Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Oksidentalizmi’

Dubluesi Polak

In Artikuj on 19 Korrik, 2012 at 17:52

Fenomeno, 1962 – Remedios Varo

A e mban mend kush se në fillim të viteve ’90, nën frenezinë e asaj që Ardian Vehbiu ka zgjedhur ta quajë emancipim prej kryemetaforës së rrethimit, në Shqipërinë e mbushur me antena satelitore jo rrallëherë qëllonte të ndiqje ndonjë kanal polak. Përmes saçave high-tech­ shqiptarët lidheshin në një farë solidariteti me ca bashkëvuajtës të imagjinuar, të të njëjtit kamp dikur, me të njëjtat ëndrra perëndimore sot.

Me sa duket kanalet polake piratonin filma (kanalet shqiptare filluan të piratojnë pas ’97, kur edhe filloi të lulëzojë ky lloj tregu). Prandaj jepnin filma më të mirë se sa kanalet e rregullta perëndimore, po këtë gjë asokohe nuk e kuptonte kush, e as në xhep s’i hynte kujt. Se ne perëndimin e donim me çdo kusht, qoftë ky dhe i vjedhur, i kontrabanduar a i falsifikuar. Dhe nuk donim ndonjë perëndim dosido, por bash atë që kishim ëndërruar, i cili do të na shtrinte dorën e do të na përqafonte në gjirin e vet, si djelm plangprishës që ishim. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Reklama

Eksportojmë trupa, importojmë tru

In Artikuj on 27 Shkurt, 2012 at 02:33

Qëllon shpesh që shqiptarët e rinj, shumica e atyre që po jetojnë dekadën e dytë a të tretë të jetës së tyre e gjejnë veten para një dileme shumë të madhe: Të shkojnë jashtë shtetit që të zhvillojnë potencialin e tyre fizik e shpirtëror, që të ndjekin talentet e vokacionet e tyre e që të mbërrijnë një mirëqenie ekonomike; apo të rrinë në atdhe, pranë njerëzve që duan, pranë familjes së tyre, pranë qytetit, apo shoqërisë. Dilemë e dhimbshme kjo, për të ardhmen individuale të sakrifikosh të ardhmen shoqërore. Dilemë që jo rrallë rezulton në vendimin për të braktisur qytetarinë si një projekt i përbashkët, e të shkosh në emigracion për t’u përballur me procese të integrimit individual, apo siç do të quhej në gjuhë sociologjike, procese të tëhuajësimit.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

“Parajsa” që e quajmë Evropë

In Artikuj, Ese on 27 Shkurt, 2012 at 02:07

Ideologjia e dedikimit ndaj BE, si shuarje e mohim i subjektit plural (popullit politik)

Ideologjia perëndimoro-evropianiste, dominimi i opinionit publik e politik prej premtimeve të pambarimta të politikanëve të të gjitha palëve, në Shqipëri ka marrë përmasa të stërmëdha. Disidenca e kritika ndaj kësaj ideologjie nuk pritet mirë, përkundrazi, përbuzet e kundërshtohet haptazi, duke të kujtuar në një farë mënyre hegjemoninë e një tjetër ideologjie, asaj para ’91. Por nëse totalitarizmi i shkuar u shfaq si një tragjedi, ky i dyti – për të kujtuar parashikimin e Hegelit – shfaqet si farsë. Duket komike të shohësh se si në pluralizmin e shumëpritur palët kritikojnë njëra-tjetrën se kush është më në përputhje me udhëzimet e BE-së apo të miqve tanë perëndimorë. Politikanët garojnë me dekorata që shpallen në progres-raporte, dhe kritikojnë njëri-tjetrin po me ato progres-raporte. Ministrat mburren për kontribute konstruktive kombëtare në strukturat ndërkombëtare. Me pak fjalë, janë të gjithë në të njëjtën rrugë, ecin në të njëjtin drejtim, i shërbejnë qëllimit të njëjtë, dhe akuzojnë njëri-tjetrin për sabotazh, apo për ngadalësim të procesit. Dhe këtë e quajnë pluralizëm… Gjithçka merr formën e melodramës dhe anon nga komikja, nëse mban parasysh psh. diskutimin që zhvillohet aktualisht në BE, apo rëndësinë që paraqet Shqipëria për vetë BE-në. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »