Arber Zaimi

Posts Tagged ‘A. Nurellari’

Kritikë e leximit qëllimisht “mistik” të neoliberalizmit

In Artikuj on 30 Qershor, 2012 at 13:49

Navio de emigrantes, 1939 – Lasar Segall

Në shkrimin e vet “Kritikë ndaj kritikëve të pandershëm të neoliberalizmit” Adri Nurellari ankohet se në Shqipëri e në Kosovë ekonomia dhe politika nuk po ndjek një model kapitalist neoliberal. Ata që Nurellari i quan “socialistë”, e kritikokan këtë sistem në mënyrë të pandershme, duke e kategorizuar paradigmën qeverisëse si liberalizëm e duke ndotur kështu imazhin e mendimit orthodoks liberal, mendim të cilin Nurellari e prozeliton në mënyrë krenare, duke u vetëquajtur një “liberal i pandreqshëm”.

Për të treguar se strukturimi ekonomik në Kosovë e në Shqipëri nuk po ndiqka binarët liberalë Nurellari thërret në lojë Adam Smith-in, një nga baballarët e liberalizmit klasik, një filozof i politikës dhe i moralit që ka shkruar plot dy shekuj më parë, në Britaninë e Madhe. Në leximin që liberali radikal i sotëm i bën babait të liberalizmit vë re, me të drejtë, që strumbullari i filozofisë së Smith-it, ideja fikse e tij, ishte liria – të cilën natyrisht që ai e interpreton si liri të sipërmarrjes, liri të hyrjes në marrëdhënie me forcat e prodhimit. Nurellari shkruan:

“…Smithi nuk nxjerr argumente në favor të interesave të sipërmarrësve borgjezë apo aristokratëve të fuqishëm, por flet për një sistem të mbështetur tek liria, që më së shumti do të ndihmonte të varfrit. Sipas tij, ekonomia e udhëhequr prej dorës së padukshme të tregut, do të bënte të njëjtën shpërndarje të produkteve që ishin të nevojshme për jetën, që do të ishin bërë sikur bota të ishte ndarë në porcione të barabarta mes banorëve dhe në këtë mënyrë pa e patur synim, pa e ditur, avancon interesat e të gjithë shoqërisë.”

Një lexim kaq mistik gjithsesi nuk lë pa evidentuar shqetësimin moral të Smith-it për njeriun, që bazohej tek ajo çka vetë britaniku e quante “simpati humane”. Gjithashtu dalin qartë dy nocione të rëndësishme për filozofinë liberale, “dora e padukshme e tregut”, një lloj deus ex machina që operon në mënyrë mistike (megjithëse jo dhe aq, siç tregojnë studimet e avancuara të ekonomistëve modernë, të cilët Smith-i natyrisht nuk kishte nga t’i njihte) dhe nocioni tjetër qendror bashkë me “lirinë” – “barazia”. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Reklama