Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Neruda’

Po i sqaroj ca gjëra

In Përkthime, Vjersha on 19 Shkurt, 2017 at 18:03
Max Ernst - Oedipus Rex, 1922

Max Ernst – Oedipus Rex, 1922

Pablo Neruda

Keni për të pyetur: po ku janë zymbylat?
Ku është metafizika petal-lulëkuqtë?
Ku shiu që pandalshëm i stërpikte
Fjalët dhe i mbushte ato plot
Të çara e plot harabelë?

Kam për t’ju treguar gjithë ç’ka bërë vaki!

Unë jetoja në një lagje
Një lagje të Madridit, me këmbana
Me sahate, me pemë.

Prej aty mund ta shihje
Fytyrën e thatë të Kastijës
Një oqean i lëkurtë.
Shtëpia ime quhej
Shtëpia e luleve, sepse prej çdo skute
Mbinin barbarozë: ishte
Një shtëpi e bukur
E atypari luanin do qen edhe fëmijë.
Raul, të
Mbahet mend?
Të mbahet mend Rafael?
Federiko, a të kujtohet?
Si dukeshin prej sokakut
Ballkonet e mi prej nga
Drita e qershorit rrëzonte një shi lulesh mbi gojët tuaja?
Vëlla,
Vëlla!
Gjithçka
Ishin zërat e lartë, kripa e pazarit
Grumbujt e bukës taze të nxehtë
Dyqanet e lagjes sime Arguelles me
Një statujë
Si një njollë boje mes një vorbulle peshqish:
Si vaji që mbush lugët,
Një rrapëtimë e zhurmshme
Këmbësh e duarsh i mbushte rrugët,
Metra, litra, matje
E mprehtë e jetës,
Si peshqit në konservë,
Kulmet e shtëpive me diellin e ftohtë në të cilin
Dështon çdo parashikim i motit,
Mermer elegant patatesh të çmendura,
Dhe domate, domate prej këtu e deri në det.

Dhe një mëngjes gjithçka nisi të kallej flakë
Dhe një mëngjes zjarret
Dolën prej nëntokës
Për të ngrënë njerëz,
E prej asaj kohe zjarr,
Barut, ç’prej asaj kohe,
Prej asaj kohe gjak.
Banditë me aeroplanë, këmishëzinj,
Banditë me unaza të shtrenjta e me gra dukesha,
Banditë me priftërinj të zinj që shpërndajnë bekime
Erdhën prej qiellit për të vrarë fëmijë,
Dhe nëpër rrugë gjaku i fëmijëve
Rridhte i thjeshtë, si gjak fëminor.

Çakej që do i përbuzte çdo çakall
Gurë që edhe therra e thatë po t’i kafshonte do t’i pështynte
Gjarpinj që edhe gjarpri do t’i urrente!

Përballë jush kam parë gjakun
E Spanjës të ngrihej
Për t’ju përmbytur në një dallgë të vetme
Krenarie e thikash!

Gjeneralë
Tradhtarë:
Shiheni shtëpinë time të vdekur
Shiheni Spanjën e prishur:
Por prej çdo shtëpie të vdekur lind metal i shkrirë
Në vend të luleve,
Por prej çdo gërmadhe të Spanjës
Lind Spanja,
Por prej çdo të riu të vrarë lind një pushkë me dy sy,
Por prej çdo krimi lindin plumba
Që do t’jua gjejnë një ditë dhe juve loçkën
E zemrës.

Dhe ju do të pyesni se pse poezia e këtij
Nuk na flet për ëndrrat, dhe për gjethet,
Apo për bjeshkët e larta të vendit të tij?

Ejani dhe shihni gjakun në rrugë,
Ejani dhe shihni
Gjakun në rrugë,
Ejani dhe shihni gjakun
Në rrugë!

Reklama