Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Pasolini’

Vargje për Merilin Monronë

In Përkthime, Vjersha on 11 Prill, 2018 at 23:30

Hans Gustav Burkhardt – Enderr dashurie, 1969

Pierpaolo Pasolini

Prej botës së vjetër e prej botës së re
Kish mbetur veç bukuria, dhe ti
E mjera motërz miturake
Që rend pas vëllezërve më të mëdhenj
Dhe qesh e qan me ta, për t’i imituar,
Ti, motërza më e vogël
Atë bukuri e mbaje veshur me aq përulësi
Dhe shpirti yt prej bije të vegjëlisë
Kurrë nuk e diti se e mbaje veshur
Përndryshe s’do të ish bukuri.

Por bota ta mësoi
Kështu që bukuria jote u bë e botës
Prej së frikshmes botë të vjetër, prej së frikshmes botë të re
Kishte mbetur vetëm bukuria, dhe ti
E more me vete, siç merret një buzëqeshje e bindur.
Bindja lyp shumë lotë të gëlltitur,
T’i jepesh të tjerëve, shumë shikime gazmore
Që kërkojnë mëshirën e vet! Kështu pra
E more me vete bukurinë tënde.

U zhduk si një dromcë pluhur ari.

Prej idiotes botë të vjetër
Dhe prej së pamëshirshmes botë të re
Kishte mbetur një bukuri që nuk turpërohej
Të tregonte gjinjtë e veckël të motërzës
Barkun e vockël, aq lehtësisht të zhveshur.
Pikërisht prandaj ajo qe bukuri, e njëjta
Që kanë vajzat e ëmbla të botës tënde…
Vajzat e tregtarëve
Fituese konkursesh bukurie në Majemi a Londër.

U zhduk si një pëllumbeshë e artë.

Bota ta mësoi
Ndaj bukuria jote nuk ishte më bukuri.
Por ti vazhdove të ishe fëmijë
E papjekur, si lashtësia, mizore si e ardhmja
E mes teje e bukurisë tënde të pronësuar prej Pushtetit
U vendos gjithë idiotësia dhe mizoria e së tashmes.
E mbaje gjithnjë me vete, siç mbahet një buzëqeshje ndër lotë,
E paturp prej përtesës, e pafytyrë, prej bindjes.

U zhduk si një pëllumbeshë e bardhë, e artë.

Bukuria jote e mbijetuar e botës së vjetër
E kërkuar prej botës së ardhme, e pronësuar
Prej botës së tashme, u bë sëmundje vdekjeprurëse.

Tashti vëllezërit e mëdhenj më në fund kthejnë fytyrën
I ndalin për një çast lojërat e tyre të nëmura
Dalin prej shpërqendrimit të tyre të palodhshëm
Dhe pyesin: “A është e mundshme vallë që Merilina
E vockla Merilinë, të na ketë rrëfyer udhën?”

Tani je ti
Ajo që s’vlen më hiç, e mjera, me buzëqeshjen e saj
Je ti e para përtej dyerve të botës
Së braktisur në fatin e saj vdekatar.

 

Përktheu Arbër Zaimi

Advertisements

PROJEKT VEPRASH TË ARDHSHME

In Përkthime, Vjersha on 12 Mars, 2017 at 01:56

James F. Walker – Enigma e përsëritur e Hagarës

Pier Paolo Pasolini

Edhe sot, në trupësinë melankolike
ku kombi po punon që të formojë një Qeveri,
dhe Qendra e Majtë gjuhëtarëve të brishtë ua përgjak

organet normative – dimri
ngjyen me dritë të errët gjërat e largme
e thuajse i ndez, me vjollcë e të blertë, të afërmet, në një jashtësi

të humbur në fund të epokave italiane…
me tokat kaltëroshe të Pieros që gurgullojnë me kaltërsinë
e pathënshme të lengadokut… me rreptësinë

e Origjinave oksitane… që këtu, në zgjatimet e trasha
të Qendrave sqimatare, bëhen të blerta e vjollcë,
prej baltës, dhe ngjyrë qielli, limonash e trëndafilash… sy Federikësh

me gjysmën e zemrës në kërkim të bajameve shkëmbore ku
bie dritë Arabie, e gjysmën tjetër në ndonjë humnerë
të stolisur me perla mjegulle: me Alpet e largme, marrëzisht të reja…

Çmendem! Kam gjithë jetën që rrekem
ta shpreh këtë pështirosje prej Hulumtimeve
– që i dëgjoja prej fëmijërisë, mbi lumin Taljamento,

apo mbi lumin Po, pak më afër rrënjëve – duke kërkuar
izoglosat e mia – zakonisht të shurdhëta
ndaj çdo privates, fëminores, së paqartës

parashprehi, kudo që zemra gjendet e zhveshur.
Por unë – duke besuar se diçka para se të vdes
përpjekjet e mia do ta çojnë tek gjyqtarët –

në periudhën kur italishtja është duke vdekur
e tretur prej anglosaksonishtes apo rusishtes,
kthehem, i zhveshur, pikërisht, dhe i çmendur, tek i blerti prill,

tek i blerti prill i së folmes së shkëlqyeshme
(që kurrë s’qe, kurrë s’qe!) italishtja veriore…
tek Verderbnisi frako-venecian, luks

i popullatave të lëna nën kulm, pas dore…
tek i blerti prill – me modernitetin
e Izraelit si një ulcer në shpirt –

ku unë Hebre i fyer prej mëshirës,
gjej një freski mizore prej çiraku,
në punët e gjysmës tjetër (të përzishme)

të jetës… ribëhem katolik, nacionalist
romanik, në hulumtimet e mia për “BLASFEMI”
ose “HYJNOREN MIMESIS” – dhe, ah mistikja

filologji! në ditët e korrjeve
galdoj siç galdohet kur mbjell,
me entuziazmin që vepron me përzierje lëndësh

të papërzieshme, magma pa amalgamë, kur
jeta është limon apo trëndafil prilli.
Mut! Të përpiqesh të shpjegosh se si shkojnë

gjërat e gjuhës, pa futur në të
synime politike! bashkim
gjuhësor pa arsyetim interesash

të ulëta, pa pandjeshmërinë
e një klase që nuk di asgjë mbi përzgjedhjen
zhargonistike-letrare! Profesorë të karit,

neo ose paleo patriotë, kokë bole
në gjithë këtë shkencë, që prej shekullit XII deri në shekullin XIV
shohin vetëm tekste në funksion

të teksteve të tjera… Mjaft: o i verbër
o i dashuri im! Do të të mësoj të bësh hulumtime
transgjuhësore, një teksti do t’i kundërvë një Veto,

tre teksteve do t’i kundërvë tre Shenjtorë dhe një qarku
letrar do t’i kundërvë tradita kulinare
zënka kufitare: dhe në Vitin e zbulimit

të një teksti të homologuar prej kopistësh në gjuhë padovane,
për budallallëk apo mendjemadhësi qoftë, do të hulumtoj
se ç’bënin piktorët, prej kasolles në kasolle

në dritën e blertë sublime të tokave të lumit Po…
por mbi të gjitha, çka qe synimi
i klasës në pushtet: cilido prej synimeve, që nuk e di.

Do kompozoj një vepër të tmerrshme, bashkëkohëse
të Anti-veprave, me makinën e shkrimit të modës së re,
me figurativitetin e vjetër përkrah mekanizmit të ri.

Por nevojitet zhgënjim. Veç një çorbë fisnike
frymëzimesh të përziera, çmistifikon,
nëse mrekullisht ia beh kaosi

tek një qartësi plastike, vendosim, feçka
romanike – kofshë, zverqe, krahërorë
të fryrë si bukë, prej guri të hirtë që kodifikon

Realitetin e plotë. Hesht, hesht,
o zë i secilës Zyrtarësi, cilido që ti je.
Nevojitet zhgënjim. Të vërtitesh mbi thëngjij

si martirë të pjekur e të përqeshur: udha
e së Vërtetës kalon edhe përmes më të shpifurve
vende të estetizmit, të histerisë

të ribërjes së marrë erudite. Të shkëlqyeshme
për arsye të ndryshme nga ato nacional-
romantike, ditët e shitjeve të para,

të kontratave të para! Në mos më lëshoftë zemra
do ta shkruaj dhe një “HISTORI PASIONALE
TË POEZISË ITALIANE”, përveçse edhe një

“VDEKJE TË POEZISË” që ende mungon (por unë e di
plot me krenari rinore, se për mua është ende prill,
jam ende plot me limonë e trëndafila…). Në atë “HISTORI”

(të shkruar në oktava, ç’ironi) “do ta poshtëroj”
çdo sistemim paraprak, dhe nën shenjën
primare të Marxit dhe në vijim nën atë

Të Freudit, do të ndërtoj hierarki të reja në mbretërinë
e dashurive poetike: dhe ndaj ekzistencës
letrare do të kundërvë, me mendjehollësinë time të fyer

nocionin e Ekzistueses të Pashprehur, pa
të cilën çdo gjë është mister:
e deri sa nuk doli, tani së voni, ndërgjegjja e qartë

e klasave që ndajnë botën, mjeshtëria
stilistike dominohej gjithnjë nga ajo
që nuk mund të thuhej (apo të dihej): por ishte.

Lojë dialektike e zhytur në thellësi, oh
po!, për t’u rindërtuar stilemë pas stileme,
sepse në secilën fjalë të shkruar në Bel Paese, aty ku Jo-ja

kumbon, gjendej si e kundërt e stilit ajo Semë
e magjepsur, gjuhë e një populli
që ende nuk qe bërë klasë, problem

i ditur e i zgjidhur veçse në ëndërr. I zbehur
prej heshtjes së gjatë do të përflakem pastaj në “NJË TJETËR MONOLOG”
me mllefin impotent kundër botës kokëlakër

varrezash të Dallasit, me një fluturim
dyvargësh për Kennedyn, dhe një rrjedhje
prej shtatëdhjetë fish shtatë (mijë) vargjesh për Kor

dhe Orkestër, me shtatëmijë violina dhe një tupan të rëndë
(dhe një disk të Bachut), “CITIME BRECHTIANE”
ose “KËNGË TË ÇSHENJTËRIMIT”, të cilat qofshin melasë

shumëgjuhëshe apo lëmsh monolitik: në të cilën e kotë
do të shfaqet E GJITHË HISTORIA SI VEPËR E TË MARRËVE.
E MARRË ISHTE ADOLFA E MARRË JOZEFA E MARRË ELITA AMERIKANE

E MARRË IDEOLOGJIA TË MARRA KISHAT TË MARRË
KAMPIONËT E IDEOLOGJIVE DHE KISHAVE
QË SHANTAZHOJNË TË MARRËT NORMALË IDIOTË E TË MIRË

REVOLUCIONARËT E MBUSHUR ME MENDIME DASHAMIRËSE BORGJEZE
QË VAZHDOJNË THJESHT TË JENË DEPOZITUES
TË KËRCëNIMIT MORALIST QË I BËHET NJERIUT. Pasi t’i ndez

pra këta qirinj ekspresionistë tek lteret
e Seksit, do t’i kthehem Fesë.
Dhe do t’i shkruaj Moravias së pashqetësuar një “PASOLINARE

MBI MËNYRAT E TË QENIT POET”, me marrëdhënien
mes shenjës dhe gjësë – dhe më së fundi
do t’ua tregoj pasionin tim të vërtetë.

Që është jeta e tërbuar [ose e padëshiruar] [ose vdekatare]
– e prandaj, sërish, poezia:
nuk merr parasysh as shenjën dhe as gjënë ekzistuese,

ja pra. Po të kishte qenë njeriu një Monotip në Subtopinë
e një bote ku s’ka më kapital gjuhësor
e po të zhdukej pra fjala prej secilës mënyrë

të të dëgjuarit apo të të thënit, atëherë do të ishte i shtrënguar mistikisht
prej lidhjeve me gjërat, e me atë që gjërat
janë, nuk do të ishte më i fiksuar në debatet

e trishta, do të ishte gjithnjë i ri, i mbushur me të vërteta
galduese, pragmatiste – jo më me instrumentalizime,
përpjekje që i përkthen në limonë, në trëndafila…

por gjithnjë dhe vetëm, dritë, siç është realiteti
i gjërave kur ato janë në kujtesë
në prag të të qenit të përmendura, e tashmë

përplot me lavdinë e tyre fizike.
Nëse më vonë do të zbuloja se kisha kancer e do të vdisja
këtë do ta konsideroja një fitore

të atij realiteti të gjërave. Nëse ka marrë fund mëshira prej biri
për botën, ç’kuptim ka të vazhdosh ta frekuentosh?
Ah, të mos rrish më në këmbë në aromën e kripës

të botës së tjetërkujt (mikroborgjeze, letrare)
me gotën e uiskit në dorë e me fytyrën si mut,
– që do të më vinte keq nëse nuk do ta tregoja

ashtu siç është – para se për mua njeriu të tretet –
tek “HYJNORJA MIMESIS”, tek ajo vepër në qoftë e thënë
të shkruhet, e për inatin tim, kaq e blertë

kaq e blertë, me blerim prej kohës së shkuar, prej rinisë sime,
në botën e poshtër e të zverdhur të shpirtit tim…
por jo, por jo, është prill, jam më

i freskët se çdo riosh që dashuron
herët e para… Do ta flak shumë shpejt poshtë, me tone
epistolare, me shënime e me parenteza, një stuhi

prej “motivesh të lartpërmendur”, prej “etëtjerash”, emblemash
citatesh, e sidomos prej aluzionesh
(vetënxitëse gjer në pafundësi dhe shpërputhje

veçorish përballë gjithçkaje), i pari
trevargësh parodik në faqen magmatike të
Këngës së Parë, me nxitimin për të arritur më parë se sa të kryhet gjysma

atje ku Ferrit arkaik, emfatik
(romanik, siç duken qendrat e qyteteve tona
prej periferive tashmë të dënuara përgjithnjë)

i shtohet një shojcë prej Ferri të periudhës
neokapitaliste, për lloje të reja
mëkatesh (teprime në Arsyeshmëri

dhe në Paarsyeshmëri) që i bashkohen të vjetërve.
E do t’i shohësh në një ndërtesë betoni të këndshëm
do gjesh mes tyre dhe miqtë dhe armiqtë

nën tabelat sinjalizuese të “VEPRËS PËR RRITJEN
E DËNIMEVE TË SKËTERRSHME”, a): TEPËR TË PËRMBAJTURIT: Konformistët
(salloni Bellona), Vulgarët (një pritje në

selinë e presidentit), Cinikët (një takim me gazetarët
e gazetës “Corriere della Sera” dhe të ngjashmëve të tyre): e pastaj
të Dobëtit, Dyfytyrëshit, Frikacakët (individualistët

që ndihen si në shtëpinë e vet); b) Të PAPËRMBAJTURIT, ZONA
E PARË: tepri e Rregullsisë (socialistë borgjezë,
dashamirës të vegjël që u duket vetja heroj të vegjël,

thjesht se kanë zgjedhur heroikisht flamurin e duhur), tepri
e Pendesës (Mario Soldati, Guido Piovene); tepri e Servilitetit
(masa të pafundme pa anagrafë, pa emër, pa seks);

ZONA E DYTË: Arsyetuesit (Tommaso Landolfi) njerëz që rrinë
të ulur vetëm mbi uturakun e tyre; të Paarsyeshmit

prej Endoletrarëve (De Gaulle) me virgjëreshat e shenjta
të Ezra Poundit (teutonike apo italiote);
të Arsyeshmit (Alberto Moravia, shpendët e rrallë dhe flatrat

e të Angazhuarve neo-gotikë)
Oh verbëri e dashurisë!
E pashë mbi dy faqe të thjeshta

mbi dy sy prej këlyshi: ishte dashuri,
sepse buzëqeshje, ishte një vajzë e vogël
që vraponte në zemër për diell –

në verbërinë e dashurisë së saj – e drejtë, meskine
me kapuçin e saj të rreckosur
poshtë një ujësjellësi të stërmadh, mbi një stol

prej balte, mes barakash lyer me zift
– që vraponte, vajza e vogël, në zemër
të diellit, e drejtë, me qepallat e shtrënguara

prej verbërisë së një dashurie të thjeshtë, të veçantë,
drejt një tjetër krijese fëmijë
që rendte drejt saj, në diell

të banesave ku ishte nënë, ajo – meskine
në pallton e saj të rreckosur
që vraponte drejt krijesthës,

me buzëqeshje bashkëfajtore, të nxitur
bashkë me buzëqeshjen e tjetrës prej së njëjtës dashuri.
Vraponin drejt njëra tjetrës me syrin e lidhur

prej asaj buzëqeshjeje bashkëkohore në diell.

Oh Marx – gjithçka është ar – oh Freud – gjithçka
është dashuri – oh Proust – gjithçka është kujtesë –
oh Einstein – gjithçka është përfundim – oh Chaplin – gjithçka

është njeri – oh Kafka – gjithçka është tmerr –
oh popullatë vëllezërish të mi –
oh atdhe – oh ajo që përforcon identitetin –

oh paqe që lejon dhimbjen e egër –
oh njollë e fëminisë! Oh fat i artë
ndërtuar mbi eros e mbi vdekje, si

një shpërqendrim – dhe mbi një mijë pretekste
buzëqeshja, filozofia! Të kesh iluzione (dashuria)
të dallon, por veç në një qarkore shenjtëruar prej tekstesh

të pazëvendësueshme. Kthehem me Izraelin në zemër,
duke vuajtur për bijtë-vëllezër të tij nostalgjinë
e Europës romancë, oksitane, me shkëlqimin

paksa të zverdhur por plot me një poezi mizore
të kryeqyteteve të saj borgjeze mbi lumenj a mbi dete…
Normë negative dashurie. Udha e vërtetë

e atij që dëshiron të jetë është zhgënjyerja. Gjë që i barazon
të gjithë ata, si të vdekurit:
por rivendos në diskutim të shenjtët

tekste të qarkoreve. Ndaj duke pritur që të vijë
një Hebre i Madh të ri është një gjithçka e re
– ndaj së cilës bota e kurvëruar revoltohet –

duhet të zhgënjejmë në vogëlsinë tonë… Eh!,
duhet braktisur ai vendi i bukur që kemi zënë nën diell
(dhe ju duhet ta lini Izraelin, Hebrej!

se verbëria e dashurisë
i rikthen shpikjet në institucione
për t’i rishpikur pastaj vetëm me zemër

dhe madje gërsheton edhe kombe
me heshtjen e një nëne e një bije nën diell
– duke përndjekur, apo jo? të kundërtat…)

Sa për mua edhe unë anoj (tërbim) kah një dashuri e tillë,
fe e një biri elegjiak,
që me çdo kusht dëshiron të më nderojë.

As nuk shteron nga ana tjetër në lëmshin
e jetës së ndodhur e asaj që do ndodhë: dëshiron
ta thjeshtojë gjithçka në rendin e vet prej zambaku.

Mjaft, është qesharake. Ah të errëtat
vuajtje që shpien drejt një “fati opozitar”!
Por s’ka alternativë tjetër për veprat e mia të ardhshme.

“OPOZITË E VËRTETË”, “PAPA GJONI”, ose “PASION
(OSE ARKIV) I VITEVE GJASHTËDHJETË”, cilido qoftë
organi ku më së pari do të depozitoj, me një vizion

gjysmëprivat, dihet, të tilla vepra të miat të ardhshme, shfaqen si udhë
pa alternativa, për mua dhe për redaksinë
e qoseve të ngarkuar me detyrën – kësaj kompanie të vogël

ç’do të dish mbi ta: thuajse për shkak të përzgjedhjes
së farës. Opozitë e atij që nuk mund
të dashurohet prej askujt e që s’mund të dashurojë askënd, dhe që e vendos

pra dashurinë e vet si një jo
e paracaktuar, ushtrim i detyrës
politike si ushtrim i arsyes.
Më në fund, ah e di,

kurrë, në pasionin tim të keqpërdorur
kurrë s’ka pasur kaq kufomë sa tash
kur i rimarr në dorë të miat tabulae presentiae

në qoftë real realiteti, por pasi
që është shkatërruar në përjetësi e në të tashme
prej idesë së obsesionuar të një hiçi ndriçues.

