Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Marcuse’

Totalitarizëm Reloaded

In Artikuj, Ese on 1 Maj, 2012 at 20:20

Green Coca-Cola bottles, 1962 - Andy Warhol

Kur flitet për totalitarizëm në skenat mediatike, shpeshherë llomotitet në mjegull, pa patur parasysh atë çka në të vërtetë e bën një shtet totalitar, madje pa patur parasysh as karakteristikat që e dallojnë shtetin totalitar nga shteti demokratik. Po t’i referohemi teoricienëve të filozofisë politike, e sidomos Walter Benjamin-it dhe Herbert Marcuse-s që janë marrë gjerësisht e në detaj me analizimin e marrëdhënieve të dominimit në shtetet totalitare, sistemet total-autoritare karakterizohen kryesisht prej mbështetjes në një botëvështrim të vetëm (ndalimit të të tjerëve), dhe prej kontrollit të çdo sfere shoqërore dhe individuale, duke filluar nga familja, marrëdhëniet e punës, jeta qytetare, e deri tek krijimtaria artistike apo shkencore – gjithçka në një shtet totalitar duhet të jetë konform ideologjisë, duhet të realizohet brenda koncepteve të saj dhe duhet t’i shërbejë asaj. Por nuk kam ndërmend të trajtoj skolastikisht totalitarizmin në këtë shkrim, se kam përshtypjen që memorjet e shqiptarëve janë ende të freskëta: mbahet mend shtypja e mendimit ndryshe (sado i zbehtë dhe i mefshët të ishte ky mendim); mbahet mend varfëria që propagandohej si vlerë heroike në shërbim të kombit; mbahet mend mirë arti apo media që u kthye në një mjet trushpëlarës në dorë të ideologjisë; mbahet mend dënimi i diversantit, i disidentit e i kulakut; mbahet mend edhe ndarja e kastës së sipërme të nomenklaturës prej realitetit popullor, një ndarje fyese për dinjitetin e shumëkujt që kish luftuar e kish punuar për një jetë dinjitoze e për një shoqëri të drejtë. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Reklama

Agresiviteti në Shoqëritë e Përparuara Industriale

In Ese, Përkthime on 6 Prill, 2012 at 16:48

La città che sale, 1910 - Umberto Boccioni

Këtu propozoj të konsiderohet stresi dhe shqetësimi në të ashtuquajturat “shoqëri të bollëkut”, frazë që (me a pa të drejtë) është krijuar për të përshkruar shoqërinë bashkëkohore amerikane. Karakteristikat e saj janë: (1) kapacitet i bollshëm industrial dhe teknik që në masën më të madhe përdoret për të prodhuar e shpërndarë mallra luksoze, aksesorë, kotësira, sende me skadim të paramenduar, pajisje ushtarake apo gjysëm-ushtarake – shkurt, ato që sociologët dhe ekonomistët i quajnë të mira e shërbime “joproduktive”; (2) një standart jetese në rritje, që prek madje dhe pjesë të popullatës që më parë kanë qenë të paprivilegjuara; (3) një sasi e lartë e përqendrimit të pushtetit ekonomik dhe politik që kombinohet me një sasi të lartë të planifikimit dhe të ndërhyrjes qeveritare në ekonomi; (4) hetimi, kontrolli dhe manipulimi shkencor apo pseudoshkencor i sjelljeve të individit dhe të grupit, si gjatë punës ashtu dhe gjatë kohës së lirë (duke përfshirë sjelljen e psikës, shpirtit, të pandërgjegjshmes dhe të nënndërgjegjshmes) për qëllime tregtare dhe politike. Të gjitha këto tendenca janë të ndërlidhura: ato formojnë sindromën që shpreh funksionimin normal në një “shoqëri të bollëkut”. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Skizo-Tirana, një qytet konfliktual

In Artikuj on 8 Mars, 2012 at 12:16

Sem Título, 1957 - Carlos Botelho

Ekziston Tirana, e njëkohësisht ekziston tirana, dy qytete krejtësisht të ndryshme, që gjeografikisht ngrihen saktësisht mbi të njëjtin vend. Banorët e njërit qytet janë trajnuar e indoktrinuar që të mos i shohin dot kurrë banorët e tjetrit, e anasjelltas. Thyerja e këtij rregulli, ndodh shumë rrallë, e në u zbuloftë, ndëshkohet.

Metafora është e huazuar nga një libër të China Mieville-it, i lexuar më herët, por të cilin ma solli ndërmend ky pasazh në një tekst të Mustafa Nanos: [K]a dy botë në Shqipërinë e sotme; ka dy botë, të cilat, jo vetëm nuk komunikojnë, por edhe janë shumë larg njëra-tjetrës. (Është një hendek i frikshëm mes palëve) Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Eksportojmë trupa, importojmë tru

In Artikuj on 27 Shkurt, 2012 at 02:33

Qëllon shpesh që shqiptarët e rinj, shumica e atyre që po jetojnë dekadën e dytë a të tretë të jetës së tyre e gjejnë veten para një dileme shumë të madhe: Të shkojnë jashtë shtetit që të zhvillojnë potencialin e tyre fizik e shpirtëror, që të ndjekin talentet e vokacionet e tyre e që të mbërrijnë një mirëqenie ekonomike; apo të rrinë në atdhe, pranë njerëzve që duan, pranë familjes së tyre, pranë qytetit, apo shoqërisë. Dilemë e dhimbshme kjo, për të ardhmen individuale të sakrifikosh të ardhmen shoqërore. Dilemë që jo rrallë rezulton në vendimin për të braktisur qytetarinë si një projekt i përbashkët, e të shkosh në emigracion për t’u përballur me procese të integrimit individual, apo siç do të quhej në gjuhë sociologjike, procese të tëhuajësimit.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »