Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Fabrizio de Andre’

O mik i brishtë

In Përkthime, Vjersha on 28 Tetor, 2016 at 18:11
Joan Miro - Kali i cirkut, 1927

Joan Miro – Kali i cirkut, 1927

Fabrizio de Andre

Tretur si avull në një re të kuqërremtë
tek një prej shumë honeve të natës

Me një nevojë të atillë për vëmendje e dashuri
të tipit “po më deshe qaj”
sa për të qenë barazim,

Ia vlente t’ju zbavisja në mbrëmjet verore
me atë aq të thjeshtin “më mbahet mend”:

Kur ju vëzhgoja tek merrnit me qera një kile bar
prej fshatarëve pensionistë dhe grave të tyre,

Tek i dhuronit duarplotë oqeanet
dhe të tjera e të tjera dallgë marinarëve në shërbim

Gjersa zbulova një e nga një
vendfshehjet tuaja
pa më ardhur keq që ju pata besuar

Sepse që në llogoren e parë
kam qenë më kureshtar se sa ju
kam qenë shumë më kureshtar se sa ju

Pastaj i habitur prej tuajave “si je”
i mrekulluar prej formulave, jo dhe aq të zakonshme por shumë të ashpra,

Të tipit “si ndihesh mik, o mik i brishtë,
nëse do, mund të kujdesem një orë në muaj për ty”
“Ti e di që dhe unë i kam humbur dy bij”
“Zonjë ju jeni një grua goxha e pavëmendshme.”

Dhe sërish i vrarë prej mirësjelljes suaj
në çastin kur ëndrra ime
balerinë e radhës së dytë
tundte para kushedi se cilës ardhmëri
të tashmen e saj me sisë të mëdha
dhe cezarianin e sapobërë,

Mendova, është bukur që aty ku mbarojnë gishtat e mi
do duhej të merrte fill, disi, një kitarë.

Pastaj i ulur mes lamtumirave tuaja
u ndjeva më pak i lodhur se ju
isha shumë më pak i lodhur se ju.

Mund t’ia pickoja pantallonat së panjohurës
gjersa ta bëja që t’i hapej goja.

Mund t’i kërkoja cilitdo prej bijve të mi
të fliste sërish keq për mua, me zë të lartë.

Mund ta ndërroja kitarën time dhe helmetën e tij
me një kuti druri që thoshte “do të humbasim”.

Mund të pyesja si quhet qeni juaj
se imi ka ca kohë që quhet “Liri”.

Mund të merrja nga një kanibal për çdo ditë
që të më mësonte sa larg isha nga yjet.

Mund të kapërceja litra pas litrash koralet
për të arritur atë vend që do të quhej “Mirupafshim”.

Dhe kurrë as që më ra nëpër mend
të jem më i dehur se ju
të jem shumë më i dehur se ju.

 

Reklama

I marri (apo pas çdo budalle qindron nji katund)

In Përkthime, Vjersha on 8 Prill, 2015 at 01:37

Provo me e pasun nji botë në zemër

Provo se me fjalë ti s’un e shqipton

Ndërsa rrezet e dillit ndajn’sheshin përgjys’

Mes katundit që qeshet

Dhe teje, budallës që shkon…

Madje as errsina rehat nuk të la

Tjerët andërrojn’veten, ti andrra për ta…

 

E kshtu, edhe ti ke shku’ me kërku’

Ca fjalë të sigurta për me u nigu’

Mjafton nji libër historie për me ua rrëmby’ mahninë gjys’ore

Ti lexove enciklopedinë, mësove shum’ store

Lexove q’atë derrin, Majakovskin kusar

Dhe vijove leximet gjersa mbete i marrë.

 

Jetën s’un e dita kurrë borxh kujt ia pata

Ama në çmendinë prapë borxhin e lajta:

Këtu në kodrinë jam mbyllë i mërzitë

Por prapë n’mendimet e mia ka dritë

Këtu në gjys’hije tash unë rri shpik fjalë

Ama prapë përmallohem të shoh diellin të dalë.