Por në këtë realitet – tonin –
që i mbahet fryma, prej dhimbjes së fundit
të botës si një ndalje e pamundshme e tij –

dalloj qartë një nevojë shkrirëse
pakicash në aleancë me njëra-tjetrën. Kthehuni, Hebrej,
në agimet e kësaj Prehistorie,

e cila shumicës i buzëqesh si një Realitet:
humbje e njerëzisë dhe rikushtetim
kulturor i njeriut të ri – thonë

ata që marrin vesh. E në fakt, këtu qëndron gjëja:
tek atmosfera e një kombi të vogël
siç është Italia në pamje të parë – shtrohet

një dilemë e rrejshme mes Revolucionit dhe një Entiteti
që e quajnë Qendër e majtë – me të kuqen
e Gjuhëtarëve… rrjedha e re e realitetit

kështu pra pranohet dhe gëlltitet. Kthehuni
Hebrej që ta kundërshtoni, me ata tre-katër
veta që më në fund e kanë sqaruar

destinacionin e vet: drejt së ardhmes shkon
Pushteti, dhe e ndjek, në aktit triumfues,
Opozita, pushtet brenda pushteti.

Për atë që është i kryqëzuar tek arsyeshmëria e vet ronitëse
i squllur prej puritanizmit të vet, nuk ka më kuptim
përveçse një aristokraci, dhe medet, një opozitë jopopullore.

Revolucioni tashmë s’është gjë tjetër përveçse një ndjenjë.

Nëntor – dhjetor 1963

PKI-ja të rinjve

In Artikuj, Përkthime, Vjersha on 7 Nëntor, 2015 at 17:13

venezia_contestazione01PKI-ja[1] të rinjve

 

Pier Paolo Pasolini

 

Më vjen keq. Polemika kundër

PKI-së duhej bërë në gjysmën e parë

të dekadës që shkoi. Jeni me vonesë, të dashur.

S’ka asnjë rëndësi nëse s’kishit lindur ende:

aq më keq për ju.

Tash gazetarët e të gjithë botës (përfshi

edhe ata të televizioneve)

ju lëpijnë (siç vazhdon të thuhet në gjuhë

studentore) bythën. Unë jo, të dashur.

Keni fytyrën e çunave të babit.

Ju urrej siç i urrej dhe baballarët tuaj.

Raca e mirë s’gënjen.

Keni të njëjtin sy për keq.

Keni turp, jeni të paqartë, të dëshpëruar

(shumë mirë!) por dini edhe se si të jini

prepotentë, kërcënues, me vetëbesim e pafytyrësi:

parakushtet e të qenit mikroborgjezë, të dashur.

Kur dje, në Valle Giulia[2] u rrahët

me policët,

unë isha tifoz i policëve.

Sepse policët janë bij të të varfërve

Vijnë nga subtopi, fshatare a qytetare qofshin.

Sa për mua, unë e njoh boll mirë

mënyrën se si kanë qenë fëmijë edhe çunakë,

ato një mijë lirat e çmueshme, babai po ashtu i mbetur çunak,

për shkak të mjerimit, që nuk të jep autoritet.

Nëna e ashpërsuar si me qenë roje, apo e brishtë

prej ndonjë sëmundje, si një zogth;

një mori me vëllezër; kolibja

rrethuar me një oborr me sherebelë të kuqe (në vende

që gjetiu tashmë janë parcelizuar); kasollet

aty ku derdhen gjirizet; ose apartamentet në lagjet

e stërmëdha popullore, etj. etj.

Pastaj shikoni se si i veshin: si palaço,

me atë cohë të ashpër, që qelbet era mensë

era kazermë dhe era popull. E keqja e të këqijave është, natyrisht,

gjendja psikologjike në të cilën i kanë katandisur

(për vetëm dyzet mijë lira në muaj):

s’kanë më buzëqeshje,

s’kanë më miqësi me botën,

të ndarë,

të përjashtuar (në një lloj përjashtimi që nuk ka të barabartë);

të poshtëruar se e kanë humbur cilësinë e njeriut

zëvendësuar me atë të policit (të qenit i urryer të bën të urresh). Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Heqja dorë

In Përkthime, Vjersha on 4 Nëntor, 2015 at 00:45

 

Kopertina e librit "La meglio gioventu"

Kopertina e librit “La meglio gioventu”

Tashmë të qenit larg është njësoj

Friul, me të qenit të panjohur. Duket

Koha prej dashurisë sonë si det

I shndritshëm e i vdekur.

Brenda dritës pjesa jote

Ka mbaruar, s’kam terr në gjoks

Që ta mbaj hijen tënde.

 

Pier Paolo Pasolini, 1954

Balada e delirit

In Përkthime, Vjersha on 3 Nëntor, 2015 at 23:51
Kopertina e përmbledhjes me vjersha: "L'usignolo della chiesa cattolica"

Kopertina e përmbledhjes me vjersha: “L’usignolo della chiesa cattolica”

Vetëm, vetëm, shtatore e dylltë

Ngurtësuar prej rrezes së moçme

Të jetës sime tashmë të lehtë…

Ajri i mbrëmjes rikthehet, i pazë

Në zemër të gjuhës.

Venitur me psherëtimat e viteve

Mbi horizonte të shndritshme, ajri

Që rrjedh në fytet e engjëjve,

Kthen ekzistencë tek flegrat

E trupit tim të vdekur, oqean ditësh,

Ç’prej “Falemi Mrisë” deri tek “Engjëlli i Zotit”.

 

Gjithçka stonuar, fjala dhe dëgjimi

Hijet në çrregullsi,

Çmenduri, lebeti sadiste

Ndaj fjalëve, një trombë e dehur

Disonance – është dështimi

Anonim i botës. Verbër

Drita e yllit regëtin

Në kuzhina të terratisura, qelbur

Erës së keqe, hienat grrithin

Atonike…

 

Të dëgjoj, diapazon që zukat vitesh

Një majë e ashpër elmazi që pret

Tehun e shpirtit,

Të dëgjoj, por mos u trazo:

Unë sërish duhet të ruaj qetësinë:

Tash unë jetoj brenda në pasqyrë

Jam imazhi i vetes sime i zhytur

Në jetën e dritës së verbër

Në pasqyrën e djalit të ri

Burgosur në llamburitjen e humbur.

 

Brenda pasqyrës së pazëshme

Jam peshk i kaltër rrethuar

Me akull, me bishtin shpues të ngrirë

Në këtë qivur qelqi të përjetshëm –

Britma e mprehë e sirenës

Në mitrat e mjegulluara të të folmes

Nuk e krisin sipërfaqjen

E pasqyrës, thjesht prekin

Sytë e imazhit të vetmuar

Që jeton…

 

Në heshtjen baritore

Të së bardhës pasqyrore

Me ngjyrën lëbyrëse të agimit të lindjes,

Sa e pafajshme është pyetja ime!

Vdekatar i marrë!

Ku shkojnë trenat e çelikut

Të nxehtë përmes fushës së lagësht

Ku shohin dritat e shpërndara

Nëpër horizont, ku lundrojnë

Anijet e nxira me blozë, ku fluturon

 

Tymi i fabrikave, ku mëtojnë

Jetët tona në mos po drejt

Akerontit brenda në pasqyrë?

Vesi dhe tuta, burimet e mia, a janë

Mrekullisht rilindur në ty?

E ç’vrasës të mrekullueshëm mban

Foshnja i sapolindur fshehur thellë brenda

Trupit të tij prej mishi të trëndafiltë e të freskët?

(Kështu ti zë i ëndshëm, e përplas

Të ligun brenda qelqit të heshtur,

 

E kështu mund të lëshosh shajni mbi përskuqjen e fundit

Të njërit që dikur fliste një gjuhë të ndryshme

Dhe pastaj u heshtua në gjuhën e re

Pra ti je hijet

Që mbështjellin sëmundjet e ngurtësuara të shpirtit

Abdikimin e errët të zemrës

Kështu, je eleganca e fundme

E gjethes që fëshfërin ndër vite,

Duke i dhënë një shije të rreme heshtjeve

Aq njerëzore të të egrit.)

 

Pasqyra thërrmuar

Ndjenjat çliruar në realitet, këtu

Unë jam bota! Ah, u ktheva! Jam i së njëjtës

Moshë me ty, karantina mbaroi, dalja nga binarët

Ishte thjesht një subjekt për

Sociologji… por unë u ktheva, çfarë

Arrogance skandaloze, përditë unë ripërpiqem

Të bëj Hapin Cilësor prapa, rënien

E vjetër të engjëjve, çfarë skandali!

Oh, bashkëkohësit e mi të ëmbël, mes meje

Dhe realitetit – i njëjtë edhe për ju – shtrihet një hapësirë magjepsëse

SË CILËS DIKUR I PËRKISJA: naiviteti

 

Pak më tepër se trup, O të gjallë

Të së ardhmes që do të jetoni ne vendin tim

Brenda ngrohtësisë së këtyre mureve

S’kam njohur tjetër dashuri në vete

Përveç qiejve të kaltër në ditë të errëta –

Koha nuk është asgjë më shumë se sa Kaltërsia

Pas shpinës së një njeriu që po vdes

Panoramë e brishtë, e djerrë,

Pëshpërimë e heshtur e një zëri,

Imazh fizik mbi Asgjënë.

 

Pier Paolo Pasolini, 1949

Unë jam një forcë e së Shkuarës

In Përkthime, Vjersha on 23 Gusht, 2015 at 14:35

Është një… poezi. Në pjesën e parë poeti përshkruan ca rrënoja antike, të cilave askush nuk ua kupton stilin a historinë. Dhe ca konstruksione të shpifura bashkëkohore që nga ana tjetër të gjithë i kuptojnë. Pastaj vazhdon pikërisht kështu:

Unë jam një forcë e së Shkuarës.

Veç te tradita është dashuria ime.

Vij nga rrënojat, nga kishat,

nga pikturat e ltereve, nga qytezat

e harruara të Apenineve apo Nënalpeve,

ku kanë jetuar vëllezërit.

Endem nëpër Tuskolana si një i çmendur,

në rrugën Apia si qen pa zot.

Ose shoh muzgjet, mëngjeset

mbi Romë, mbi Çoçari, mbi botë

si aktet e para të Pas-historisë

të cilës i jam dëshmitar përmes privilegjit

të kronikanit nga zgripi më i largmë i ndonjë epoke

të varrosur. Përbindësh është ai që ka lindur

prej barkut të një gruaje të vdekur.

Dhe unë, fetus i rritur, endem

më modern se secili modern

duke kërkuar vëllezërit që nuk janë më.

Pier Paolo Pasolini (në video reciton Orson Welles, në filmin “La Ricotta”)

Vajtimi i ekskavatorit II

In Përkthime, Vjersha on 21 Qershor, 2015 at 02:03
Renato Guttuso - Tetti di Palermo, 1985

Renato Guttuso – Tetti di Palermo, 1985

(Këtu gjindet pjesa e parë)

 

I varfër, si maçokët e Koloseut

jetoja në një lagje gjithë gëlqere

e pluhur, larg prej qytetit

 

edhe prej fshatit, shtrënguar përditë

në një autobus gumëzhitës

dhe çdo vajtje, çdo kthim

 

ishte një kalvar djerse edhe ankthesh.

Ecje të gjata nëpër zhegun e lagësht,

mbrëmje të gjata para kartave të lojës

 

mbledhur në tavolinë, nëpër rrugë plot baltë

mure të vegjël, shtëpiza të lyera me gëlqere

pa porta, me tenda në vendin e dyerve…

 

Kalojnë shitësi i ullinjve dhe rrobashitësi,

duke ardhur prej ndonjë tjetër mëhalle,

me mallin e pluhurosur që ngjante

 

si të qe i vjedhur, dhe me fytyrën mizore

të të rinjve të plakur mes veseve

të atij që ka një nënë të ashpër e të uritur.

 

I përtërirë prej botës së re,

i lirë – një përskuqje, një frymë

që nuk di t’ia them, realitetit

 

që i ulët e i ndyrë, konfuz dhe i pafund

gëlonte në periferinë jugore

jepte një ndjenjë aq të qetë devotshmërie.

 

Një shpirt në mua, që nuk ish veç i imi

një shpirt i vockël në atë botë të pakufi

rritej, ushqyer prej galdimit

 

të kujt dashuronte, dhe nëse s’dashurohej.

Dhe gjithçka përndritej kësaj dashurie.

Ndoshta ende djalosh, heroikisht,

 

por i pjekur prej përvojës

që lindte në këmbët e historisë.

Isha në qendër të botës, në atë botë

 

mëhallash të trishta, beduine,

lëndinash verdhacuke të lëmuara

prej një ere që jo kurrë nuk gjen paqe

 

qoftë kur vjen nga deti i nxehtë i Fiumiçinos

apo nga katundet, ku tretej

qyteti mes getosh; në mënyrë të tillë

 

që të mund të shquhej vetëm

spektri kuadrat e i verdhemë

në mjegullën verdhacuke

 

shpuar nga një mijë fije të njëjta

dritaresh me hekura, Burgu

mes fushash të moçme e shtëpish të përgjumura.

 

Kartona dhe pluhur që i verbët

flladi i çon sa andej këndej

zërat e mjerë pa jehonë

 

të grave të ardhura prej maleve

Sabine, prej Adriatikut dhe të ngulura

këtu, tashmë me truma

 

çunakësh të fortë e të shkuar dëm

sherrxhinj, veshur me kanotiera të grisura

me pantallona të përhimta e të djegura

 

diej afrikanë, shira të rrebeshtë

që sillnin dallgë balte

rrugë, autobusë në stacionin e fundit

 

të parkuar në qoshen e tyre

mes një rripi të fundit të barit të bardhë

dhe ndonjë bërllogu acid kutërbues…

 

ishte qendra e botës, siç ishte

në qendër të rrëfimit dashuria ime

për të: dhe në këtë

 

rritje, që për të qenë duke lindur

ishte ende dashuri, gjithçka ishte

në mbërje drejt qartësisë – ishte,

 

e qartë! Ajo lagje e zhveshur ballë erës

as romane, as jugore,

as punëtore, ishte jeta

 

në dritën e saj më aktuale:

jeta, dhe drita e jetës, e plotë

në kaosin që ende s’ish bërë proletar,

 

siç do e dëshironte gazeta e ashpër

e celulës, rrotullimi

i fundit i cilindrit të shtypshkronjës: asht

 

i ekzistencës së përditshme,

të dlirë, për të qenë madje tepër

e afërt, absolute për të qenë

 

madje tepër, mjerisht, njerëzore.

 

Pier Paolo Pasolini

Dëshira për pasuri e nënproletariatit roman

In Përkthime, Vjersha on 20 Qershor, 2015 at 17:38

 

pasolini-roma-thefreak-setPier Paolo Pasolini

 

I vëzhgoj këta njerëz të mësuar

me jetë tjetërsoj nga e imja: fryt

i një historie shumë të ndryshme, të gjetur

sivëllezër, këtu, te e fundit formë

historike e Romës. I vëzhgoj: te të gjithë

ka një lloj fryme prej çobani që fle

me thikë në brez: në lëngjet e tyre

jetësore shtrihet një terratisje e dendur,

verdhëza papale e Bellit

jo e purpurt po me ngjyrë të shuar speci të kuq,

pluhur tulle. Të linjtat, nën të

të grisura e të palara; në sy ironia

që shfaq afshin e tyre të paturp

të kuq e të lagësht. Mbrëmja i zbulon

thuajse nëpër strofka, në geto

bërë prej rrugicash, muresh, pragjesh

dhe dritaresh të vogla të humbura në heshtje.

Dhe sigurisht, e para prej pasioneve të tyre

dëshira për pasuri: e ndyrë,

si gjymtyrët e tyre të palara,

e fshehur e po ashtu haptazi,

që s’njeh asnjë lloj turpi: siç është i paturp

grabitqari që fluturon duke shijuar

kafshatën e tij, apo si ujku, apo si merimanga

ata e duan paranë si të ishin ciganë

mercenarë apo kurva: qaraviten

nëse s’e kanë, përdorin lajka

të shpifura për ta pasur, krenohen si të ishin

Plauti kur i kanë xhepat

Plot.

Nëse punojnë – punë prej mafiozësh

kasapë,

lustraxhinj egërsira, nëpunës pederë,

shoferë mizerje autobusësh, plehra shëtitëse,

punëtorë krahu të mirë sa ç’është i mirë qeni – dhe ngjet

që të gjithë të kenë të njëjtën pamje prej hajni:

shumë dredhi e motmotshme rrjedh në ato vena…

 

Kanë dalë prej barkut të nënave të tyre

për t’u gjindur në trotuare a fusha

prehistorike, të regjistruar në atë regjistër

që të panjohur i do të mbeten prej çdo historie…

Dëshira e tyre për pasuri

është kaq banditeske, aristokratike.

E ngjashme me timen. Secili mendon për vete,

që ta fitojë bastin ankthsjellës

që t’i thotë vetes “Ia dola” me një nënqeshje prej mbreti…

Shpresa jonë është bash njësoj

e obsesionuar:

te unë estetizuese, te ata anarkike.

Të rafinuarit dhe nënproletariatit i takon

e njëjta renditje hierarkike

e ndjenjave: të dy jashtë

historisë,

në një botë që nuk ka varka të tjera

përveçse drejt seksit e drejt zemrës,

nuk ka thellësi tjetër përveçse në ndjenja

ku gëzimi është gëzim, dhimbja dhimbje.

Vajtimi i ekskavatorit – I

In Përkthime, Vjersha on 15 Prill, 2015 at 15:14
Çatitë e Romës, 1942, Renato Guttuso.

Çatitë e Romës, 1942, Renato Guttuso.

Veç dashuria, veç njohja

ka rëndësi, jo të kesh dashur

jo të kesh njohur. Shkakton angushti

 

të jetuarit e një dashurie

të konsumuar. Shpirti nuk rritet më.

Ja në nxehtësinë e magjepsur

 

të natës që tashmë e plotë këtu

mes lakadredhave të lumit dhe pamjeve

të përgjumura të qytetit stërpikur dritash,

 

ende me copëzat prej mijëra jetësh

mosdashurish, misteri e mizerje

të ndjenjave, m’i armiqësojnë

 

format e botës që gjer dje

ishin arsyeja për të cilën ekzistoja.

I mërzitur, i lodhur, rikthehem në shtëpi përmes

 

sheshesh të zeza të tregjeve, rrugësh

të trishta rreth portit në lumë

përmes barakave dhe magazinave që përzihen

 

me lëndinat e fundit. Atje vdekatare

është heshtja: por më poshtë, te rruga Marconi

në stacionin Trastevere shfaqet

 

sërish e ëmbël mbrëmja. Në lagjet e tyre

në borgatat e tyre, kthehen mbi motorë

të vegjël – me veshje sportive apo me rrobat

 

e punës, por të shtyrë nga një afsh festiv

të rinjtë, me nga një shok pas,

të qeshur, të pistë. Klientët e fundit

 

llafosen në këmbë me zëra

të lartë natën, aty këtu, nëpër tryezat

e lokaleve ende të ndriçuar e gjysmë të zbrazët.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »