Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Guttuso’

Vajtimi i ekskavatorit II

In Përkthime, Vjersha on 21 Qershor, 2015 at 02:03
Renato Guttuso - Tetti di Palermo, 1985

Renato Guttuso – Tetti di Palermo, 1985

(Këtu gjindet pjesa e parë)

 

I varfër, si maçokët e Koloseut

jetoja në një lagje gjithë gëlqere

e pluhur, larg prej qytetit

 

edhe prej fshatit, shtrënguar përditë

në një autobus gumëzhitës

dhe çdo vajtje, çdo kthim

 

ishte një kalvar djerse edhe ankthesh.

Ecje të gjata nëpër zhegun e lagësht,

mbrëmje të gjata para kartave të lojës

 

mbledhur në tavolinë, nëpër rrugë plot baltë

mure të vegjël, shtëpiza të lyera me gëlqere

pa porta, me tenda në vendin e dyerve…

 

Kalojnë shitësi i ullinjve dhe rrobashitësi,

duke ardhur prej ndonjë tjetër mëhalle,

me mallin e pluhurosur që ngjante

 

si të qe i vjedhur, dhe me fytyrën mizore

të të rinjve të plakur mes veseve

të atij që ka një nënë të ashpër e të uritur.

 

I përtërirë prej botës së re,

i lirë – një përskuqje, një frymë

që nuk di t’ia them, realitetit

 

që i ulët e i ndyrë, konfuz dhe i pafund

gëlonte në periferinë jugore

jepte një ndjenjë aq të qetë devotshmërie.

 

Një shpirt në mua, që nuk ish veç i imi

një shpirt i vockël në atë botë të pakufi

rritej, ushqyer prej galdimit

 

të kujt dashuronte, dhe nëse s’dashurohej.

Dhe gjithçka përndritej kësaj dashurie.

Ndoshta ende djalosh, heroikisht,

 

por i pjekur prej përvojës

që lindte në këmbët e historisë.

Isha në qendër të botës, në atë botë

 

mëhallash të trishta, beduine,

lëndinash verdhacuke të lëmuara

prej një ere që jo kurrë nuk gjen paqe

 

qoftë kur vjen nga deti i nxehtë i Fiumiçinos

apo nga katundet, ku tretej

qyteti mes getosh; në mënyrë të tillë

 

që të mund të shquhej vetëm

spektri kuadrat e i verdhemë

në mjegullën verdhacuke

 

shpuar nga një mijë fije të njëjta

dritaresh me hekura, Burgu

mes fushash të moçme e shtëpish të përgjumura.

 

Kartona dhe pluhur që i verbët

flladi i çon sa andej këndej

zërat e mjerë pa jehonë

 

të grave të ardhura prej maleve

Sabine, prej Adriatikut dhe të ngulura

këtu, tashmë me truma

 

çunakësh të fortë e të shkuar dëm

sherrxhinj, veshur me kanotiera të grisura

me pantallona të përhimta e të djegura

 

diej afrikanë, shira të rrebeshtë

që sillnin dallgë balte

rrugë, autobusë në stacionin e fundit

 

të parkuar në qoshen e tyre

mes një rripi të fundit të barit të bardhë

dhe ndonjë bërllogu acid kutërbues…

 

ishte qendra e botës, siç ishte

në qendër të rrëfimit dashuria ime

për të: dhe në këtë

 

rritje, që për të qenë duke lindur

ishte ende dashuri, gjithçka ishte

në mbërje drejt qartësisë – ishte,

 

e qartë! Ajo lagje e zhveshur ballë erës

as romane, as jugore,

as punëtore, ishte jeta

 

në dritën e saj më aktuale:

jeta, dhe drita e jetës, e plotë

në kaosin që ende s’ish bërë proletar,

 

siç do e dëshironte gazeta e ashpër

e celulës, rrotullimi

i fundit i cilindrit të shtypshkronjës: asht

 

i ekzistencës së përditshme,

të dlirë, për të qenë madje tepër

e afërt, absolute për të qenë

 

madje tepër, mjerisht, njerëzore.

 

Pier Paolo Pasolini

Reklama

Vajtimi i ekskavatorit – I

In Përkthime, Vjersha on 15 Prill, 2015 at 15:14
Çatitë e Romës, 1942, Renato Guttuso.

Çatitë e Romës, 1942, Renato Guttuso.

Veç dashuria, veç njohja

ka rëndësi, jo të kesh dashur

jo të kesh njohur. Shkakton angushti

 

të jetuarit e një dashurie

të konsumuar. Shpirti nuk rritet më.

Ja në nxehtësinë e magjepsur

 

të natës që tashmë e plotë këtu

mes lakadredhave të lumit dhe pamjeve

të përgjumura të qytetit stërpikur dritash,

 

ende me copëzat prej mijëra jetësh

mosdashurish, misteri e mizerje

të ndjenjave, m’i armiqësojnë

 

format e botës që gjer dje

ishin arsyeja për të cilën ekzistoja.

I mërzitur, i lodhur, rikthehem në shtëpi përmes

 

sheshesh të zeza të tregjeve, rrugësh

të trishta rreth portit në lumë

përmes barakave dhe magazinave që përzihen

 

me lëndinat e fundit. Atje vdekatare

është heshtja: por më poshtë, te rruga Marconi

në stacionin Trastevere shfaqet

 

sërish e ëmbël mbrëmja. Në lagjet e tyre

në borgatat e tyre, kthehen mbi motorë

të vegjël – me veshje sportive apo me rrobat

 

e punës, por të shtyrë nga një afsh festiv

të rinjtë, me nga një shok pas,

të qeshur, të pistë. Klientët e fundit

 

llafosen në këmbë me zëra

të lartë natën, aty këtu, nëpër tryezat

e lokaleve ende të ndriçuar e gjysmë të zbrazët.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »