Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Ritsos’

Athinë 1970

In Përkthime, Vjersha on 13 Shkurt, 2017 at 12:08
Yves Tangui - Të padukshmit, 1955

Yves Tangui – Të padukshmit, 1955

Yannis Ritsos (Jani Rico)

Nëpër këto rrugë
Njerëzit ikin; njerëzit
Nguten, duan me nxitim
Të largohen tej; të ikin tutje (nga çka?),
Të arrijnë (ku?) – nuk e di – jo fytyra –
Fshesa elektrike, çizme, kuti –
E kanë me ngut.

Në këto rrugë në kohëra të tjera
Njerëzit ecnin me flamuj të mëdhenj
E kishin një zë (më mbahet mend, e kam dëgjuar),
Një zë kumbues.

Tash,
Ata ikin, vrapojnë, nxitojnë,
Të palëvizshëm në nxitimin e tyre –
Vjen treni, ata hipin, shtyjnë njëri-tjetrin;
Dritë e kuqe, e gjelbër;
Portieri pas xhamit të sportelit;
Kurva, ushtari, kasapi;
Muri është i hirtë, më i lartë se koha.

E as statujat s’po munden të shohin.

Reklama

Kanata e liruar

In Përkthime, Vjersha on 2 Korrik, 2015 at 14:13

 

Marcel Mouly - Dritare e hapur, Greqi

Marcel Mouly – Dritare e hapur, Greqi

U thashë marangozëve, u thashë ndërtimtarëve, u thashë elektriçistëve

I thashë edhe çirakut të bakallit: “Rregullojeni atë kanatë;

se gjithë natën, e dalë prej vendit, gërvin në erë,

s’më lë të fle. Pronari s’është aty. Ajo shtëpi po rrëgjohet.

Askush s’ka banuar aty prej më se dymbëdhjetë vitesh. Fiksojeni atë kanatë. Ua paguaj unë.”

“S’kemi të drejtë,” më thanë. “Nuk mund të ndërhyjmë,” më thanë.

“Pronari s’është aty. S’hyjmë dot në shtëpinë e tjetërkujt.” Kjo qe ajo që shpresoja,

çka dëshiroja të më thoshin, pra të pranonin se nuk kishin të drejtë.

Ta linin të qetë kanatën, ta linin të gërvinte prej erës që frynte mbi oborr

mbi sternat e zbrazëta me kërmij e hardhuca,

me akrepë, me çikrikë të zbrazët, me xhama të thyer. Ajo gërvimë

më jep argument, ajo ma mundëson gjumin gjatë natës.

Shkurt 1969

Yannis Ritsos

I treti

In Përkthime, Vjersha on 6 Mars, 2012 at 13:01

Tre djem qenë ulur pranë dritares edhe shihnin detin

Njëri fliste për detin. I dyti mbante vesh. I treti

as fliste e as dëgjonte; ai qe zhytur thellë në det, notonte.

Tej xhamave të dritares lëvizjet e tij ngjanin të ngadalta, të qarta

në kaltërsinë e thellësive. Po eksploronte një anije të mbytur.

Për kureshti i ra kambanës së alarmit të anijes së vjetër; flluska të vogla

dolën në sipërfaqje me një zhurmë të butë – befasisht,

“Mos u mbyt?” pyeti i pari; tjetri tha: “U mbyt.”

I treti

i shihte prej fundit të detit me keqardhje, me atë shikim

që ne shohim njerëzit e mbytur.

 

Yannis Ritsos

përktheu arbër zaimi