Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Politika’

“Letra” e amerikanit

In Artikuj on 12 Shtator, 2012 at 18:05

Coca-Cola Santa, 1944 – Haddon Sundblom

Letra e ambasadorit amerikan për “Shekullin”, ku me demek ndërprikësh marrëdhëniet deri në një vendim tjetër, i shtohet groteskut elektoral të ditëve të fundit. Por nuk i shtohet si diçka thelbësisht e re, përkundrazi, ky eveniment është thjesht budallallëku i radhës në këtë estradë të stërzgjatur e të pakuptimtë që me dashamirësi po e quajmë “skenë politike shqiptare”.

Të të njëjtit nivel kanë qenë dhe reagimet ndaj “Letrës”, por sidomos mosreagimet. Ç’ka ndodhur? Edhe pse, si shqiptar i mirë që jam e di që duhet të tregohem i matur e i pjekur kah shkruaj, si shqiptar i mirë duhet të bëj çmos që të shmang përmendjen e të qenit shqiptar, e të flas sa më shumë për sende pa lidhje, të tërholl bisedën, të hyj në sofistikimet më të kota e të mos dal kurrë në thelb (se ashtu e do puna, se bota është e padrejtë, se s’ka gjësend tjetër veç realpolitikës, se mirë e kam po kështu s’bëhet, se nuk do gjej dot punë, se ne jetojmë prej Amerikës, se ata na çliruan Kosovën) – unë kam vendosur që në këtë shkrim të veproj ndryshe.

Meqenëse “Shkenca e komunikimit” na mëson se nuk qenkërkemi, por thjesht u dukërkemi, nuk e paskërkemi seriozisht, po thjesht lodrokërkemi, unë në rolin e parë të student kurajoz po marr përsipër që në këtë shkrim të luaj rolin e dytë e të padëshiruar të shqiptarit të keq. Domethënë, të shqiptarit që nuk e vret mendjen hiç për “shkencën e komunikimit”, të shqiptarit që përbuz lajle-lulet dhe lajkat ndaj “më të fortit”, të shqiptarit që beson se ndryshimi është i mundshëm, që angazhohet tek ky ndryshim, tek dashuria për të vërtetën, tek fjala, dhe tek qenia që del përsipër saj. Për arsye aspak “deontologjike” marr përsipër të them të vërtetën, ashtu siç, moti e kemi parë të gjithë tek ndodh. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Teshtimë prej kokëpalari

In Artikuj, Ese, Uncategorized on 31 Gusht, 2012 at 15:08

Arbër Zaimi

Family (A Child Shall Lead Them), 1932 – George Grosz

Ftohma njeriun e kap me kollë e me teshtima, e këto janë të bezdisshme, të zhurmshme, mund t’ia ngjisin virusin të tjerëve, ndaj kërkush s’ka qejf të rrijë gjatë me kë teshtin a kollitet. I sëmuri, fillimisht synon ta zgjidhë problemin me vetveten. Për të mos vënë në siklet të tjerët, ja rri në shtëpi e izolohet, ja përpiqet ta zbusë kollën me ndonjë shurup a çaj të nxehtë, ndërsa teshtimat i mbyt duke zhytur hundët në shami e duke bërë lloj-lloj marifetesh (duke mbajtur frymën, duke pickuar majën e hundës e të tjera gjëra qesharake, si këto).

Mirëpo historia (magistra vitae) rrëfen faktin imponues, që teshtimat e kollitjet kanë vazhduar, pavarësisht marifeteve e shurupeve. Afërmendsh, nuk mjaftojnë hiletë për ta ndaluar përgjigjen reflektive të organizmit ndaj shqetësimeve të brendshme, në këtë rast viruseve që shkaktojnë të flamosurën ftohmë. Duhet tjetër zgjidhje.

Një zgjidhje qesharake do të qe receta e tiranit, një dikush arrogant që synon të shmangë menjëherë bezdinë. E tillë zgjidhje do të qe psh. lëshimi i një urdhri për të ndaluar me dhunë kollën e teshtimat, apo për t’i kërcënuar, rrahur e përzënë autorët e këtyre gjesteve bezdisëse. Po sot zor se gjen njerëz kaq të trashë e të pasjellshëm (apo ndoshta gjen?) sa të lëshojnë të tillë urdhra, e sërish kjo nuk e ndalon as kollën e as teshtimën. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Terma të zbrazët

In Artikuj on 24 Prill, 2012 at 17:03

Trompe l'Oeil of Newspapers, Letters and Writing Implements
on a Wooden Board, 1699 - Edward Collier

Mes fjalorit politik përveç banaliteteve, kërcënimeve odontojatrike (t’i thyej dhëmbët unë e m’i thyen dhëmbët ti), metaforave futbollistike (topin ia kaluan ndërkombëtarëve, topi në fushën e opozitës, mbrojtja më e mirë – sulmi, duhet lojë ekipore, etj.), poezive e bejteve, shpalljeve pasionale të dashurive e të urrejtjeve jetëgjata sa “flutura e majit” gjenden të shpërndara tek-tuk, si tip stolie që përdoret kur do “me u duk” ekspert dhe ca koncepte politike, ekonomike e sociale, të cilat po të përdoreshin me vend do të lejonin një analizim të asaj çka thuhet sot dhe një parashikim të asaj çka do të jetë nesër.

Bëhet fjalë për nocione e norma principale të politikës, siç mund të jenë “demokracia”, “komunizmi”, “liria e fjalës”, “shkollimi për të gjithë”, “mbështetja e artit”, “pavarësia e universiteteve”, “hapja e dosjeve”, “reforma në drejtësi”, “interesi kombëtar”, “transparenca”, “zgjedhjet e lira e të ndershme” e shumë klishe të tjera që përdoren për të bombarduar emocionalisht dëgjuesin sipas qëllimeve të përdoruesit, për ta zbutur, zbythur a hedhur në revoltë. Natyrisht që pakkush prej politikanëve që i përdorin këto klishe po të pyetet më gjatë mbi kuptimin e tyre e ka ndonjë shpjegim më të thellë, pasi termat kryesisht paraqiten si koncepte të mirënjohura e të pranuara (mbi të cilat ngrihet mirëqenia dhe begatia që karakterizon këto njëzet vjet në Shqipëri!). Ca prej këtyre shprehjeve qëllimkëqija shfaqen rrallë, ca të tjera shfaqen më shpesh. Në këtë shkrim synoj të analizoj shkurt (dhe disi përciptazi) katër prej klisheve më të përdorura nga të gjitha palët në këto 20 vjet “demokraci”, klishe që do të meritonin një ekspozim më të gjatë e më ngulmues, për të treguar se sa të pasinqertë, se sa shpirtvegjël e mbi të gjitha sa të trashë janë ata që vijojnë t’i përdorin. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »