Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Amichai’

Këngë për një Grua

In Përkthime, Vjersha on 20 Shtator, 2016 at 15:18
Qilim skandinav - Rene Magritte, 1928

Qilim skandinav – Rene Magritte, 1928

Yehuda Amichai

1.
Trupi yt është i bardhë si ajo rëra
ku fëmijët s’kanë luajtur kurrë

sytë e tu të bukur e të trishtë
si lule të vizatuara në një libër shkollor

flokët e tu tek varen dredha-dredha
si tymi prej flijimit që ofroi Kaini:

duhet ta vras tim vëlla
im vëlla duhet të më vrasë.

2.
Këpucët e tua të zbrazëta vajtuan
gjatë gjithë natës ndanë shtratit tënd

dora jote e djathtë varej jashtë ëndrrës tënde,
flokët e tu studionin të folurën e natës
në një libër të grisur prej ere

perdet lëvizën
ambasadorë fuqish të huaja.

3.
Nëse ti e hap pallton
dashuria ime duhet të zgjerohet

nëse ti vesh beretën e bardhë rrumbullake
gjaku im duhet të bëhet edhe më i kuq

kudo që ti dashuron
duhen hequr moblijet prej hapësirës

pemët, malet, detet – të gjitha këto
të hequra prej botës kaq të ngushtë.

4.
Kur ti buzëqesh
idetë serioze befasisht përgjumen

gjithë natën malet heshtin ndanë teje –
në mëngjes rëra niset e shkon bashkë me ty te deti

kur ti më bën gjërat që m’i kënda
gjithë industria e rëndë ndalet e pushon.

Reklama

Jakobi dhe Engjëlli

In Përkthime, Vjersha on 20 Shtator, 2016 at 14:13
Conroy Maddox - Sekreti, 1970

Conroy Maddox – Sekreti, 1970

Yehuda Amichai

Para lindjes të diellit ajo rënkoi, e kapi
e shtrëngoi, kështu pra, fitoi mbi të.
E ai po ashtu e kapi, pra edhe ai fitoi
asisoj që të dy e dinin se një kapje e tillë
çonte në vdekje.
Ishin tashmë tej prezantimeve, përtej emrave.

Por në agim me dritën e parë
ai pa trupin e saj
ende të bardhë
në vendet e mbuluara dje nga rrobat
e banjës.

Pastaj një zë i papritur e thirri atë
prej së larti, dy herë,
ashtu siç thërritet një vajzë që të kthehet prej
lojës jashtë
e kështu ai e mori vesh emrin e saj
dhe e la të shkojë.

Në kohën time, në vendin tënd

In Përkthime, Vjersha on 19 Shtator, 2016 at 00:34

 

Wifredo Lam - Mëngjesi i gjelbër, 1943

Wifredo Lam – Mëngjesi i gjelbër, 1943

Yehuda Amichai

Ne u bëmë bashkë në kohën time, në vendin tënd.
Ti e dhe vendin e unë kohën.
Heshturazi trupi yt priste që stinët të ndërronin.
E modat kalonin mbi të – duke shkurtuar, duke zgjatur,
me lule, apo me mëndafsh të bardhë ngjitur me lëkurën.

I këmbyem vlerat njerëzore me ato të shtazëve,
qetësisht, tigërsisht dhe përgjithnjë.
E me gjithçka, në çdo moment gati të merrnim flakë
bashkë me barin e thatë të fundit të verës.

I ndaja ditët e mia me ty, netët.
Këmbenim shikime me shiun.
Nuk ishim si ëndërrimtarë
as në ëndrrat tona.

Dhe në paqetësi bënë fole të qetët
në kohën time, në vendin tënd.

Ato shumë ëndrrat me ty që tash po ëndërroj
profetizojnë mbarimin tënd me mua –

Si truma të shumëfishta pulëbardhash
që vijnë aty ku merr fund deti.

Si vraga e trupave tanë

In Përkthime, Vjersha on 17 Shtator, 2016 at 13:27

jenecoco

Yehuda Amichai

Si vraga e trupave tanë në rërë
s’do mbetet asnjë shenjë se ishim në këtë vend.
Bota mbyllet pas nesh,
dhe rëra vetëdrejtohet.

Tashmë veçse parashihen datat
kur ti s’do të ekzistosh më
tashmë një erë po i fryn disa re
që s’do të derdhin shi mbi asnjërin nga ne.

Dhe emri yt tashmë është në lista pasagjerësh të anijeve
e në regjistra hotelesh
që edhe veç me emrat e tyre
ta mpakin zemrën.

Tre gjuhët që di,
gjithë ngjyrat që shoh e ëndërroj

asnjëra s’më ndihmon dot.

Në mes të këtij shekulli

In Përkthime, Vjersha on 17 Shtator, 2016 at 11:56
Valentine Hugo - Shpirti i Lulediellit, 1934

Valentine Hugo – Shpirti i Lulediellit, 1934

Yehuda Amichai

Në mes të këtij shekulli u kthyem kah njëri-tjetri
me fytyra të gjysmuara e me sytë e plotë
si piktura të egjiptianëve të moçëm
dhe për një kohë të shkurtër.

Flokët t’i ledhatova
në drejtim të kundërt me udhën që ke marrë.
E thirrëm njëri-tjetrin
sikur të thërrisnim emra qytetesh
ku askush nuk ndalet
ndanë udhës.

Bukuroshe është bota që zgjohet herët mes dreqnisë
bukuroshe është bota që bie në gjumë mës mëkati e mjerimi,
në përzierjen e veteve tona, teje e meje
bukuroshe është bota.

Toka i pi njerëzit dhe dashuritë e tyre
si verën,
të harrojë.
S’mundet.
Dhe porsi konturet e kodrave të Judesë
ne kurrë s’kemi për të gjetur qetësi.

Në mes të këtij shekulli u kthyem kah njëri-tjetri,
pashë trupin tënd, që bënte hije, priste për mua,
rripat e lëkurtë për udhëtime të gjata
tashmë të shtrënguar rreth kraharorit tim.
Unë lavdërova vithet e tua vdekatare
ti lavdërove fytyrën time që po shuhet.

Flokët t’i ledhatova në drejtim të udhës që ke marrë,
ta preka mishin, profet të fundit tënd,
ta preka dorën, që kurrë s’ka fjetur
ta preka gojën, që ndoshta do të këndojë sërish.

Pluhuri i shkretëtirës e mbuloi sofrën
ku ne nuk hëngrëm.
Por me gisht shkrova në të
shkronjat e emrit tënd.

Këshillë për një dashuri të mbarë

In Përkthime, Vjersha on 15 Shtator, 2016 at 15:44
Jindrich Heisler - Pa titull, 1943

Jindrich Heisler – Pa titull, 1943

Yehuda Amichai

Këshillë për një dashuri të mbarë: Mos u dashuro
me ato të largëtat. Gjeji vetes një
prej aty pranë.
Ashtu si një shtëpi e mençur që do të merrte
gurë vendorë për ndërtimin e vet
gurë që i ka ngrirë i njëjti acar
e që i ka djegur i njëjti diell.
Merre atë me kurorë të artë
përreth bebëzës së zezë të syrit, ajo
që i di disa gjëra
për vdekjen tënde. Dashuro edhe brenda
një gërmadhe, ashtu siç do ta nxirrje mjaltin edhe
prej kufomës së luanit që Samsoni vrau.

Dhe një këshillë për një dashuri të ligshtë: Me
dashurinë që të ka mbetur
prej asaj që shkoi
bëj një grua të re për veten tënde
pastaj me atë që mbetet prej asaj gruaje
bëj sërish një grua të re,
dhe vazhdo ashtu
gjersa të mos mbetet më asgjë.

Vonë në jetë

In Përkthime, Vjersha on 14 Shtator, 2016 at 23:54

Julio Gonzalez i Pellicer - Vizatim, 1936

Julio Gonzalez i Pellicer – Vizatim, 1936

Yehuda Amichai

Vonë në jetë mbërrita te ty
i filtruar nëpër shumë dyer
i mpakur nëpër shumë shkallë
gjersa meje s’ish mbetur më thuajse asgjë.

Ti je një grua kaq e zënë në befasi
e që jeton me një gjysmë guximi
një grua e egër që mban syze –
frerët elegantë të syve të tu.

“Sendet kanë dëshirë të humbin dhe
të gjehen sërish prej të tjerëve. Veç
qeniet njerëzore duan të gjejnë vetveten,”
më the.

Paskëtaj e theve fytyrën tënde
në dy profile të njëjta: njërin
për distancën e largme, tjetrin për mua –
si suvenir. E pastaj shkove.

Një qen pas dashurisë

In Përkthime, Vjersha on 14 Shtator, 2016 at 13:31
Giacomo Balla - Dinamizëm i një qeni të lidhur, 1912

Giacomo Balla – Dinamizëm i një qeni të lidhur, 1912

Yehuda Amichai

Pasi më le
E vura një qen të nuhasë
Krahërorin e barkun tim. Do t’i mbushë hundët
dhe do ta nis pas teje të të gjejë.

Shpresoj t’ia shkulë
koqet dashnorit tënd dhe t’ia këpusë karin
ose të paktën
të më sjellë brekët e tua ndër dhëmbë.

Letër

In Përkthime, Vjersha on 14 Shtator, 2016 at 12:41

Alberto Giacometti - Dy figura, 1947

Alberto Giacometti – Dy figura, 1947

Yehuda Amichai

Të ulesh në verandën e një hoteli në Jerusalem
dhe të shkruash: ëmbël kalojnë ditët
prej shkretëtirës deri në det. Dhe të shkruash: Lotët, këtu,
thahen shpejt. Kjo njollë e vogël
është një lot që e ka tretur bojën e shkrimit. Kësisoj
shkruanin njëqind vjet më parë. Kam hequr
një vijë përreth asaj njolle.

Koha kalon – si dikush në një telefon
që qeshet a qan shumë larg prej meje:
çka dëgjoj, nuk e shoh.
çka shoh, nuk e dëgjoj

Nuk u treguam të kujdesshëm kur thamë “vitin që vjen”
apo “një muaj më parë”. Këto fjalë janë si
qelqe të thyera, me të cilat mund të lëndohesh
apo të presësh venat. Ka njerëz që bëjnë gjëra të tilla.

Por ti ishe e bukur si interpretimi
i librave të moçëm.
Tepria e grave në vendin tënd të largët
të solli ty tek unë, por
statistika të tjera të morën
larg prej meje.

Të jetosh është të ndërtosh një anije dhe një port
në të njëjtën kohë. Dhe ta përfundosh portin
shumë kohë pas fundosjes së anijes.

E për ta mbyllur: unë mbaj mend vetëm
se pati mjegull. Dhe cilido
që mban mend vetëm mjegull –
çka vallë mban mend?