Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Kompromisi’

Që çlirimi të mos jetë një formë e re pushtimi

In Artikuj on 30 Shtator, 2012 at 15:52

Njërin prej filmave të saj më kontroversialë, “La pelle”, Liliana Cavani e mbyll me një skenë të pështirë. Një banor i Napolit feston çlirimin e Italisë nga aleatët amerikanë pas Luftës së Dytë Botërore. Me të birin në krah e me një flamur kuqebardhë me shumë yje ai i afrohet tankeve i ekzaltuar, bashkë me turmën me gra e burra që falënderojnë çliruesin që i dha fund luftës. Tanket ecin ngadalë e hijerëndë. Një bjonde ngjitet sipër një tanku, puthet me ushtarët. Burri del para tankut me fëmijë në krahë, dhe valëvit flamurin amerikan i ngazëllyer. Befas pengohet, bie – dhe aty Liliana Cavani nuk heziton fare me kumtin pamor – zinxhiri i tankut e shkel, kafka i plas në mënyrë eksplicite, truri bëhet përshesh bashkë me zorrët e me të brendshmet. Mbeten të paprekura gjymtyrët, në të dyja anët e zinxhirit. Turma tronditet, ulërimat nisin, dhe njerëzit vrapojnë të pështirosur, ndërsa Marcello Mastroianni, në rolin e një kapiteni të mbetur nga ushtria perandorake italiane, përpiqet të marrë situatën në dorë.

Nejse. Me fillimin e fushatës elektorale, si pa të keq, lexoj nëpër media e dëgjoj nëpër emisione televizive të artikulohet si alternativë për “çlirimin” e vendit nga “shkatërrimi përfundimtar” një aleancë të mundshme të Edi Ramës me Ilir Metën. Arsyetimi është vetëshprehës dhe vetëpërmbushës – përderisa qëllimi i vetëm është të shkojë Berisha dhe kasta e tij – çdo mjet vlen. Duket se në PS deri diku ky propozim është rehatuar, dhe të rrallë janë zërat që kundërshtojnë fort këtë strategji, prezantuar si e domosdoshme; se s’ke ç’i bën; se politika i ka këto; se kompromisi është çmimi që duhet paguar për zgjidhjen; se as mua s’më pëlqen po si thua ti, të mbajmë Berishën; se edhe ti që kritikon kot bën moral, ça kujton se je… Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Reklama

Teshtimë prej kokëpalari

In Artikuj, Ese, Uncategorized on 31 Gusht, 2012 at 15:08

Arbër Zaimi

Family (A Child Shall Lead Them), 1932 – George Grosz

Ftohma njeriun e kap me kollë e me teshtima, e këto janë të bezdisshme, të zhurmshme, mund t’ia ngjisin virusin të tjerëve, ndaj kërkush s’ka qejf të rrijë gjatë me kë teshtin a kollitet. I sëmuri, fillimisht synon ta zgjidhë problemin me vetveten. Për të mos vënë në siklet të tjerët, ja rri në shtëpi e izolohet, ja përpiqet ta zbusë kollën me ndonjë shurup a çaj të nxehtë, ndërsa teshtimat i mbyt duke zhytur hundët në shami e duke bërë lloj-lloj marifetesh (duke mbajtur frymën, duke pickuar majën e hundës e të tjera gjëra qesharake, si këto).

Mirëpo historia (magistra vitae) rrëfen faktin imponues, që teshtimat e kollitjet kanë vazhduar, pavarësisht marifeteve e shurupeve. Afërmendsh, nuk mjaftojnë hiletë për ta ndaluar përgjigjen reflektive të organizmit ndaj shqetësimeve të brendshme, në këtë rast viruseve që shkaktojnë të flamosurën ftohmë. Duhet tjetër zgjidhje.

Një zgjidhje qesharake do të qe receta e tiranit, një dikush arrogant që synon të shmangë menjëherë bezdinë. E tillë zgjidhje do të qe psh. lëshimi i një urdhri për të ndaluar me dhunë kollën e teshtimat, apo për t’i kërcënuar, rrahur e përzënë autorët e këtyre gjesteve bezdisëse. Po sot zor se gjen njerëz kaq të trashë e të pasjellshëm (apo ndoshta gjen?) sa të lëshojnë të tillë urdhra, e sërish kjo nuk e ndalon as kollën e as teshtimën. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Serbia heq makiazhin

In Artikuj on 21 Maj, 2012 at 16:14

Serbia heq makiazhin

The Mask with the Little Flag, 1925 – Paul Klee

Të vetmit që u habitën për fitoren e Tomisllav Nikoliçit në zgjedhjet presidenciale të Serbisë ishin europianistët paternalizues të Brukselit, këta babaxhanë që kujdesen kaq shumë për mbarëvajtjen e marrëdhënieve mes popujve të Ballkanit. Në sytë e tyre ballkanasit janë ende fëmijë, e fëmijët janë të paditur, të paformuar, me një subjektivitet të mangët.

Mirëpo habia e baballarëve europianë me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale serbe nuk zgjati shumë. Në fund të fundit ata kanë vendosur t’ia njohin Serbisë statusin e fëmijës të preferuar, atij fëmije që edhe kur e bën “llum”, shpëton vetëm me ndonjë heqje veshi e pas ca orësh veç ia rinisin me lazdrime, karamele e çokollata.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Terma të zbrazët

In Artikuj on 24 Prill, 2012 at 17:03

Trompe l'Oeil of Newspapers, Letters and Writing Implements
on a Wooden Board, 1699 - Edward Collier

Mes fjalorit politik përveç banaliteteve, kërcënimeve odontojatrike (t’i thyej dhëmbët unë e m’i thyen dhëmbët ti), metaforave futbollistike (topin ia kaluan ndërkombëtarëve, topi në fushën e opozitës, mbrojtja më e mirë – sulmi, duhet lojë ekipore, etj.), poezive e bejteve, shpalljeve pasionale të dashurive e të urrejtjeve jetëgjata sa “flutura e majit” gjenden të shpërndara tek-tuk, si tip stolie që përdoret kur do “me u duk” ekspert dhe ca koncepte politike, ekonomike e sociale, të cilat po të përdoreshin me vend do të lejonin një analizim të asaj çka thuhet sot dhe një parashikim të asaj çka do të jetë nesër.

Bëhet fjalë për nocione e norma principale të politikës, siç mund të jenë “demokracia”, “komunizmi”, “liria e fjalës”, “shkollimi për të gjithë”, “mbështetja e artit”, “pavarësia e universiteteve”, “hapja e dosjeve”, “reforma në drejtësi”, “interesi kombëtar”, “transparenca”, “zgjedhjet e lira e të ndershme” e shumë klishe të tjera që përdoren për të bombarduar emocionalisht dëgjuesin sipas qëllimeve të përdoruesit, për ta zbutur, zbythur a hedhur në revoltë. Natyrisht që pakkush prej politikanëve që i përdorin këto klishe po të pyetet më gjatë mbi kuptimin e tyre e ka ndonjë shpjegim më të thellë, pasi termat kryesisht paraqiten si koncepte të mirënjohura e të pranuara (mbi të cilat ngrihet mirëqenia dhe begatia që karakterizon këto njëzet vjet në Shqipëri!). Ca prej këtyre shprehjeve qëllimkëqija shfaqen rrallë, ca të tjera shfaqen më shpesh. Në këtë shkrim synoj të analizoj shkurt (dhe disi përciptazi) katër prej klisheve më të përdorura nga të gjitha palët në këto 20 vjet “demokraci”, klishe që do të meritonin një ekspozim më të gjatë e më ngulmues, për të treguar se sa të pasinqertë, se sa shpirtvegjël e mbi të gjitha sa të trashë janë ata që vijojnë t’i përdorin. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »