Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Brecht’

Hetimi i të mirit

In Përkthime, Vjersha on 20 Mars, 2016 at 14:32
Metropolis, 1917 - George Grosz

Metropolis, 1917 – George Grosz

Dil para: kemi dëgjuar

Se ti na qenke njeri i mirë

Se nuk mund të blihesh, por as rrufeja

Që bie mbi shtëpi

Nuk mund të blihet.

Ti nuk e shkelke fjalën që jep.

Por çfarë the?

Na qenke i ndershëm, thua mendimin tënd.

E çfarë mendimi?

Na qenke trim.

Përballë kujt?

Na qenke i zgjuar.

Për kë?

Nuk i marrke parasysh avantazhet e tua personale.

Avantazhet e kujt pra do të marrësh parasysh?

Na qenke mik i mirë.

A je aq mik i mirë për njerëzit e mirë?

Na dëgjo pra: ne e dimë

Ti je hasmi ynë. Prandaj ne tani

Do të të vëmë ballë një muri. Por në konsideratë të meritave dhe cilësive të mira që ke

Do të të vëmë ballë një muri të mirë dhe do të qëllojmë

Me një plumb të mirë nga një pushkë e mirë dhe do të të mbulojmë

Me një lopatë të mirë, në dheun e mirë.

 

Bertolt Brecht

Reklama

Buka e popullit

In Përkthime, Vjersha on 14 Shkurt, 2016 at 17:17
E. Kozlov - Pjekja e bukës, 1967

E. Kozlov – Pjekja e bukës, 1967

Drejtësia është buka e popullit.

Ndonjëherë është e bollshme, ndonjëherë mungon.

Ndonjëherë ka shije të mirë, ndonjëherë shije të keqe.

Kur buka mungon, nis uria.

Kur buka është e keqe, nis mllefi.

 

Hidhe tej drejtësinë e keqe

Të pjekur pa dashuri, gatuar pa dije!

Drejtësi pa aromë, me një kore të murrme

Drejtësia bajate, që vjen tepër vonë!

 

Nëse buka është e mirë dhe e bollshme

Pjesa tjetër e ushqimit mund të mos vihet re.

Askush s’mund të ketë shumë nga të gjitha menjëherë.

Ushqyer me bukën e drejtësisë

Mund të rritet puna

Prej së cilës vjen bollëku.

 

Siç nevojitet buka e përditshme

Ashtu edhe drejtësia.

Madje nevojitet disa herë në ditë.

 

Prej mëngjesit e gjer në mbrëmje, në punë, në gëzim

Në punën që është edhe gëzim

Në kohë të vështira dhe në kohë të lumtura

Populli kërkon të bollshmen, të ushqyeshmen

Bukë të përditshme të drejtësisë.

 

Po meqë buka e drejtësisë pra na qenka kaq e rëndësishme

Kush, o miq, do të duhet ta pjekë?

 

Kush i pjek bukët e tjera?

 

Si bukët e tjera

Buka e drejtësisë duhet të piqet

Nga populli

 

E bollshme, e ushqyeshme, përditë.

 

Bertolt Brecht

Aktorit P.L. në ekzil

In Përkthime, Vjersha on 14 Shkurt, 2016 at 16:22
Peter Lorre

Peter Lorre

Dëgjo, po të thërrasim të vish. Dikur i përzënë

Tash duhet të kthehesh. Në vendin

Jashtë të cilit të nxorën dikur rridhte

Qumështi e mjalti. Tash po thirresh që të kthehesh

Në një vend që është shkatërruar.

Dhe s’kemi asgjë më tepër

Të të japim, veç faktit që ti nevojitesh.

 

I varfër a i pasur

I sëmurë a i shëndoshë

Harro gjithçka

Dhe eja.

 

Bertolt Brecht

Dy poezi amerikane

In Përkthime, Vjersha on 29 Janar, 2016 at 17:19
Alberto Giacometti - Rruga, 1952

Alberto Giacometti – Rruga, 1952

Unë, mbijetuesi

 

E di: sigurisht që është thjesht fat

Që unë kam mbijetuar, ndërkohë që kam humbur kaq shumë miq. Por mbrëmë në një ëndërr

I dëgjova ata miq që thoshin për mua: “Mbijetesë e më të aftit”

Dhe e urreva vetveten.

 

Kur dëgjova se një burrë shteti i madh qenka sëmurë

 

Nëse njeriu i pazëvendësueshëm mrrolet

Dy perandori dridhen.

Nëse njeriu i pazëvendësueshëm vdes

Bota sheh rreth e qark si një nënë që ka mbetur pa qumësht për fëmijën e saj.

Nëse njeriu i pazëvendësueshëm do të kthehej sërish një javë pas vdekjes së tij

Në gjithë këtë vend nuk do të kishte më qoftë dhe një vend pune për të, as si roje i derës.

 

Bertolt Brecht

Epokat e reja  

In Përkthime, Vjersha on 28 Janar, 2016 at 12:17

 

Is my iPhone locked? - Jeanette Hayes

Is my iPhone locked? – Jeanette Hayes

Një epokë e re nuk fillon befasisht

Gjyshi im tashmë jetonte në epokën e re

Nipi im ndoshta ende do të jetojë në të vjetrën.

 

Mishi i ri hahet me pirunjtë e vjetër.

 

Nuk ishin makinat e para

As tanket

As aeroplanët përmbi çati

As bombarduesit

 

Teknologjia e re transmetoi idiotësitë e vjetra.

Dija vazhdoi të përcillej gojarisht.

 

Bertolt Brecht

Kur mendoj për ferrin

In Përkthime, Vjersha on 27 Janar, 2016 at 03:03

 

Archibald J. Motley Jr. - Black Belt, 1934

Archibald J. Motley Jr. – Black Belt, 1934

Kur mendoj për ferrin më kujtohet

Se vëllai im Shelley kujtonte se ky qe një vend

Shumë i ngjashëm me qytetin e Londrës. Unë

Që jetoj në Los Anxheles dhe jo në Londër

Kam kuptuar, duke menduar për ferrin, se prapë se prapë

Duhet të ngjasojë më shumë me Los Anxhelesin.

 

Edhe në ferr

Ka, dhe s’kam dyshim, kopshte të tilla luksoze

Me lule të mëdhaja sa një dru, të cilat sigurisht që vyshken

Atypëraty nëse nuk ujiten me ujë shumë të shtrenjtë. Dhe ka

Tregje pemësh

Me pirgje të mëdha pemësh, edhe pse ato s’kanë

As erë as shije. Dhe varganë të pambarimtë makinash

Më të lehta se vetë hijet e tyre, më të shpejta

Se mendimet çmendurake, vetura të shndritshme në të cilat

Njerëz që duken plot gaz vijnë prej kurrkundit dhe shkojnë

Kurrkund.

Dhe shtëpi, të ndërtuara për njerëz të lumtur, të cilat pra rrinë bosh

Edhe kur dikush banon në to.

 

Shtëpitë në ferr, po ashtu, nuk janë të gjitha të shëmtuara.

Por frika se mund të të flakin në rrugë

I ronit banorët e vilave hiç më pak se

Banorët e barakave në geto.

 

Bertolt Brecht

Pas vdekjes së bashkëpunëtores sime M.S.

In Përkthime, Vjersha on 25 Janar, 2016 at 18:17

Margarete Steffin

Margarete Steffin

I

Në vitin e nëntë të arratisjes nga Hitleri

E lodhur prej udhëtimit

Prej të ftohtit e prej urisë në Finlandën dimërore

Dhe prej të priturit për një pasaportë drejt një kontinenti tjetër

Shoqja jonë Steffin vdiq

Në qytetin e kuq të Moskës.

II

Gjenerali im ra

Ushtari im ra

 

Nxënësi im shkoi

Mësuesi im shkoi

 

Mëndesha ime iku

Foshnja ime iku.

III

Kur erdhi koha që një Vdekje jo e pasjellshme

I rrudhi shpatullat dhe m’i tregoi pesë lobet e dërrmuara të mushkërive të saj

Duke mos mundur ta paramendoj se si do të mund të mbijetonte vetëm me të gjashtin

Unë shpejt e shpejt i mblodha 500 punë

Gjëra që duhen bërë menjëherë, tani, nesër, vitin e ardhshëm

E për shtatë vite rresht nisur nga tash

Nisa të pyes pyetje të pambarimta, por vendimtare

Që s’u jep dot përgjigje tjetërkush veç saj

Dhe kaq e nevojitur

Ajo vdiq më lehtësisht.

IV

Në kujtim të mësueses sime të vogël

Të syve të saj, të xixave të kaltra të mllefit të saj

Dhe palltos së saj prej doku të vjetëruar me kapuçin e madh

E me fundin e gjatë, unë e kisha pagëzuar

Orionin në qiellin e natës si konstelacioni Steffin.

E kur ngre sytë për ta vështruar, duke tundur kokën

Herë herë dëgjoj një kollitje të lehtë.

V

Rrënojë

Aty është kutia e drunjtë ku ende rrinë letrat me shënime për ndërtimin e dramës

Aty janë thikat bavareze, aty është tryeza për të shkruar mbi të

Aty është dërrasa e zezë, aty janë ende maskat

Aty është radioja e vogël, dhe arka ushtarake

Aty është përgjigjja, vetëm se s’është më askush që të bëjë pyetjet

Lart mbi kopsht

Qëndron Konstelacioni Steffin.

VI

Pas vdekjes së bashkëpunëtores sime M.S.

Që kur vdiqe ti, mësuese e vogël

Unë vij vërdallë pa pushim, pa parë gjë

Në një botë të hirtë, i mpirë

Si të isha i papunë, si të mos kisha asgjë për të bërë.

 

S’ka pranim

Në punishten e teatrit për mua, as për

Ndonjë të huaj tjetër.

 

Rrugët dhe kopshtet publike

Tash i shoh në orë të pazakonta, kështu që

Zor se i njoh.

 

Në shtëpi

Nuk mund të shkoj: më vjen turp

Prej të qenit i papunë dhe

Në mjerim.

 

Bertolt Brecht

Mbi vetëvrasjen e refugjatit W.B.  

In Përkthime, Vjersha on 25 Janar, 2016 at 04:25

 

Paul Klee - Shenjti i dritës së brendshme, 1921

Paul Klee – Shenjti i dritës së brendshme, 1921

Më thanë se ti e ngrite dorën ndaj vetvetes

E i paraprive kasapit.

Pas tetë vjetësh në ekzil, duke vëzhguar ngritjen e armikut

Edhe në fund, i shtyrë drejt një kufiri të pakalueshëm

Kapërceve, kështu më thanë, një kufi të kalueshëm.

 

Perandoritë bien. Kryetarë bandash

Krekosen vërdallë si të ishin burra shtetesh. Popujt

Më as që mund të shihen nën gjithë ato armatime.

 

Pra e ardhmja shtrihet në terr dhe forcat e së drejtës

Janë të dobëta. Të gjitha këto i kishe të qarta

Kur shkatërrove një trup të torturueshëm.

 

Bertolt Brecht, 1941

Soneti numër 19

In Përkthime, Vjersha on 25 Janar, 2016 at 02:53
Giorgio de Chirico - Dy maskat, 1926

Giorgio de Chirico – Dy maskat, 1926

Kërkesa ime e vetme: me mua të qëndrosh

Se dua të të dëgjoj, pavarësisht se ç’thua

Në qofsh i shurdhët, më duhen fjalët e tua

Në qofsh belban, më duhesh që t’shikosh

 

Në qofsh i verbër, unë do të të mbaj n’vëzhgim

Ti si ushtar mision e ke të jesh në krahun tim:

Se ende as në gjys’rruge s’jemi në këtë udhëtim

E nata, mbaje mend, ende na ka n’rrethim.

 

Të thuash “lërmë sa të shërohem” nuk arsyetohesh – tash

Të thuash “kudo” (por jo këtu) nuk është arsyetim

Do ketë dikur për ty shërim, por jo lirim prej detyrës – tash.

Ti e di, ai që nevojitet nuk mund të jetë i lirë të shkojë

E ti e di se për ty unë kam kaq urgjentisht nevojë

Po flas si “unë”, dhe pse si “ne” do kish më shumë kuptim.

 

Bertolt Brecht