Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Media’

Pamundësia për të ëndërruar (kundër hegjemonisë)

In Artikuj on 17 Shtator, 2012 at 23:46

The strength of the curve, 1930 – Tullio Crali

Ndërsa zhvillimi teknologjik ka bërë që mass-media, përcjellësi që lidh botët e brendshme të kujtdo me shumëkënd të evoluojë prej shtypshkrimit te fotografia bardh-e-zi, e më pas te ajo me ngjyra, pastaj te zëri nëpër radio, pamja në lëvizje (video), e gjer te tre dimensionet që mund t’i shohim në kinema – me aftësinë tonë për të ëndërruar ka ngjarë e kundërta. Dikur ëndërrat duket se kishin më shumë ngjyra, më shumë dinamikë e i qaseshin më tepër realitetit, ndërsa sot duket se ëndërrohen ëndërra të printuara në seri, si bartëse të një propagande të hapur, të thjeshtë e naïve, sepse të pandërgjegjshme. Duket sikur jemi në gjendje të ëndërrojmë vetëm kitsch, për të përdorur një këndvështrim interesant që dikur Walter Benjamin ua hodhi shoqërive të përparuara teknologjikisht.

Sot, kur një ideologji fondamentaliste e tregut dominon gjithë globin, ndërkohë që besohet pa skepticizëm e dyshim në “një dorë të padukshme”, ndërsa nuk hezitojmë t’i japim gjithçkaje një vlerë këmbimi (gjer edhe pasionit, idealit, besimit, besnikërisë, dijes, miqësisë e solidaritetit) ëndrrat e individit dhe të shoqërisë duken të tredhura. Janë kryesisht ëndrra hedonistësh konsumistë, që duan të kenë pará, duan të kenë njerëz nën hyqëm, të kenë prona materiale si shtëpitë a makinat, jomateriale si statusi social (ofiqet shkencore), apo njerëzore (të kenë në dispozicion partnerët më sexy, më fit, më fun dhe më smart që ofron tregu).

Kjo paaftësi për të ëndërruar nuk përjetohet fshehurazi e me turp, përkundrazi përbën një vlerë të trupëzueshme, për të cilën mund edhe të mburresh publikisht. Gjer edhe ata që duhet t’i japin shkëndijën nistore ëndrrave, pra të përkundërtit e aktualitetit – opozitarët, edhe ata gjenden po aq të gëlltitur në veshtullinë e përgjithshme (nuk e kam fjalën për afaristët apo pronarët, sepse nuk jam as i pari as i fundit që e them, po secili afarist e secili pronar është pushteti, e në thelb e ka të pamundur të jetë opozitar). Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Reklama

“Letra” e amerikanit

In Artikuj on 12 Shtator, 2012 at 18:05

Coca-Cola Santa, 1944 – Haddon Sundblom

Letra e ambasadorit amerikan për “Shekullin”, ku me demek ndërprikësh marrëdhëniet deri në një vendim tjetër, i shtohet groteskut elektoral të ditëve të fundit. Por nuk i shtohet si diçka thelbësisht e re, përkundrazi, ky eveniment është thjesht budallallëku i radhës në këtë estradë të stërzgjatur e të pakuptimtë që me dashamirësi po e quajmë “skenë politike shqiptare”.

Të të njëjtit nivel kanë qenë dhe reagimet ndaj “Letrës”, por sidomos mosreagimet. Ç’ka ndodhur? Edhe pse, si shqiptar i mirë që jam e di që duhet të tregohem i matur e i pjekur kah shkruaj, si shqiptar i mirë duhet të bëj çmos që të shmang përmendjen e të qenit shqiptar, e të flas sa më shumë për sende pa lidhje, të tërholl bisedën, të hyj në sofistikimet më të kota e të mos dal kurrë në thelb (se ashtu e do puna, se bota është e padrejtë, se s’ka gjësend tjetër veç realpolitikës, se mirë e kam po kështu s’bëhet, se nuk do gjej dot punë, se ne jetojmë prej Amerikës, se ata na çliruan Kosovën) – unë kam vendosur që në këtë shkrim të veproj ndryshe.

Meqenëse “Shkenca e komunikimit” na mëson se nuk qenkërkemi, por thjesht u dukërkemi, nuk e paskërkemi seriozisht, po thjesht lodrokërkemi, unë në rolin e parë të student kurajoz po marr përsipër që në këtë shkrim të luaj rolin e dytë e të padëshiruar të shqiptarit të keq. Domethënë, të shqiptarit që nuk e vret mendjen hiç për “shkencën e komunikimit”, të shqiptarit që përbuz lajle-lulet dhe lajkat ndaj “më të fortit”, të shqiptarit që beson se ndryshimi është i mundshëm, që angazhohet tek ky ndryshim, tek dashuria për të vërtetën, tek fjala, dhe tek qenia që del përsipër saj. Për arsye aspak “deontologjike” marr përsipër të them të vërtetën, ashtu siç, moti e kemi parë të gjithë tek ndodh. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Shënime mbi Kronikën e Zezë

In Artikuj on 22 Gusht, 2012 at 16:56

Einsamer Grosstadler, 1932 – Herbert Bayer

Arbër Zaimi

Një babë vret vajzën. Dikush, diku tjetër vret një fëmijë për gjakmarrje, e për dhjetë ditë gjaku shuan edhe gjashtë jetë të tjera. Dikush hedh foshnjën e sapolindur nga materniteti, dikush vret nënën në sy të fëmijëve për të vjedhur varësen, dikush vret ish-punëtorin e nxehur se ka mbetur pa punë, pastaj vret dhe veten, e pastaj ia copëtojnë kufomën në shenjë shpagimi… Shumëkush rreh, bërtet, vjedh e vidhet, vret e vritet. Kronika e zezë po shndërrohet në një sport ku Shqipëria po shënon rekordet e veta, e ku duket se po garon suksesshëm edhe në nivele ndërkombëtare. Në muajt e fundit kam dëgjuar për më shumë raste krimesh të rënda, vrasjesh, dhunimesh e vetëvrasjesh (s’po i fus në një thes, po meqë janë në të njëjtën faqe gazete), sa kurrë ndonjëherë në jetën time – e unë gazetat i lexoj rregullisht.

S’jam i vetmi që e kam ndjerë duhmën që ka pllakosur, përkundrazi. Reagime ka plot, në media, në rrjete sociale, në tryeza shtëpish e kafenesh. Ato variojnë që prej qëndrimeve religjioze, që thërrasin për një rikthim në zot e në fe, e gjer te qëndrimet konservative borgjeze, që thërrasin për më shumë ndëshkim e për rikthim të dënimit me vdekje. Opozitarët nuk mënojnë t’ia hedhin fajin qeverisë, shkaku i papunësisë e i varërisë, e qeveria ia hedh fajin depresionit global e pjesërisht edhe opozitës, e cila pengon ecurinë e dogmës politike të kohës, integrimit evropian. Psikologët thirren në media e lëshojnë fjali klishe, jo “shthurja e familjes”, jo “lëvizjet demografike”, jo “stresi ekonomik” e të tilla sende. Qëndrime ka aq sa ka edhe njerëz, e ndoshta te të gjitha gjen arsye, diku përzier me mllef, diku me pamundësinë për të hapur syte, diku me cinizmin, diku me melankolinë e diku me mosbesimin… Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Djali dhe vajza e pasanikut

In Artikuj on 5 Korrik, 2012 at 18:50

Bildnis der Journalistin Sylvia von Harden, 1926 – Otto Dix

Çdo ditë shkoj të fitoj bukën e gojës

Në pazarin ku shesin gënjeshtra

Do zoti

Dhe gjej një vend nga an’e shitësve

Bertolt Brecht – Hollywood

U ula të shkruaj me ide të qartë në kokë, një analizë për privatizimin e çuditshëm të llotarisë kombëtare në Tiranë, si dhe për privatizimin e rrjetit të distribucionit të energjisë elektrike në Kosovë, dy fenomene të papranueshme nga cilado normë politike e ekonomike, dy privatizime të monopoleve publike që si pasojë do të sjellin të dyja zgjerim të hendekut a honit që ndan shqiptarët e pasur nga ata që nuk kanë kohë të dinë se janë të varfër. Mora do raporte e do shifra, do shënime prej ekonomistëve që lexoj, e bash kur hyra në internet për t’u konsultuar me gazetat për dy privatizimet respektive, më dalin përpara dy lajme, të dyja të botuara në gazeta tepër serioze të nivelit udhëheqës sa i përket shitjeve (meqë kemi vendosur që kush shet – udhëheq).

Lajmi i parë, që të mos zgjatem, vdekja e një tjetër minatori në galeritë e minierave ilegale në Bulqizë. Revolta tashmë është rreshkur, është bërë trishtim. Ngjet si fatkeqësi, edhe pse është veç krim, drejtpërdrejti krim. Lajmi i dytë, po në këtë gazetë udhëheqëse, kish të bënte me pushimet e djalit të pronarit të gazetës, një farë rioshi që në fotografinë e vendosur online, shullëhej nën diellin e plazhit në Ibiza. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Turboshow, mjet i pushtetit

In Artikuj on 29 Shkurt, 2012 at 13:35

Në një artikull të Vukša Velickovic (Qejfet mëkatare të Serbisë – Kush ka frikë nga turbo), botuar prej Institutit të Shkencave Humane – Vienë, më ra në sy një rrëfim anekdotik për një ngjarje që paskësh ndodhur në fillim të viteve 1990 në Beograd, ndërkohë që Jugosllavinë e kishin mbërthyer shkulmet e luftërave dhe pasionet nacionaliste: në një talk show televiziv ishte ftuar ultra-nacionalisti Vojislav Šešelj, ndërkohë që pranë tij qe e ftuar ylli i turbofolkut, Dragana Mirkovic. Emisioni të tillë e kishte formatin, ftonte në të njëjtin log politikanë e vip nga bota e spektaklit duke i bërë të flisnin nga pak për gjithçka me një lloj lehtësie, apo siç i thonë ndryshe, një lloj “sportiviteti” që pritej mirë me sa duket edhe nga publiku. Në atë pjesë të emisionit Seselj tregon një nga ato barsaletat brutale e lapërdhare që tregohen nëpër ballkan, kësaj radhe me mënyrën se si plumbat ia “zbukurojnë” kafkën e një kroati. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »