Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Fanon’

Nacionalizmi dhe Internacionalizmi

In Përkthime on 6 Shtator, 2012 at 20:13

Story Painter – Jacob Lawrence

Joshua Moufawad-Paul

Le t’ia nisim me një tension dialektik: proletariati, duke qenë klasë internacionale, nuk ka komb; në të njëjtën kohë proletariati kudo është i përfshirë në kombe – madje prandaj ekzistojnë kombet. Që të jemi më të saktë, kapitalizmi prodhon një situatë globale në të cilën proletariati ka një destin të përbashkët (pra është një klasë punëtore ndërkombëtare e aftë të bashkohet kundër kapitalizmit ndërkombëtar), por gjithsesi proletariati shfaqet në situata konkrete të kombeve, bile dhe kombeve që parazitojnë mbi kombe të tjera, sepse kapitalizmi global nuk është një shtet botëror por më shumë përngjet me një shumësi shtetesh – disa prej të cilave janë imperialiste, disa janë shtete uzurpatore, disa periferike, e shumë prej tyre kanë disa prej karakteristikave të sipërpërmendura. Kështu që proletariati në njërën anë duhet të lëvizë drejt një pozicioni të bashkimit me të ngjashmit e tij anembanë, por nga ana tjetër nuk mundet t’i shpëtojë faktit se ekziston i kornizuar në rrethana tepër konkrete. Në këtë situatë rruga e një lëvizjeje revolucionare nuk mundet thjesht të ndjekë diktatet e një tjetër lëvizjeje; se po të ndodhë kështu njerëzit që jetojnë në një komb, do mund të gjendeshin të shtypur, madje edhe nga punëtorët e kombit tjetër.

Pamundësia për ta zgjidhur këtë tension i ka çuar disa komunistë në gabime të mëdha: nga një anë nëse fokusohesh shumë te fakti që proletariati është një klasë ndërkombëtare që ndonjëherë ekziston jashtë historisë dhe nuk është zhvilluar prej rrethanave partikulare, konkrete, mund të përfundosh në shovinizëm kolonial; e nga ana tjetër nëse përqendrohesh shumë te dallimet dhe te ideja që popujt në vende të ndryshme nuk kanë asgjë të përbashkët dhe që secila situatë duhet të trajtohet si komplekse dhe unike, rrezikon të përfundosh në kulturalizëm kombëtar. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Reklama