Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Individualizmi’

Shënime mbi Kronikën e Zezë

In Artikuj on 22 Gusht, 2012 at 16:56

Einsamer Grosstadler, 1932 – Herbert Bayer

Arbër Zaimi

Një babë vret vajzën. Dikush, diku tjetër vret një fëmijë për gjakmarrje, e për dhjetë ditë gjaku shuan edhe gjashtë jetë të tjera. Dikush hedh foshnjën e sapolindur nga materniteti, dikush vret nënën në sy të fëmijëve për të vjedhur varësen, dikush vret ish-punëtorin e nxehur se ka mbetur pa punë, pastaj vret dhe veten, e pastaj ia copëtojnë kufomën në shenjë shpagimi… Shumëkush rreh, bërtet, vjedh e vidhet, vret e vritet. Kronika e zezë po shndërrohet në një sport ku Shqipëria po shënon rekordet e veta, e ku duket se po garon suksesshëm edhe në nivele ndërkombëtare. Në muajt e fundit kam dëgjuar për më shumë raste krimesh të rënda, vrasjesh, dhunimesh e vetëvrasjesh (s’po i fus në një thes, po meqë janë në të njëjtën faqe gazete), sa kurrë ndonjëherë në jetën time – e unë gazetat i lexoj rregullisht.

S’jam i vetmi që e kam ndjerë duhmën që ka pllakosur, përkundrazi. Reagime ka plot, në media, në rrjete sociale, në tryeza shtëpish e kafenesh. Ato variojnë që prej qëndrimeve religjioze, që thërrasin për një rikthim në zot e në fe, e gjer te qëndrimet konservative borgjeze, që thërrasin për më shumë ndëshkim e për rikthim të dënimit me vdekje. Opozitarët nuk mënojnë t’ia hedhin fajin qeverisë, shkaku i papunësisë e i varërisë, e qeveria ia hedh fajin depresionit global e pjesërisht edhe opozitës, e cila pengon ecurinë e dogmës politike të kohës, integrimit evropian. Psikologët thirren në media e lëshojnë fjali klishe, jo “shthurja e familjes”, jo “lëvizjet demografike”, jo “stresi ekonomik” e të tilla sende. Qëndrime ka aq sa ka edhe njerëz, e ndoshta te të gjitha gjen arsye, diku përzier me mllef, diku me pamundësinë për të hapur syte, diku me cinizmin, diku me melankolinë e diku me mosbesimin… Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Reklama

We, the jokers

In Artikuj, Ese on 2 Prill, 2012 at 00:03

Circo equestre, 1927 - Antonio Donghi

Është epika e pinjollit të një familjeje krenare e plot vlera, të një familjeje aristokratike të sërës së lartë. Është epika e pinjollit më të vogël të kësaj familjeje me histori të rëndësishme, miti i një foshnje që lind në një qytet ku jeta s’është e lehtë. Mes kaosit, ankthit, stresit, dekadencës urbane dhe errësirës frenetike ky djalë, që i vogël pëson një goditje në shpirt, aty ku dhemb zemra. Legjendë moderne, qytetare, fëmija i vogël që sheh me sytë e tij se si ca kriminelë ordinerë i vrasin pa mëshirë prindërit. Prindërit që i do aq shumë, sidomos të atin doktor, të pasur, të pushtetshëm e të respektuar, të cilin gjithmonë do ta marrë si model në jetën e në bëmat e tij. Bëma që, falë përshtatjes me vlerat e përgjithshme, shumë shpejt do ta shndërrojnë në një nga pop-simbolet më të rëndësishëm të kohës së sotme. Historia shkon paralelisht me ndërtimin e ciklit të bëmave epike, vetëm se në këtë poemë moderne që zhvillohet në faqet e librave me vizatime, apo nëpër ekrane kinemash sistemi tipik binar i “të mirës dhe i të keqes” nuk përfaqësohet nga perënditë, por nga personazhet.

Ambienti ku zhvillohet karakteri heroik i së mirës është i ndryshëm në cdo kulturë, dhe ashtu si Herakliu rritet si bari, mes natyrës e punëve të rëndomta, duke u bërë njeri më i pranueshëm për helenët e lashtë, heroi ynë rritet mes gjithë të mirave, si trashëgimtar i një perandorie gjigande financiare, që të bëhet më i venerueshëm sipas vlerave e frymës që imponon shoqëria aktuale. Por sikleti në zemër nuk e lë të qetë këtë hero, ai ka një motiv, ka hak për të marrë ndaj padrejtësisë kriminale që bënë disa njerëz të këqinj. Bruce Wayne vendos të kthejë drejtësinë. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »