Arber Zaimi

Posts Tagged ‘neoliberalizmi’

Pamundësia për të ëndërruar (kundër hegjemonisë)

In Artikuj on 17 Shtator, 2012 at 23:46

The strength of the curve, 1930 – Tullio Crali

Ndërsa zhvillimi teknologjik ka bërë që mass-media, përcjellësi që lidh botët e brendshme të kujtdo me shumëkënd të evoluojë prej shtypshkrimit te fotografia bardh-e-zi, e më pas te ajo me ngjyra, pastaj te zëri nëpër radio, pamja në lëvizje (video), e gjer te tre dimensionet që mund t’i shohim në kinema – me aftësinë tonë për të ëndërruar ka ngjarë e kundërta. Dikur ëndërrat duket se kishin më shumë ngjyra, më shumë dinamikë e i qaseshin më tepër realitetit, ndërsa sot duket se ëndërrohen ëndërra të printuara në seri, si bartëse të një propagande të hapur, të thjeshtë e naïve, sepse të pandërgjegjshme. Duket sikur jemi në gjendje të ëndërrojmë vetëm kitsch, për të përdorur një këndvështrim interesant që dikur Walter Benjamin ua hodhi shoqërive të përparuara teknologjikisht.

Sot, kur një ideologji fondamentaliste e tregut dominon gjithë globin, ndërkohë që besohet pa skepticizëm e dyshim në “një dorë të padukshme”, ndërsa nuk hezitojmë t’i japim gjithçkaje një vlerë këmbimi (gjer edhe pasionit, idealit, besimit, besnikërisë, dijes, miqësisë e solidaritetit) ëndrrat e individit dhe të shoqërisë duken të tredhura. Janë kryesisht ëndrra hedonistësh konsumistë, që duan të kenë pará, duan të kenë njerëz nën hyqëm, të kenë prona materiale si shtëpitë a makinat, jomateriale si statusi social (ofiqet shkencore), apo njerëzore (të kenë në dispozicion partnerët më sexy, më fit, më fun dhe më smart që ofron tregu).

Kjo paaftësi për të ëndërruar nuk përjetohet fshehurazi e me turp, përkundrazi përbën një vlerë të trupëzueshme, për të cilën mund edhe të mburresh publikisht. Gjer edhe ata që duhet t’i japin shkëndijën nistore ëndrrave, pra të përkundërtit e aktualitetit – opozitarët, edhe ata gjenden po aq të gëlltitur në veshtullinë e përgjithshme (nuk e kam fjalën për afaristët apo pronarët, sepse nuk jam as i pari as i fundit që e them, po secili afarist e secili pronar është pushteti, e në thelb e ka të pamundur të jetë opozitar). Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Transporti publik: Lëngata që solli total-privatizimi

In Artikuj on 4 Shtator, 2012 at 12:41

Sardines, 1955 – Michael Goldberg

Ndërsa gjetiu publikja dhe alternativat e saj po diskutohen tepër seriozisht, në politikë e jo vetëm, në Shqipëri retorika paraelektorale e thuajse cilitdo ende ekzalton individualizmin, privatësinë dhe konkurencën. Po në u shkëputshim për një çast prej debateve shkenciste të furnizuara nga utopia ekonomike neoliberale e në i kthefshim sytë nga e përditshmja, ndoshta frika prej së përbashkëtës zvogëlohet e zbutet karshi nevojës gjithnjë e më të madhe që kemi për të.

Sipas doracakëve të fondamentalistëve të tregut, po edhe sipas “pulitikave” të bëra nga pushteti qendror e lokal në Shqipëri prej 2000 e këtej, në një sistem të tillë (market stalinism po e quajnë së fundi në perëndim, ndërsa te ne demokraci) logjika duhet të jetë kjo: mjafton që shteti të krijojë rrjetin, se atë e mbush me limfë vitale privati, i pandalshëm në zgjerimin e tij sasior e cilësor. Po a është kështu? Le të marrim një shembull, një prej sektorëve që ka kaluar thuajse tërësisht në dorë të privatëve, infrastrukturën e transportit. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Kritikë e leximit qëllimisht “mistik” të neoliberalizmit

In Artikuj on 30 Qershor, 2012 at 13:49

Navio de emigrantes, 1939 – Lasar Segall

Në shkrimin e vet “Kritikë ndaj kritikëve të pandershëm të neoliberalizmit” Adri Nurellari ankohet se në Shqipëri e në Kosovë ekonomia dhe politika nuk po ndjek një model kapitalist neoliberal. Ata që Nurellari i quan “socialistë”, e kritikokan këtë sistem në mënyrë të pandershme, duke e kategorizuar paradigmën qeverisëse si liberalizëm e duke ndotur kështu imazhin e mendimit orthodoks liberal, mendim të cilin Nurellari e prozeliton në mënyrë krenare, duke u vetëquajtur një “liberal i pandreqshëm”.

Për të treguar se strukturimi ekonomik në Kosovë e në Shqipëri nuk po ndiqka binarët liberalë Nurellari thërret në lojë Adam Smith-in, një nga baballarët e liberalizmit klasik, një filozof i politikës dhe i moralit që ka shkruar plot dy shekuj më parë, në Britaninë e Madhe. Në leximin që liberali radikal i sotëm i bën babait të liberalizmit vë re, me të drejtë, që strumbullari i filozofisë së Smith-it, ideja fikse e tij, ishte liria – të cilën natyrisht që ai e interpreton si liri të sipërmarrjes, liri të hyrjes në marrëdhënie me forcat e prodhimit. Nurellari shkruan:

“…Smithi nuk nxjerr argumente në favor të interesave të sipërmarrësve borgjezë apo aristokratëve të fuqishëm, por flet për një sistem të mbështetur tek liria, që më së shumti do të ndihmonte të varfrit. Sipas tij, ekonomia e udhëhequr prej dorës së padukshme të tregut, do të bënte të njëjtën shpërndarje të produkteve që ishin të nevojshme për jetën, që do të ishin bërë sikur bota të ishte ndarë në porcione të barabarta mes banorëve dhe në këtë mënyrë pa e patur synim, pa e ditur, avancon interesat e të gjithë shoqërisë.”

Një lexim kaq mistik gjithsesi nuk lë pa evidentuar shqetësimin moral të Smith-it për njeriun, që bazohej tek ajo çka vetë britaniku e quante “simpati humane”. Gjithashtu dalin qartë dy nocione të rëndësishme për filozofinë liberale, “dora e padukshme e tregut”, një lloj deus ex machina që operon në mënyrë mistike (megjithëse jo dhe aq, siç tregojnë studimet e avancuara të ekonomistëve modernë, të cilët Smith-i natyrisht nuk kishte nga t’i njihte) dhe nocioni tjetër qendror bashkë me “lirinë” – “barazia”. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Pengjet e Ferronikelit

In Artikuj on 25 Mars, 2012 at 13:20

Evocation d'une ille, 1870 - Victor Hugo

Më nj’anë konfuzioni gjeopërfytyrues i krijuar prej rrjeteve shoqërore virtuale, m’anë tjetër paaftësia për të lexuar shkallët e hartave, po sjellja e përgjithshme e njerëzve në Prishtinë të lë të mendosh se pakkush e di që Drenasi e impianti masiv i shkrirjes së xeheve është diku më pak se 20 km. larg. Praktikisht është në derë të shtëpisë të çdo prishtinaliu, e po të mos qe për një farë imponimi të politikave “decentralizuese”, Drenasi do të qe thjesht një prej lagjeve të jashtme të Prishtinës.

Rrallëkujt në Prishtinë i bie ndërmend ta vizitojë qytezën, e cila për më tepër gjendet në një tjetër njësi administrative (komuna e Drenasit), e tradicionalisht është pjesë e një tjetër krahine (Drenicës). Për më tepër, Prishtina është kryeqytet, Drenica është zonë rurale, me gjithë qytezat e veta që ndërtohen rreth një gërshetimi të jetës agrare e asaj industriale apo minerare, kryesisht të zhvilluar në kohë të komunizmit jugosllav. Kryeqytetasit katundari i duket distant, pavarësisht largësisë reale. Kundërvënia dialektike mes kryeqytetasit wannabe metropolitan dhe katundarit që jeton në fisin e familjen feudale shfaq dhe sipërfaqje spektakolare e politike. Prishtinaliu shpesh cinik, ironik, nuk angazhohet fizikisht në politikë, veç voton, sepse ka punët e veta. Prishtinaliu e do dhe e përkrah stabilitetin dhe stagnacionin tradicionalist tipik borgjez. Ndërsa drenicaku voton për PDK-në, se ata luftuan, se ata çliruan. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Shoqëri mesjetare me elita postmoderne

In Artikuj on 17 Mars, 2012 at 14:01

Le bal bullier, 1913 - Sonia Delaunay

Është ves i intelektualit që sa herë të hasë gjedhin e ngjashëm në ndonjë tavolinë kafeneje (reale a virtuale) t’ia nisë e të diskutojë për halle të mëdha. Në rendin logjik të konstatimit radhiten njëra pas tjetrës analizat e elitës mençurake, gjithnjë e më shpesh e arsimuar jashtë, e gjithnjë e më pak e lidhur me atë çka ndodh brenda.

Si qëmoti, diskursi mbahet pompoz, i mbushur me pleonazma që rrahin si çekan mbi gozhdët që duhet të ngulen mbi mendjen e tjetrit. Burrat e gratë qesin në tavolinën e tyre argumenta e kundërargumenta e herët a vonë përfundojnë në ngritje të zërit, si për të shtyrë tej çdo hije të vëzhgimit interesant të Leonardos “dove si grida non c’e scienza”. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Paragjykimi ndaj Prometheut

In Artikuj, Ese, Përkthime on 2 Mars, 2012 at 11:37

Ndërsa ende jehojnë grahmat e fundit të kërcënimeve të neoliberalizmit, ndërkohë që na kërkohet të përshtatemi me rrobën e ashpër të asketizmës ekonomike, është me vlerë që të reflektohet nëse përvojat e nxjerra prej këtyre dekadave të fundit përmbajnë në vetvete lëndën e parë që duhet për të bërë opozitë efektive.

Qoftë në rastin kur të sunduarit mendojnë për mendimet e sunduesve, qoftë në rastin kur sunduesit përkthejnë mendimet e të sunduarve, një karakteristikë e përbashkët e rivalitetit diskursiv është shfaqja e një lloj parapëlqimi midis ideologjive pro apo anti-sistem. Kjo s’na habit, për sa kohë që format e marrëdhënieve shoqërore i kemi të ri-kodifikuara në teoritë që janë në dispozicion. Pasi u shpall e vdekur epoka e ekstremeve, rendi spontan aq i adhuruar nga marketistët e zellshëm e gjeti kundërshtarin e vet te rezistencat laramane e shumëformëshe të cilat lavdërohen prej atyre që mendojnë se ndryshimit nuk ka pse t’i prijë tranzicioni, dmth. për të arritur ndryshimin, nuk ka nevojë për ndërmjetësim nga pushteti e nga shteti. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Industria e Zbrazëtisë (Individualizimi i Arsimit të Lartë)

In Artikuj, Ese on 28 Shkurt, 2012 at 18:27

Në një letër të hapur drejtuar redaktorëve të gazetave franceze në vitin 1979 intelektuali francez Pierre Vidal-Naquet shpreh shqetësimin e tij për lavdet që i thuren veprës Le Testament de Dieu që sapo kish botuar filozofi Bernard Henri-Lévy. Sipas Vidal-Naquet libri i Henri-Lévy përbënte “një inflacionim të kulturës së mendimit kritik, plot me gabime trashanike, amulli konceptesh e kontekstesh, citimesh të rreme apo pohimesh jo-logjike”. Konkluzioni i natyrshëm është që mbështetja institucionale, akademike e mediatike që i jepej kësaj vepre apo veprave të ngjashme (që sipas Vidal-Naquet shfaqnin një injorancë të thellë në temat të cilat trajtonin, qoftë kjo histori antike greke, histori biblike apo histori bashkëkohore) do të bënte që diskursi intelektual ta humbte integritetin e vet e të kthehej në një fenomen pop. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »