Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Nabokov’

Të klithësh ujku, ujku

In Përkthime, Vjersha on 17 Dhjetor, 2017 at 02:16

Samuel Bookatz – Fantazi, 1960

Vladimir Nabokov

Letërsia nuk lindi atë ditë kur një djalë që klithte ujku, ujku vraponte nëpër luginën Neandertal i ndjekur këmba këmbës nga një ujk i madh i murrmë: letërsia lindi atë ditë kur një djalë vraponte duke piskatur ujku, ujku pa patur ujk pas tij. Që djaloshi i shkretë, për shkak që mashtronte shpesh, në fund u hëngër prej një bishe të vërtetë, kjo është thjesht rastësore. Ama dëgjoni çka është e rëndësishme. Mes ujkut ndër shkurret e dendura dhe ujkut në rrëfimin e dendur ka një hendek rrëzëllitës. Ai hendek, ai prizëm që thyen dritën është arti i letërsisë.

Letërsia është krijim. Trilli është trill. Ta quash një tregim histori të vërtetë është ta fyesh edhe artin edhe të vërtetën. Çdo shkrimtar i madh është mashtrues i madh, por e tillë është edhe krye-hileqarja, Natyra. Natyra gjithnjë mashtron. Prej rrenës së thjeshtë të shumimit e deri tek iluzioni gjenial e i sofistikuar i ngjyrave mbrojtëse tek krahët e fluturave e zogjve, ekziston në Natyrë një sistem i mrekullueshëm magjish e hilesh.

Shkruesi i letërsisë ndjek udhën e Natyrës.

Të kthehemi për një çast te vogëlushi ynë leshator që brit ujku, ujku nëpër korije, mund ta themi edhe kështu: magjia e artit rri tek hija e ujkut që ai trilloi, tek ujku i ëndrrës së tij; e më vonë historia e hileve të tij prodhoi një tregim të mirë.

E kur në fund ai ra pré, rrëfimi i tregimit për të prodhoi një mësim të mirë për t’u dëgjuar në terr, rreth zjarrit fushor. Por ai ishte magjistari i vogël. Ai ishte krijuesi.

 

Përktheu Arbër Zaimi

Advertisements