Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Ekonomia’

Rritje rroge si shpërblim për dekadencën ekonomike

In Artikuj on 23 Korrik, 2012 at 19:46

Our heads are round, so that we change our thoughts – Francis Picabia

Edhe një lajm i mirë për Kosovën e për ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiç. Paga mesatare në Kosovë rritet. Se sa rritet, kjo duhet llogaritur, ama me rëndësi është që rritet.

Ky vend i vogël që qeveriset nga njerëz me intelekt të madh, gjatë 2011 eksportoi rreth 419 mln. dollarë dhe importoi 3.3 mld. dollarë, pra importoi tetëfishin e asaj që eksportoi, po kjo e dhënë faktike nuk ka ndikuar në zhvillimin e Kosovës. Zhvillimi i Kosovës, me vendim qeverie e me konsensus të gjerë të mediave të pushtetit, ka kohë që nuk ndikohet nga faktet.

Zhvillimin natyrisht që nuk e ndal as papunësia që vlerësohet në nivelin e 45%, nuk e ndal as paga mesatare rreth 250 euro (më e ulëta në rajon, së bashku me Shqipërinë).

E meqë zhvillimi, siç u bë tashmë e qartë, nuk ka ndërmend që të ndalet, Kosova vendosi, domethënë Kuvendi vendosi, domethënë Qeveria vendosi, domethënë PDK-ja vendosi, që të rrisë ndjeshëm pagat e shpërblimet në institucionet publike. Domethënë Thaçi vendosi që të vetëshpërblehet e t’ia rrisë vetes me mbi 80% të vlerës. Natyrisht që nuk ia rriti vetëm vetes, ai nuk është egoist, po dhe funksionarëve të tjerë publikë. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Reklama

Kritikë e leximit qëllimisht “mistik” të neoliberalizmit

In Artikuj on 30 Qershor, 2012 at 13:49

Navio de emigrantes, 1939 – Lasar Segall

Në shkrimin e vet “Kritikë ndaj kritikëve të pandershëm të neoliberalizmit” Adri Nurellari ankohet se në Shqipëri e në Kosovë ekonomia dhe politika nuk po ndjek një model kapitalist neoliberal. Ata që Nurellari i quan “socialistë”, e kritikokan këtë sistem në mënyrë të pandershme, duke e kategorizuar paradigmën qeverisëse si liberalizëm e duke ndotur kështu imazhin e mendimit orthodoks liberal, mendim të cilin Nurellari e prozeliton në mënyrë krenare, duke u vetëquajtur një “liberal i pandreqshëm”.

Për të treguar se strukturimi ekonomik në Kosovë e në Shqipëri nuk po ndiqka binarët liberalë Nurellari thërret në lojë Adam Smith-in, një nga baballarët e liberalizmit klasik, një filozof i politikës dhe i moralit që ka shkruar plot dy shekuj më parë, në Britaninë e Madhe. Në leximin që liberali radikal i sotëm i bën babait të liberalizmit vë re, me të drejtë, që strumbullari i filozofisë së Smith-it, ideja fikse e tij, ishte liria – të cilën natyrisht që ai e interpreton si liri të sipërmarrjes, liri të hyrjes në marrëdhënie me forcat e prodhimit. Nurellari shkruan:

“…Smithi nuk nxjerr argumente në favor të interesave të sipërmarrësve borgjezë apo aristokratëve të fuqishëm, por flet për një sistem të mbështetur tek liria, që më së shumti do të ndihmonte të varfrit. Sipas tij, ekonomia e udhëhequr prej dorës së padukshme të tregut, do të bënte të njëjtën shpërndarje të produkteve që ishin të nevojshme për jetën, që do të ishin bërë sikur bota të ishte ndarë në porcione të barabarta mes banorëve dhe në këtë mënyrë pa e patur synim, pa e ditur, avancon interesat e të gjithë shoqërisë.”

Një lexim kaq mistik gjithsesi nuk lë pa evidentuar shqetësimin moral të Smith-it për njeriun, që bazohej tek ajo çka vetë britaniku e quante “simpati humane”. Gjithashtu dalin qartë dy nocione të rëndësishme për filozofinë liberale, “dora e padukshme e tregut”, një lloj deus ex machina që operon në mënyrë mistike (megjithëse jo dhe aq, siç tregojnë studimet e avancuara të ekonomistëve modernë, të cilët Smith-i natyrisht nuk kishte nga t’i njihte) dhe nocioni tjetër qendror bashkë me “lirinë” – “barazia”. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Pengjet e Ferronikelit

In Artikuj on 25 Mars, 2012 at 13:20

Evocation d'une ille, 1870 - Victor Hugo

Më nj’anë konfuzioni gjeopërfytyrues i krijuar prej rrjeteve shoqërore virtuale, m’anë tjetër paaftësia për të lexuar shkallët e hartave, po sjellja e përgjithshme e njerëzve në Prishtinë të lë të mendosh se pakkush e di që Drenasi e impianti masiv i shkrirjes së xeheve është diku më pak se 20 km. larg. Praktikisht është në derë të shtëpisë të çdo prishtinaliu, e po të mos qe për një farë imponimi të politikave “decentralizuese”, Drenasi do të qe thjesht një prej lagjeve të jashtme të Prishtinës.

Rrallëkujt në Prishtinë i bie ndërmend ta vizitojë qytezën, e cila për më tepër gjendet në një tjetër njësi administrative (komuna e Drenasit), e tradicionalisht është pjesë e një tjetër krahine (Drenicës). Për më tepër, Prishtina është kryeqytet, Drenica është zonë rurale, me gjithë qytezat e veta që ndërtohen rreth një gërshetimi të jetës agrare e asaj industriale apo minerare, kryesisht të zhvilluar në kohë të komunizmit jugosllav. Kryeqytetasit katundari i duket distant, pavarësisht largësisë reale. Kundërvënia dialektike mes kryeqytetasit wannabe metropolitan dhe katundarit që jeton në fisin e familjen feudale shfaq dhe sipërfaqje spektakolare e politike. Prishtinaliu shpesh cinik, ironik, nuk angazhohet fizikisht në politikë, veç voton, sepse ka punët e veta. Prishtinaliu e do dhe e përkrah stabilitetin dhe stagnacionin tradicionalist tipik borgjez. Ndërsa drenicaku voton për PDK-në, se ata luftuan, se ata çliruan. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Shoqëri mesjetare me elita postmoderne

In Artikuj on 17 Mars, 2012 at 14:01

Le bal bullier, 1913 - Sonia Delaunay

Është ves i intelektualit që sa herë të hasë gjedhin e ngjashëm në ndonjë tavolinë kafeneje (reale a virtuale) t’ia nisë e të diskutojë për halle të mëdha. Në rendin logjik të konstatimit radhiten njëra pas tjetrës analizat e elitës mençurake, gjithnjë e më shpesh e arsimuar jashtë, e gjithnjë e më pak e lidhur me atë çka ndodh brenda.

Si qëmoti, diskursi mbahet pompoz, i mbushur me pleonazma që rrahin si çekan mbi gozhdët që duhet të ngulen mbi mendjen e tjetrit. Burrat e gratë qesin në tavolinën e tyre argumenta e kundërargumenta e herët a vonë përfundojnë në ngritje të zërit, si për të shtyrë tej çdo hije të vëzhgimit interesant të Leonardos “dove si grida non c’e scienza”. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Industria e Zbrazëtisë (Individualizimi i Arsimit të Lartë)

In Artikuj, Ese on 28 Shkurt, 2012 at 18:27

Në një letër të hapur drejtuar redaktorëve të gazetave franceze në vitin 1979 intelektuali francez Pierre Vidal-Naquet shpreh shqetësimin e tij për lavdet që i thuren veprës Le Testament de Dieu që sapo kish botuar filozofi Bernard Henri-Lévy. Sipas Vidal-Naquet libri i Henri-Lévy përbënte “një inflacionim të kulturës së mendimit kritik, plot me gabime trashanike, amulli konceptesh e kontekstesh, citimesh të rreme apo pohimesh jo-logjike”. Konkluzioni i natyrshëm është që mbështetja institucionale, akademike e mediatike që i jepej kësaj vepre apo veprave të ngjashme (që sipas Vidal-Naquet shfaqnin një injorancë të thellë në temat të cilat trajtonin, qoftë kjo histori antike greke, histori biblike apo histori bashkëkohore) do të bënte që diskursi intelektual ta humbte integritetin e vet e të kthehej në një fenomen pop. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Eksportojmë trupa, importojmë tru

In Artikuj on 27 Shkurt, 2012 at 02:33

Qëllon shpesh që shqiptarët e rinj, shumica e atyre që po jetojnë dekadën e dytë a të tretë të jetës së tyre e gjejnë veten para një dileme shumë të madhe: Të shkojnë jashtë shtetit që të zhvillojnë potencialin e tyre fizik e shpirtëror, që të ndjekin talentet e vokacionet e tyre e që të mbërrijnë një mirëqenie ekonomike; apo të rrinë në atdhe, pranë njerëzve që duan, pranë familjes së tyre, pranë qytetit, apo shoqërisë. Dilemë e dhimbshme kjo, për të ardhmen individuale të sakrifikosh të ardhmen shoqërore. Dilemë që jo rrallë rezulton në vendimin për të braktisur qytetarinë si një projekt i përbashkët, e të shkosh në emigracion për t’u përballur me procese të integrimit individual, apo siç do të quhej në gjuhë sociologjike, procese të tëhuajësimit.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »