Arber Zaimi

Posts Tagged ‘PS’

Që çlirimi të mos jetë një formë e re pushtimi

In Artikuj on 30 Shtator, 2012 at 15:52

Njërin prej filmave të saj më kontroversialë, “La pelle”, Liliana Cavani e mbyll me një skenë të pështirë. Një banor i Napolit feston çlirimin e Italisë nga aleatët amerikanë pas Luftës së Dytë Botërore. Me të birin në krah e me një flamur kuqebardhë me shumë yje ai i afrohet tankeve i ekzaltuar, bashkë me turmën me gra e burra që falënderojnë çliruesin që i dha fund luftës. Tanket ecin ngadalë e hijerëndë. Një bjonde ngjitet sipër një tanku, puthet me ushtarët. Burri del para tankut me fëmijë në krahë, dhe valëvit flamurin amerikan i ngazëllyer. Befas pengohet, bie – dhe aty Liliana Cavani nuk heziton fare me kumtin pamor – zinxhiri i tankut e shkel, kafka i plas në mënyrë eksplicite, truri bëhet përshesh bashkë me zorrët e me të brendshmet. Mbeten të paprekura gjymtyrët, në të dyja anët e zinxhirit. Turma tronditet, ulërimat nisin, dhe njerëzit vrapojnë të pështirosur, ndërsa Marcello Mastroianni, në rolin e një kapiteni të mbetur nga ushtria perandorake italiane, përpiqet të marrë situatën në dorë.

Nejse. Me fillimin e fushatës elektorale, si pa të keq, lexoj nëpër media e dëgjoj nëpër emisione televizive të artikulohet si alternativë për “çlirimin” e vendit nga “shkatërrimi përfundimtar” një aleancë të mundshme të Edi Ramës me Ilir Metën. Arsyetimi është vetëshprehës dhe vetëpërmbushës – përderisa qëllimi i vetëm është të shkojë Berisha dhe kasta e tij – çdo mjet vlen. Duket se në PS deri diku ky propozim është rehatuar, dhe të rrallë janë zërat që kundërshtojnë fort këtë strategji, prezantuar si e domosdoshme; se s’ke ç’i bën; se politika i ka këto; se kompromisi është çmimi që duhet paguar për zgjidhjen; se as mua s’më pëlqen po si thua ti, të mbajmë Berishën; se edhe ti që kritikon kot bën moral, ça kujton se je… Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Reklama

Pamundësia për të ëndërruar (kundër hegjemonisë)

In Artikuj on 17 Shtator, 2012 at 23:46

The strength of the curve, 1930 – Tullio Crali

Ndërsa zhvillimi teknologjik ka bërë që mass-media, përcjellësi që lidh botët e brendshme të kujtdo me shumëkënd të evoluojë prej shtypshkrimit te fotografia bardh-e-zi, e më pas te ajo me ngjyra, pastaj te zëri nëpër radio, pamja në lëvizje (video), e gjer te tre dimensionet që mund t’i shohim në kinema – me aftësinë tonë për të ëndërruar ka ngjarë e kundërta. Dikur ëndërrat duket se kishin më shumë ngjyra, më shumë dinamikë e i qaseshin më tepër realitetit, ndërsa sot duket se ëndërrohen ëndërra të printuara në seri, si bartëse të një propagande të hapur, të thjeshtë e naïve, sepse të pandërgjegjshme. Duket sikur jemi në gjendje të ëndërrojmë vetëm kitsch, për të përdorur një këndvështrim interesant që dikur Walter Benjamin ua hodhi shoqërive të përparuara teknologjikisht.

Sot, kur një ideologji fondamentaliste e tregut dominon gjithë globin, ndërkohë që besohet pa skepticizëm e dyshim në “një dorë të padukshme”, ndërsa nuk hezitojmë t’i japim gjithçkaje një vlerë këmbimi (gjer edhe pasionit, idealit, besimit, besnikërisë, dijes, miqësisë e solidaritetit) ëndrrat e individit dhe të shoqërisë duken të tredhura. Janë kryesisht ëndrra hedonistësh konsumistë, që duan të kenë pará, duan të kenë njerëz nën hyqëm, të kenë prona materiale si shtëpitë a makinat, jomateriale si statusi social (ofiqet shkencore), apo njerëzore (të kenë në dispozicion partnerët më sexy, më fit, më fun dhe më smart që ofron tregu).

Kjo paaftësi për të ëndërruar nuk përjetohet fshehurazi e me turp, përkundrazi përbën një vlerë të trupëzueshme, për të cilën mund edhe të mburresh publikisht. Gjer edhe ata që duhet t’i japin shkëndijën nistore ëndrrave, pra të përkundërtit e aktualitetit – opozitarët, edhe ata gjenden po aq të gëlltitur në veshtullinë e përgjithshme (nuk e kam fjalën për afaristët apo pronarët, sepse nuk jam as i pari as i fundit që e them, po secili afarist e secili pronar është pushteti, e në thelb e ka të pamundur të jetë opozitar). Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

“Letra” e amerikanit

In Artikuj on 12 Shtator, 2012 at 18:05

Coca-Cola Santa, 1944 – Haddon Sundblom

Letra e ambasadorit amerikan për “Shekullin”, ku me demek ndërprikësh marrëdhëniet deri në një vendim tjetër, i shtohet groteskut elektoral të ditëve të fundit. Por nuk i shtohet si diçka thelbësisht e re, përkundrazi, ky eveniment është thjesht budallallëku i radhës në këtë estradë të stërzgjatur e të pakuptimtë që me dashamirësi po e quajmë “skenë politike shqiptare”.

Të të njëjtit nivel kanë qenë dhe reagimet ndaj “Letrës”, por sidomos mosreagimet. Ç’ka ndodhur? Edhe pse, si shqiptar i mirë që jam e di që duhet të tregohem i matur e i pjekur kah shkruaj, si shqiptar i mirë duhet të bëj çmos që të shmang përmendjen e të qenit shqiptar, e të flas sa më shumë për sende pa lidhje, të tërholl bisedën, të hyj në sofistikimet më të kota e të mos dal kurrë në thelb (se ashtu e do puna, se bota është e padrejtë, se s’ka gjësend tjetër veç realpolitikës, se mirë e kam po kështu s’bëhet, se nuk do gjej dot punë, se ne jetojmë prej Amerikës, se ata na çliruan Kosovën) – unë kam vendosur që në këtë shkrim të veproj ndryshe.

Meqenëse “Shkenca e komunikimit” na mëson se nuk qenkërkemi, por thjesht u dukërkemi, nuk e paskërkemi seriozisht, po thjesht lodrokërkemi, unë në rolin e parë të student kurajoz po marr përsipër që në këtë shkrim të luaj rolin e dytë e të padëshiruar të shqiptarit të keq. Domethënë, të shqiptarit që nuk e vret mendjen hiç për “shkencën e komunikimit”, të shqiptarit që përbuz lajle-lulet dhe lajkat ndaj “më të fortit”, të shqiptarit që beson se ndryshimi është i mundshëm, që angazhohet tek ky ndryshim, tek dashuria për të vërtetën, tek fjala, dhe tek qenia që del përsipër saj. Për arsye aspak “deontologjike” marr përsipër të them të vërtetën, ashtu siç, moti e kemi parë të gjithë tek ndodh. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Çështja e grave, kompromis apo konflikt

In Artikuj on 10 Shtator, 2012 at 17:49

Three Women, 1930 – David Burliuk

Çështja e grave, bashkë me një sërë çështjesh të tjera, ngrihen në përgjithësi sa herë që ka ndonjë qokë. Edhe kësaj radhe, për tetë marsin, nuk munguan debate e diskutime si garniturë e festive grarishte, nuk munguan fushatat ndërgjegjësuese, apo frazat e politikanëve që u përpoqën të kapitalizonin “kredite publike”, pra të fitonin pikë duke u marrë me çështjen e momentit, pra me problemet e grave.

Po cili është problemi i grave? Ca thonë që gratë kanë problemin e prezencës në sferat e larta të vendimmarrjes, e duhen ndihmuar me kuota. Ca thonë që gratë kanë nevojë për më shumë liri, që të bëjnë çkado që duan pa u ndjerë të detyruara. Ca thonë që gratë kanë nevojë për më shumë pushtet, pavarësi, vlerësim etj. Por këto përgjigje duken të pjesshme, e në një analizë të thellë, duken të bazuara mbi bindje jo tepër koherente në logjikën e atyre që i mbajnë. Pra cila është pyetja që duhet të shtrojmë, kujt duhet t’ia drejtojmë, e ç’përgjigje duhet  të presim, sa i përket problemit të grave? Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Lëmoshët e Berishës

In Artikuj on 18 Korrik, 2012 at 02:39

Toppkeller (Aquarell), 1925 – Rudolf Schlichter

Ish-presidenti i Francës, François Mitterrand kishte zakonin të thërriste herë pas here në takime një sërë filozofësh e intelektualësh nga akademitë franceze e të diskutonte me ta për çështje të aktualitetit politik e social të kohës. Përmes këtij gjesti Mitterrand-i e poziciononte veten qartësisht si një udhëheqës në traditën iluministe, që përpiqet ta afrojë pushtetin me urtësinë e të legjitimojë vetveten njëfarësoj. Nuk kemi të dhëna nëse programi qeverisës i Mitterrand-it përfitoi ndopak prej filozofëve, por ajo që mund të themi me siguri është që vetë intelektualët e ftuar nuk kanë parë ndonjë të mirë prej këtyre takimeve, përkundrazi. Përzierja me pushtetin ka hedhur hije mbi diskursin e tyre, duke shkaktuar keqinterpretime publike e duke iu mveshur atyre përgjegjësi simbolike për akte që në fakt i përkisnin ekskluzivisht politikës, pra duke i shfrytëzuar haptazi apo tërthorazi për qëllime nuk para përputhen me interesa të një filozofi apo të një intelektuali.

Në Shqipëri ne nuk kemi filozofë sepse nuk kemi akademi. Por nuk na mungojnë udhëheqësit e dashuruar pas spektaklit “iluminist” sepse edhe këtu pushteti e ndjen të nevojshme të marrë legjitimitetin moral nga një shtresë e ndriçuar. Kur “intelektualët gjenuinë” mungojnë, pushteti detyrohet të krijojë të tillë. Kandidatët kryesorë për të zënë vendin e filozofëve të munguar janë personat me akses në media e në publik. Grupi në fjalë është tepër heterogjen, dhe kushdo do ta kishte të vështirë ta përshkruante, por në një përpjekje përafruese do të mund ta ndanim në dy nënbashkësi, në atë të artistëve e në atë të intelektualëve. Kuptohet që të dyja termat po i përdor në sensin më të gjerë e më të zbrazët, pra nuk po quaj artistë vetëm ata që angazhohen në artin si procedurë e të vërtetës, as intelektualë s’po quaj vetëm ata që angazhohen në politikën si aksion. Në këtë artikull po përdor zhargonin popullor, po quaj artistë ata që prodhojnë argëtim për shtresa të ndryshme të publikut dhe intelektualë atë që ka diplomë. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »