Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Pasolini’

Seks, ngushëllim i mjerimit!

In Përkthime, Vjersha on 20 Mars, 2015 at 13:59
Anna Magnani në Mamma Roma, 1962

Anna Magnani në Mamma Roma, 1962

P.P. Pasolini

Seks, ngushëllim i mjerimit!

Kurva është mbretëreshë, froni i saj

një gërmadhë, toka e saj një copë

lulishte e dhjerë, skeptri i saj

një çantë me vernik të kuq:

leh nëpër natë, e zhyer dhe e egër

si një nënë e moçme: mbron

pronën e saj dhe jetën e saj.

Kodoshët rretheqark, në skota

të enjtur dhe të zvjerdhur, me mustaqet e tyre

të holla e të dredhura, a të kreshpëruara si furçë

janë prijësat regjentë: thurin

në errësirë punët e tyre prej pesëdhjetë eurosh

teksa miqësohen në heshtje, teksa këmbejnë

parrullat sekrete: bota, e përjashtuar, hesht

rreth atyre që janë vetëpërjashtuar,

kërma të heshtura kërmëngrënësish.

 

Por tek mbeturinat e botës lind

një botë e re: lindin ligje të reja

aty ku nuk ka më ligj; lind një

nder i ri ku nder është çnderimi…

Lindin fuqi e fisnikëri

të egra, në grumbujt e barrakave

në vendet e shkufizuara ku beson

se përfundon qyteti, po ku në fakt

fillon, armik, fillon

një mijë herë, me ura

me labirinte, kantiere e gropa

pas stuhive të qiellgërvishtësve

që errësojnë horizonte të tëra.

 

Në lehtësinë e dashurisë

mjerani ndihet njeri:

themelon besimin tek jeta, gjer kur

ia nis të përçmojë atë që ka një hetë tjetër.

Bijtë hidhen në aventurë

të sigurtë për faktin se janë në një botë

që prej tyre, prej seksit të tyre, ka frikë.

Mëshira e tyre qëndron tek të qenit të pamëshirshëm,

forca e tyre tek lehtësia

shpresa e tyre tek të mos pasurit shpresë.

Reklama

Fragment vdekjes

In Përkthime, Vjersha on 19 Mars, 2015 at 12:39
Susanna Pasolini, nëna e Pier Paolos, në rolin e Sh. Mërisë, në filmin e tij "Ungjilli simbas Mateut".

Susanna Pasolini, nëna e Pier Paolos, në rolin e Sh. Mërisë, në filmin e tij “Ungjilli simbas Mateut”.

P.P. Pasolini

 

Vij kah ti e kthehem tek ty

ndjenjë e lindur me dritën, me nxehtësinë,

pagëzuar kur qarja ish gëzim

i njohur tek Pier Paolo

në origjinën e një epopeje përmallimesh:

eca nën dritën e historisë,

por, gjithnjë, qenia ime ishte heroike,

nën sundimin tënd, o mendim intim.

Mpiksej në gjurmën tënde prej drite

në mosbesimet mizore

të flakës tënde, çdo akt i vërtetë

i botës, i asaj

historie: dhe në të vërtetohej i tërësishëm,

në të humbte jetën për ta rimarrë:

dhe jeta qe e vërtetë vetëm nëse qe e bukur…

 

Inati i ngushëllimit

së pari, pastaj inati i kthjellimit:

tek ty lindte, hipokrite, e errët

ndjenjë! E tani

le ta akuzojnë pra secilin pasion timin,

le të më baltosin, të më quajnë të paformë të pa

pastër

të marrë, diletant, të pafe:

ti më rrethon, më jep qartësinë e jetës:

jam mbi turrën e druve, luaj kartën e zjarrit,

dhe fitoj këtë pak

mirësi timen të pamasë, fitoj këtë pafundësi

e mjera mëshira ime

që ma bën mike edhe mërinë e drejtë:

mund ta bëj, se kaq tepër të kam përkëdhelur!

 

Kthehem tek ty, siç kthehet

një emigrant në vendin e vet dhe e rizbulon:

jam bërë pasanik (në intelekt)

dhe jam i lumtur, ashtu

siç isha dikur, i braktisur prej normës.

Një inat i zi prej poezie në gjoks.

Një plakje idiote prej djaloshi të ri.

Dikur gëzimi jot ishte i përzier

me frikën, vërtet ashtu, e tash

thuajse me një gëzim tjetërsoj

të vranët, të thatë: pasioni im i zhgënjyer.

Tani vërtet që më ngjall frikë,

sepse më je vërtet pranë, e përfshirë

në gjendjen time të inatit, të një urie

të errët, të ankthit thuajse të një krijese të re.

 

Jam i shëndetshëm, siç ke qejf ti,

neuroza degëzon afër meje,

shterja ma shton thatësirën, por

nuk jam i saji: përbri meje

qesh drita e fundit e rinisë.

Kam patur gjithçka që kam dashur,

tashmë:

madje kam shkuar edhe përtej

disa shpresave të botës: i zbrazur

ja ku je, brenda meje, që zbraz

kohën time dhe kohët.

Kam qenë i arsyeshëm dhe kam qenë

i paarsyeshëm: deri në fund.

Dhe tani… ah, shkretëtira e shurdhuar

nga era, i mrekullueshmi dhe i ndyri

diell i Afrikës që ndriçon botën.

 

Afrikë! E vetmja

alternativë për mua!

Balada e nënave

In Përkthime, Vjersha on 17 Mars, 2015 at 23:53

Mamma Roma & Ettore, grafit në Romë - Zilda

Mamma Roma & Ettore, grafit në Romë – Zilda

P.P. Pasolini

 

Pyes veten, çfarë nënash paskeni patur.

Po t’iu shihnin tash duke punuar

në një botë që për to është e panjohur,

të rrëmbyer në një qerthull që kurrë s’kryhet

përvojash kaq të ndryshme prej të tyreve,

me ç’vështrime do t’u shihnin ata sy?

Po t’ishin aty, ndërkohë që ju shkruani

tekstin tuaj, konformistë dhe barokë

apo teksa ia jepni redaktorëve të rënë përtokë

përballë çdo kompromisi, a do ta merrnin vesh ato se cilët jeni?

 

Nëna të ndyra, që në fytyrë mbajnë atë trembjen

e moçme, që si një sëmundje

ua shformon siluetat në një zbërdhylje

që i mjegullon, i largon prej zemrës,

i ndryn në të vjetrin mospranim moralist.

Nëna të ndyra, të shkretat, të shqetësuara

që bijtë të mësojnë ç’është ndyrësia

për të lypur një vend pune, për të qenë praktikë,

për të mos fyer shpirtrat e privilegjuara

e për të qenë imunë ndaj secilit mëshirim.

 

Nëna mediokre, që kanë mësuar

me përulësi prej fëmije, për ne

një domethënie të vetme, lakuriqe,

me shpirtra në të cilat bota është e nëmur

të mos japë kurrë as dhimbje as gëzim.

Nëna mediokre që kurrë nuk patën

për ju as dhe një fjalë dashurie,

përveç një dashurie memece gjer n’neveri

prej shtazësh, e në atë ju kanë rritur

impotentë ndaj thirrjeve reale të një zemre.

 

Nëna servile, të mësuara në shekuj

të ulin kryet gjithë pa dashuri,

t’i transmetojnë fetusit të tyre

sekretin e moçëm e të paturp

që të kënaqet edhe me mbeturinat e gostisë së tjetërkujt.

Nëna servile, që ju kanë mësuar

se si shërbëtori mund edhe të jetë i kënaqur

duke urryer atë që është, si ai vetë, i lidhur,

se si mund të jetë i lumtur, duke tradhtuar,

dhe të jetë i sigurtë, duke bërë atë që s’thotë.

 

Nëna të egra, që me çdo kusht synojnë të ruajnë

atë pak që kanë në zotërim borgjezët,

normalitetin edhe rrogën,

ta ruajnë pothuajse me tërbimin e atij që lyp hakmarrje

a të atij që mbet i zënë në ndonjë grackë absurde.

Nëna të egra, që ju kanë thënë:

Mbijetoni! Mendoni për veten tuaj!

Mos ndjeni kurrë mëshirë e as respekt

për askënd, dhe mbajeni ngrohtë në gji

integritetin tuaj prej gjuetari kërmash!

 

Ja, të ndyra, mediokre, shërbëtore,

të egra, nënat tuaja të mjera!

Që nuk kanë turp t’ju mendojnë

– në urrejtjen tuaj – gjer edhe të mrekullueshëm,

në mos qoftë kjo diçka tjetër, pos një lugine lotësh.

E kësisoj kjo botë bëhet e juaja:

të bërë vëllezër prej pasioneve kundërshtare

apo prej atdheve armiqësorë, prej mospranimit të thellë

ndaj qenies të ndryshëm: ndaj përgjigjjes

për dhimbjen e egër të të qenit njeri.

 

Çfarë janë retë?

In Përkthime, Vjersha on 17 Janar, 2015 at 23:30

 

 

capriccio3

Che cosa sono le nuvole, 1967 – Pasolini

Mallkuar përgjithnjë le të mbetem

Nëse s’të dua

Se po të mos ishte ashtu

Nuk do kuptoja më, asgjë

Gjithë dashurinë time marroke

E fryn tej qielli

E fryn tej qielli

Kështu

 

Ah, por barin e kadifenjtë e delikat

Të një arome që shkakton drithërima…

Ah, sikur të mos kishe lindur

Gjithë dashurinë time marroke

E fryn tej qielli

E fryn tej qielli

Kështu

 

I vjedhuri që buzëqesh

I vjedh diçka vetë hajnit

Ama i vjedhuri që qan

Ia vjedh diçka vetvetes

Prandaj po ju them

Se gjersa t’kem buzëqeshjen

Ti kurrë nuk do të jesh e humbur

 

Por këto janë veç fjalë…

Dhe s’kam dëgjuar kurrë

Që një zemër, një zemër e dërrmuar

Të shërohet duke dëgjuar

Të vetmen, të gjithën dashurinë time marroke

E fryn tej qielli

E fryn tej qielli

Kështu.

Zgjohem me qepallat që më djegin

In Përkthime, Vjersha on 20 Dhjetor, 2014 at 23:14

P.P. Pasolini

Morris Cole Graves - Sleeping man

Morris Cole Graves – Sleeping man

Zgjohem me qepallat që më djegin.

Djalëria ime e mekur përmbi mjekrën

që m’u rrit teksa flija, përmbi mishin e tretur,

fiksohet me dritën e shkrirë në sytë e mi të përtharë.

Kështu përfundoj në flakën e errët

të një rinie të mpirë prej përjetësisë;

kështu digjem, është e kotë

– po ta mendosh – të jesh tjetërsoj,

t’i imponosh kufij parregullsisë: më tërheq

gjithnjë e më e copëzuar, me një fytyrë të thatë

në fëmijërinë e vet, drejt një rregulli të qetë e

të marrë, pesha e ditës simë të humbur

nëpër orë memece gëzimi, në ccastet

memece të tmerrit…

(poezi pa titull)

In Përkthime, Vjersha on 20 Dhjetor, 2014 at 22:37

P.P. Pasolini

Hernan Bas - Fitting in, 2005

Hernan Bas – Fitting in, 2005

Jemi lodhur duke u bërë të rinj seriozë

apo detyrimisht të kënaqur, apo kriminelë, apo neurotikë:

duam të qeshim, të jemi të pafajshëm, të presim diçka nga

jeta, të kërkojmë, të mos dimë.

S’duam të jemi menjëherë, që tani, kështu, pa ëndrra.

Pa ty po kthehesha, si i dehur

In Përkthime, Vjersha on 15 Dhjetor, 2014 at 21:21

P.P. Pasolini

romain-saintonge-496x273

Romain Santonge – “06:00 e mëngjesit”

 

Pa ty po kthehesha, si i dehur

si një që s’është në gjendje të jetë i vetmuar, mbrëmjeve

kur retë e lodhura treten

në terrin e paqartë.

Një mijë herë kam qenë i vetmuar kësisoj

ç’prej kur jam gjallë, dhe një mijë mbrëmje të tilla

m’ia kanë errësuar syve barin, malet

katundet, retë.

Vetmuar gjithë ditën, pastaj së brendmi heshtjen

e mbrëmjes fatale. E tash i dehur,

kthehem pa ty, dhe përkrah meje

qëndron veç hija.

 

Edhe do jesh larg meje një mijë herë,

pastaj gjithmonë. Unë nuk di si ta ndal

kët’angushti që m’rritet përbrenda gjoksit;

të jesh vetëm.