 

Dhe eshtnat e mia jetës kanë me iu dhurue

Nër lule e nër bar ato kanë me u blatue.

E jeta ndër zana t’shurdhuem ashtë mbytë

T’atij që e ka hupë budallën e n’kodrinë p’e lyp

T’atij që belbzon n’bajati t’ironisë

Se “nji vdekje e mshirshme e shpëtoi prej marrëzisë”…

 

Fabrizio de Andre

 

Pashë Ninën tek fluturonte

In Përkthime, Vjersha on 26 Mars, 2015 at 12:54

Përtyp dhe pështy

më njërën anë mjalta

përtyp dhe pështy

më tjetrën anë dylli

përtyp dhe pështy

para se të vijë dëbora

 

Dritëz o dritëz e largët

që poshtë yjeve qëndron

cila është vallë dora

që të shuan e të lëshon

 

Pashë Ninën tek fluturonte

tek lëkundej në lisharës

një ditë do ta kap

si flladi kur të merr përmbas

e në e marrtë vesh im atë

duhet ta braktis qytetin

në e marrtë vesh ai

unë duhet të marr detin

 

Përtyp e pështy

më njërën anë mjalta

përtyp e pështy

më tjetrën anë dylli

përtyp e pështy

para se të zërë dëbora

 

Sot erdhi hija

hija që më përqesh

i tregova thikën

dhe maskën time të drunjtë

e në e marrtë vesh im atë

duhet të nis shtegtimin

në e marrtë vesh ai

larg do ta ndal lundrimin

 

Përtyp e pështy

më njërën anë dylli

përtyp e pështy

më anë tjetër mjalta

përtyp e pështy

para se të mbulojë bora

 

Pashë Ninën tek fluturonte

tek lëkundej në lisharës

një ditë do ta marr

si flladi kur të merr përmbas

dritëz, dritëz e largët

një herë shuhesh pastaj ndriçon

cila është ajo dorë

që yjet i dritëron

 

Përtyp e pështy

para se të vijë dëbora

 

FdA

 

Kënga e atit

In Përkthime, Vjersha on 4 Maj, 2014 at 00:24
Tre punëtorë dhe një prostitutë - Renato Guttuso, 1979

Tre punëtorë dhe një prostitutë – Renato Guttuso, 1979

Fabrizio de Andre

 

– Do vërtet t’i lësh syve të tu

vetëm ëndrra që s’të lënë të zgjohesh?

– Po shkëlqesi, po i dua më të mëdha

– Është një vend që e ka lënë yt atë

 

Ti mjafton veç të dalësh mbi urë

shih anijet e tjera që kalojnë

më të voglat drejtoji në lumë

të mëdhatë e dinë vetë ku të shkojnë.

 

Kështu unë u bëra im atë

i vrarë në një ëndërrim të mëparshëm

trupi gjykues pati besim te unë

me të njëjtin vendim, vrasës dhe i pafajshëm.

 

E tash Berti, biri i rrobalarëses

shoku im i shkollës, preferon të mësojë

numërimin mbi antenat e bulkthave

flluskat e sapunit s’i do më të lodrojë;

 

varroste nënën në një varrezë lavatriçesh

të mbështjellë me çarçafë, si heroinë e vërtetë;

ndaloi një çast veç sa për t’i sugjeruar Zotit

që të vazhdojë të shohë punën e vet

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Lutje në janar

In Vjersha on 3 Maj, 2014 at 19:26

tencoFabrizio de Andre

 

Falja të lulëzuar

o Zot atë shteg të ngushtë

kur frymën e shpirtit Ty

e botës edhe lëkurën

do duhet t’ia dorëzojë

kur të Të vijë në qiell

atje ku dhe gjatë ditës

shkëlqejnë yjet si diell.

 

Kur ai të kapërcejë

të fundmen urë të vjetër

të vetëvrarëve do u flasë

do u japë një puthje tjetër

do i thërrasë ta ndjekin

të shkojnë me të në Parriz

se nuk ekziston ferri

në botë të Perëndisë.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »