Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Shqipëria’

“Letra” e amerikanit

In Artikuj on 12 Shtator, 2012 at 18:05

Coca-Cola Santa, 1944 – Haddon Sundblom

Letra e ambasadorit amerikan për “Shekullin”, ku me demek ndërprikësh marrëdhëniet deri në një vendim tjetër, i shtohet groteskut elektoral të ditëve të fundit. Por nuk i shtohet si diçka thelbësisht e re, përkundrazi, ky eveniment është thjesht budallallëku i radhës në këtë estradë të stërzgjatur e të pakuptimtë që me dashamirësi po e quajmë “skenë politike shqiptare”.

Të të njëjtit nivel kanë qenë dhe reagimet ndaj “Letrës”, por sidomos mosreagimet. Ç’ka ndodhur? Edhe pse, si shqiptar i mirë që jam e di që duhet të tregohem i matur e i pjekur kah shkruaj, si shqiptar i mirë duhet të bëj çmos që të shmang përmendjen e të qenit shqiptar, e të flas sa më shumë për sende pa lidhje, të tërholl bisedën, të hyj në sofistikimet më të kota e të mos dal kurrë në thelb (se ashtu e do puna, se bota është e padrejtë, se s’ka gjësend tjetër veç realpolitikës, se mirë e kam po kështu s’bëhet, se nuk do gjej dot punë, se ne jetojmë prej Amerikës, se ata na çliruan Kosovën) – unë kam vendosur që në këtë shkrim të veproj ndryshe.

Meqenëse “Shkenca e komunikimit” na mëson se nuk qenkërkemi, por thjesht u dukërkemi, nuk e paskërkemi seriozisht, po thjesht lodrokërkemi, unë në rolin e parë të student kurajoz po marr përsipër që në këtë shkrim të luaj rolin e dytë e të padëshiruar të shqiptarit të keq. Domethënë, të shqiptarit që nuk e vret mendjen hiç për “shkencën e komunikimit”, të shqiptarit që përbuz lajle-lulet dhe lajkat ndaj “më të fortit”, të shqiptarit që beson se ndryshimi është i mundshëm, që angazhohet tek ky ndryshim, tek dashuria për të vërtetën, tek fjala, dhe tek qenia që del përsipër saj. Për arsye aspak “deontologjike” marr përsipër të them të vërtetën, ashtu siç, moti e kemi parë të gjithë tek ndodh. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Reklama

Miza nën kësulën e zotit Buzhala

In Artikuj on 22 Qershor, 2012 at 13:27

Ruhende Kuhe, 1911 – Franz Marc

Detyrohem ta hap këtë tekst duke kërkuar falje lexuesve që nuk kam shkruar sot për rrugën ku po e çojnë Kosovën negociatat me Serbinë, që nuk po shkruaj për monopolin privat që po krijohet me privatizimin e rrjetit të distribucionit (gjë që s’ka teori ekonomike që ta mbrojë), që nuk po shkruaj për nevojën për plan zhvillimor për të dalë nga varfëria, as për nevojën për një shtet të fortë për të luftuar kalbjen e korrupsionin që po gërryen nga brenda e po e shthur stofin social. Pra jo se s’ka për çfarë të shkruaj, po sot po e marr hapësirën që “Express” po ma dhuron me zemërgjerësi për diçka tepër të parëndësishme, për t’i kthyer përgjigjen z.Buzhala që më përmend emrin në kontekste të pasjellshme, në një shkrim të mbushur me insinuata për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, që është subjekti i parë politik në të cilin jam angazhuar gjatë jetës sime, sepse subjekt tjetër ende s’kam njohur ndër shqiptarët modernë, kaq të aftë për t’u organizuar në banda e në zhgane pushteti e kaq të paaftë për t’u mbledhur e për t’u bërë bashkë në të mirë të popullit e vendit të vet. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Serbia heq makiazhin

In Artikuj on 21 Maj, 2012 at 16:14

Serbia heq makiazhin

The Mask with the Little Flag, 1925 – Paul Klee

Të vetmit që u habitën për fitoren e Tomisllav Nikoliçit në zgjedhjet presidenciale të Serbisë ishin europianistët paternalizues të Brukselit, këta babaxhanë që kujdesen kaq shumë për mbarëvajtjen e marrëdhënieve mes popujve të Ballkanit. Në sytë e tyre ballkanasit janë ende fëmijë, e fëmijët janë të paditur, të paformuar, me një subjektivitet të mangët.

Mirëpo habia e baballarëve europianë me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale serbe nuk zgjati shumë. Në fund të fundit ata kanë vendosur t’ia njohin Serbisë statusin e fëmijës të preferuar, atij fëmije që edhe kur e bën “llum”, shpëton vetëm me ndonjë heqje veshi e pas ca orësh veç ia rinisin me lazdrime, karamele e çokollata.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

21 janari si parathënie

In Artikuj on 13 Maj, 2012 at 15:09

Fëmijët e të rënëve

The hat makes the man, 1920 – Max Ernst

Shumë fjalë janë thënë, shumë do thuhen për baballarët e vrarë e të sharë prej pushtetit shtypës e kriminal, po ndër to vetëm një është e vërteta – ata ranë martirë të thirrjes për drejtësi, dëshmorë të mosdorëzimit, të besimit se asnjëri prej atyre që zdërhallen mbi gjakun e djersën e popullit nuk mund të pretendojë të drejtojë në emër të të njëjtit popull.

Edhe pse ajo demonstratë u thirr nga drejtues që me sa duket s’mëtojnë gjë tjetër pos të njëjtin pushtet me të njëjtat mënyra, edhe pse ajo demonstratë u ndez nga publikimi mediatik i një filmi të vjellë nga zorrët e sistemit, me një fjalë edhe pse denoncuesi ishte i së njëjtës stofë me të denoncuarin, ata nuk dolën as për pushtetarët partiakë, as për median, as për filmin e aq më pak për denoncuesin. E rrethuan simbolin qendror të shtypjes në emër të drejtësisë bashkë me dhjetra mijëra kokëpalarë, që edhe po të ndryshonin partitë e dinin fare mirë se nuk do t’i iknin atypëraty skamjes. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Moskokëçarjet për Mitrovicën

In Artikuj on 22 Prill, 2012 at 11:45

Honor Pythagoras, 1964 - Alfred Jensen

Pavëmendja e opinionit publik mbi tragjedinë e pandërprerë të shqiptarëve që jetojnë në veri të lumit Ibër, apo soditja e Mitrovicës nga larg – si një vend i mjerë e i përtejmë ndaj të cilit s’kemi ndonjë detyrim përveçse t’i dedikojmë dy-tre komente të cekëta gjatë kohës që shohim lajmet – përbën një shfaqje interesante të dukurisë politike që në përgjithësi do të mund të quhej “konformizëm”, apo pranim i sundit si realitet objektiv, në një formë të dhënë. Ky (mos)reagim i publikut në fakt përputhet me linjën politike që ndjekin hierarkitë e pushtetit, e ky botëkuptim nuk e ka patur të vështirë të bëhet hegjemonik ndër shqiptarë (edhe pse në dëm të tyre).

“Të mos e vrasësh mendjen për shqiptarët” është paradigma e pushtetit ndërkombëtar që e kthen përmbys dynjanë kur rrihet ndonjë serb – pavarësisht kontekstit, ndërkohë që shfaqet i habitur e i indinjuar kur shqiptarit në mes të qytetit i vendoset tritoli në shtëpi, i merret jeta e i dhunohen fëmijët. Ky standard i dyfishtë shfaqet edhe në qëndrimin “konstruktiv” që u mbajt kur u arrestuan punonjësit e Ministrisë së Brendshme të Serbisë në mes të Kosovës, të cilët shumë shpejt u liruan që të mos mërzitej shefi i tyre Ivica Daçiç, dikur beniamin i Sllobos famëkeq. Ndërsa serbët mbajtën në gjendje arresti (pa arsye, siç u shprehën dhe monitorues të Amnisty Int.) një sindikalist shqiptar për më shumë se një muaj, arrestuan policë të Kosovës e ish-pjesëtarë të UÇK-së pa teklif, organizojnë zgjedhje e mbajnë në këmbë strukturat paralele në Kosovë të cilat veprojnë haptazi edhe pse ilegale, pa u përballur me ndonjë presion a sanksion të mirëqenë. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Eksportojmë trupa, importojmë tru

In Artikuj on 27 Shkurt, 2012 at 02:33

Qëllon shpesh që shqiptarët e rinj, shumica e atyre që po jetojnë dekadën e dytë a të tretë të jetës së tyre e gjejnë veten para një dileme shumë të madhe: Të shkojnë jashtë shtetit që të zhvillojnë potencialin e tyre fizik e shpirtëror, që të ndjekin talentet e vokacionet e tyre e që të mbërrijnë një mirëqenie ekonomike; apo të rrinë në atdhe, pranë njerëzve që duan, pranë familjes së tyre, pranë qytetit, apo shoqërisë. Dilemë e dhimbshme kjo, për të ardhmen individuale të sakrifikosh të ardhmen shoqërore. Dilemë që jo rrallë rezulton në vendimin për të braktisur qytetarinë si një projekt i përbashkët, e të shkosh në emigracion për t’u përballur me procese të integrimit individual, apo siç do të quhej në gjuhë sociologjike, procese të tëhuajësimit.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

“Parajsa” që e quajmë Evropë

In Artikuj, Ese on 27 Shkurt, 2012 at 02:07

Ideologjia e dedikimit ndaj BE, si shuarje e mohim i subjektit plural (popullit politik)

Ideologjia perëndimoro-evropianiste, dominimi i opinionit publik e politik prej premtimeve të pambarimta të politikanëve të të gjitha palëve, në Shqipëri ka marrë përmasa të stërmëdha. Disidenca e kritika ndaj kësaj ideologjie nuk pritet mirë, përkundrazi, përbuzet e kundërshtohet haptazi, duke të kujtuar në një farë mënyre hegjemoninë e një tjetër ideologjie, asaj para ’91. Por nëse totalitarizmi i shkuar u shfaq si një tragjedi, ky i dyti – për të kujtuar parashikimin e Hegelit – shfaqet si farsë. Duket komike të shohësh se si në pluralizmin e shumëpritur palët kritikojnë njëra-tjetrën se kush është më në përputhje me udhëzimet e BE-së apo të miqve tanë perëndimorë. Politikanët garojnë me dekorata që shpallen në progres-raporte, dhe kritikojnë njëri-tjetrin po me ato progres-raporte. Ministrat mburren për kontribute konstruktive kombëtare në strukturat ndërkombëtare. Me pak fjalë, janë të gjithë në të njëjtën rrugë, ecin në të njëjtin drejtim, i shërbejnë qëllimit të njëjtë, dhe akuzojnë njëri-tjetrin për sabotazh, apo për ngadalësim të procesit. Dhe këtë e quajnë pluralizëm… Gjithçka merr formën e melodramës dhe anon nga komikja, nëse mban parasysh psh. diskutimin që zhvillohet aktualisht në BE, apo rëndësinë që paraqet Shqipëria për vetë BE-në. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »