Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Amiri Baraka’

Larg në perëndim

In Përkthime, Vjersha on 5 Qershor, 2015 at 16:42
Qilim me motiv gjethesh fieri - Frank Lloyd Wright

Qilim me motiv gjethesh fieri – Frank Lloyd Wright

(për Gary Snyder-in)

 

Një akt aq i thjeshtë

sa hapja e syve. Thjesht

ardhja graduale te gjërat.

 

Mëngjes: një lot është copëtuar

në shkallët e drunjta

të zonjës sime. Dallgë

të blerta. Gjethet. Prekjet

e tyre të vazhdueshme. Si të droguarit

e moçëm në Sheshin Sheridan, me sytë

e ftohtë e të rrumbullt. Është një këngë

që e këndon Nat Cole…Ky qytet

dhe parregullsia e ndërlikuar

e stinëve.

 

I paaftë për të përmendur

diçka aq abstrakte sa koha.

 

Prapë se prapë, (duke u harkuar në tymin

e trashë të temjanit të lirë; me turlifarë

pyetjesh që ta mbushin gojën,

derisa mbytesh dhe bie i vdekur

në qilimin luksoz.) Prapë se prapë,

 

hijet do të bien përmbi kurmin tënd

e do të t’i fshehin çrregullsitë dhe rrenat.

 

Ka ca fierishte të egra e të pabukura

tej dritares

ku fshihen macet. Prej atje

mjaullijnë netëe. Në afsh

duke u gjakosur mbi tulipanët e mi.

 

Këmbana të çelikta, si Sfinksi

i lig, i palarë, që zvarriten në muzg.

Vrasës pleq e të pabij, ndër shekuj

me sy kutërbues.

 

Më kaplon angushtia. Mendoj

për stinët, si shkojnë

si shkoj unë, rinia ime, ëmbëlsia

e arrirë e jetës sime; u shter…

 

Si majmunët makakë;

që qërojnë kokat e njëri-tjetrit

me mizori dinake

duke thithur dhe trutë.

 

S’nevojitet më bukuria

e kolapsuar, me ajër të ndenjur

në të. Pesha rrëgjuese

e ëndrrave të gërryera. Kari

i vjetëruar i Tiresias.

 

Ecën në det, guaskat

të ngecin ndër flokë. Dallgë

të ashpra ta çjerrin gjuhën.

 

Mbyllja e syve. Një

akt aq i thjeshtë. Pluskon përmbi ujë.

 

Amiri Baraka

Reklama

Një realitet i ri është më mirë se një film i ri

In Përkthime, Vjersha on 10 Janar, 2014 at 01:36

barakaMë 9 janar vdiq poeti dhe veprimtari zezak amerikan, Amiri Baraka. Veprat e tij, poezi, drama, kanë përcjellë mërinë e pashpaguar të dhjetra brezave të shtypur e të skllavëruar prej “skllevërish më të bardhë”. Me poezitë e tij ai dëshmoi me hidhërim edhe mllef platitjen e luftës për emancipim e barazi, përmes armëve të reja të shtypësit, instalimit të kulturës së konsumit dhe iluzionit të barazisë që krijon spektakli e përvetësimi kulturor njëkahësh.

Në vjershat e tij ai hap shpeshherë paranteza (kllapa) që rrallë i mbyll. Kështu reflekton historinë e të vetëve, ku shpesh janë hapur hesape, e rrallë janë larë. Urrejtja në këto vjersha është urrejtje racore nga poshtë – lart, është reaksion ndaj atij që përmes imponimit të supremacisë ta determinon inferioritetin. Urrejtja e Amiri Barakës, në fakt është implozion i dëshirës së papërmbushur për barazi. Në analizë të fundit pra, është emancipim, është dashuri!

Një poemë për hipsterët spekullantë

Ai më në fund mbërriti,
në pyllin
e motiveve. Aty s’kishte
as hutë, as gjahtarë. As Connie Chaterley
të shtrira plot me hir
në kokërr të shpinës, pasi ashtu padashka
na prunë socializmin
në Angli.
Vetëm ide,
dhe të kundërtat e tyre.
A thua se ai
vërtet kishte mbërritur
në askund. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »