Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Paul Feiler’

Plazhet janë që njerëzit të zbaviten

In Vjersha on 20 Prill, 2015 at 12:21
Paul Feiler - Det dimri dhe shkëmbinj të zinj.

Paul Feiler – Det dimri dhe shkëmbinj të zinj.

Mbytja nuk është injorancë, veç dekadencë;

E detit i pëlqen të shkaktojë konfuzion ndër ne siç bën edhe tash.

 

Të gjithë do të notonin tek unë,

Ca edhe do të zhyteshin.

Shumica do të pshurreshin brenda.

Dhe do të kishte shumë peshq,

Kandilë dhe djegësira,

Copëza të shëmtuara lëkure të rënë nga dielli,

Gaforre dhe gjëra të vogla pa emër,

Lëndë të parë për sushi,

Leshterikë.

 

Dhe kështu do të prisja me padurim që të vinte dimri,

Që njerëzit të iknin e të mbetesha vetëm,

Dhe valët të më bëheshin dallgë.

Një plazh i mrekullueshëm, mizantrop.

Edhe në breg gurët do të mbuloheshin prej jazzit zëlartë të shkumës së bardhë

Të dallgës.

Dhe pulëbardhat do të vinin të hanin peshqit e mi,

Dhe stuhia ime do ua rëndonte krahët,

Me ujë shiu.

Dhe stuhia do vetëtinte mbi pemët në breg,

Peshqit do të trembeshin prej shkreptimës,

Njerëzit do të ishin larg, në qytetet e tyre të ndyra e të ngrohta

Duke pirë birrë dhe ujë të verdhë

Me erë mjegullsire.

Ndërsa unë do të vija erë jod,

Dhe era e veriut do të më shtonte rrebeshet,

Dallga e lartë do të përplasej në breg

Ku do të rrinte një vajzë.

Ajo do të bëjë disa hapa pas

Dhe deti nuk do ta marrë.

Dallga veç do t’ia lëpijë lëkurën e do të tërhiqet

Në punët e detit të saj.

Plazhet janë që njerëzit të zbaviten.

Reklama