardhshme. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »