Arber Zaimi

Posts Tagged ‘kitsch’

Pamundësia për të ëndërruar (kundër hegjemonisë)

In Artikuj on 17 Shtator, 2012 at 23:46

The strength of the curve, 1930 – Tullio Crali

Ndërsa zhvillimi teknologjik ka bërë që mass-media, përcjellësi që lidh botët e brendshme të kujtdo me shumëkënd të evoluojë prej shtypshkrimit te fotografia bardh-e-zi, e më pas te ajo me ngjyra, pastaj te zëri nëpër radio, pamja në lëvizje (video), e gjer te tre dimensionet që mund t’i shohim në kinema – me aftësinë tonë për të ëndërruar ka ngjarë e kundërta. Dikur ëndërrat duket se kishin më shumë ngjyra, më shumë dinamikë e i qaseshin më tepër realitetit, ndërsa sot duket se ëndërrohen ëndërra të printuara në seri, si bartëse të një propagande të hapur, të thjeshtë e naïve, sepse të pandërgjegjshme. Duket sikur jemi në gjendje të ëndërrojmë vetëm kitsch, për të përdorur një këndvështrim interesant që dikur Walter Benjamin ua hodhi shoqërive të përparuara teknologjikisht.

Sot, kur një ideologji fondamentaliste e tregut dominon gjithë globin, ndërkohë që besohet pa skepticizëm e dyshim në “një dorë të padukshme”, ndërsa nuk hezitojmë t’i japim gjithçkaje një vlerë këmbimi (gjer edhe pasionit, idealit, besimit, besnikërisë, dijes, miqësisë e solidaritetit) ëndrrat e individit dhe të shoqërisë duken të tredhura. Janë kryesisht ëndrra hedonistësh konsumistë, që duan të kenë pará, duan të kenë njerëz nën hyqëm, të kenë prona materiale si shtëpitë a makinat, jomateriale si statusi social (ofiqet shkencore), apo njerëzore (të kenë në dispozicion partnerët më sexy, më fit, më fun dhe më smart që ofron tregu).

Kjo paaftësi për të ëndërruar nuk përjetohet fshehurazi e me turp, përkundrazi përbën një vlerë të trupëzueshme, për të cilën mund edhe të mburresh publikisht. Gjer edhe ata që duhet t’i japin shkëndijën nistore ëndrrave, pra të përkundërtit e aktualitetit – opozitarët, edhe ata gjenden po aq të gëlltitur në veshtullinë e përgjithshme (nuk e kam fjalën për afaristët apo pronarët, sepse nuk jam as i pari as i fundit që e them, po secili afarist e secili pronar është pushteti, e në thelb e ka të pamundur të jetë opozitar). Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Reklama