Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Szymborska’

Ndërrimi i Shekujve

In Përkthime, Vjersha on 17 Shkurt, 2017 at 18:16
Marie Cerminova - Fshih vetveten, 1944

Marie Cerminova – Fshih vetveten, 1944

Wislawa Szymborska (Visllava Shimborska)

Menduam se do qe më i mirë se të tjerët
Shekulli ynë XX
Por tash ai s’ka më kohë të dëshmohet i tillë
Vitet i ka të numëruar
Hapat të pasigurtë
Fryma i mbahet.

Tashmë shumëçka ka ndodhur
Që s’duhet të kishte ndodhur
E ato çka i prisnim
Nuk erdhën.

Pranvera duhej të ishte duke ardhur
Bashkë me lunturinë, mes gjërash të tjera.

Frika duhej t’i linte malet e fushat.
E vërteta duhej të mbërrinte para së vërtetës.

Ca gabime
Nuk do të duhej të ndodhnin më
Përshembull luftërat, uria e kështu me radhë.

Këto do të duhej të ishin respektuar:
Pambrojtësia e të pambrojturve,
Besimi e gjëra të tilla.

Cilido që donte të shijonte botën
Përballet me një qëllim të pamundur.

Idiotësia nuk është qesharake.
Dija nuk është zbavitëse.

Shpresa
Nuk është më ajo vajza e vogël
E të tjera. Medet.

Zoti më në fund qe gati të besonte tek njeriu:
I mirë e i fortë,
Por i miri e i forti
Janë ende dy njerëz të ndryshëm.

Si të jetoj – dikush ma bëri këtë pyetje në një letër,
Dikush të cilin kisha dashur
Ta pyesja për të njëjtën gjë.

Sërish e si gjithmonë
Siç u tha dhe më lart
S’ka pyetje më urgjente
Se pyetjet naive.

 

Arbër Zaimi

Reklama

Urrejtja  

In Përkthime, Vjersha on 8 Nëntor, 2014 at 20:49

 

Wislawa Szymborska

 

Le Canot, 1913 - Jean Metzinger

Le Canot, 1913 – Jean Metzinger

Shih se si vazhdon të funksionojë

Se si e mban veten në formë –

Urrejtja e shekullit tonë.

Sa lehtë i kapërcen më të lartat pengesa.

Sa shpejt brof, e na mbërthen.

 

Nuk është si ndjenjat e tjera.

Njëherazi e moçme dhe e re.

I lind vetë arsyet

Që i japin jetë.

Dhe kur fle, kurrë s’është gjumë i përjetshëm.

Pagjumësia nuk ia shter forcat; e ushqen.

 

Një fe apo një tjetër –

Çkado që e thërret të jetë gati, në pozicion.

Një atdhe apo një tjetër –

Çkado që e ndihmon që ta rimarrë rendjen e vet.

Drejtësia arrin ta platisë disi kur nis të lindë

Gjer kur urrejtja ta rrisë ortekun e vet që po vërvitet.

Urrejtje. Urrejtje.

Fytyrën shtrembëruar në grimasa

Ekstaze erotike.

 

Oh këto ndjenjat e tjera,

Dobësira që s’i nxë lista.

Që kur vallë vëllazëria

Josh turmat?

Kur vallë dhembshuria

E fitoi garën?

A arrin ndonjëherë dyshimi ta ngrejë peshë turmën?

Veç urrejtja mbërrin t’i bëjë këto.

 

E talentuar, e zellshme, punëtore e madhe.

A ka nevojë t’i përmendim gjithë këngët që ka kompozuar?

Gjithë faqet që i ka shtuar në librat tanë të historisë?

Gjithë qilimat njerëzorë që i ka shtruar

Në sheshe të panumërta qytetesh e fusha futbolli?

 

Le ta pranojmë:

Ajo e di se si mund të bëhet bukuria.

Zjarret e shndritshme që shkëlqejnë në qiej mesnatash.

Bomba madhështore që shpërthejnë në ag të trëndafiltë.

S’mund ta mohosh pathosin frymëzues dalë prej gërmadhave

Dhe një humor të ndyrë që mund të gjendet

Në togën e guximtarëve që shquhen mes të tjerëve.

 

Urrejtja është mjeshtre e kontrastit:

Mes zhurmës së shpërthimeve dhe heshtjes mortore,

Të kuqes së gjakut dhe të bardhës së borës.

E mbi të gjitha kurrë nuk lodhet

Prej lejtmotivit të saj – xhelatit të pagabueshëm

Që ngrihet mbi viktimën e ndyrë.

 

Është gjithnjë e gatshme për ndryshime të reja.

Por edhe mund të presë paksa, nëse i duhet.

Thonë se është e verbër. E verbër?

Ka shikimin e mprehtë të snajperit

Dhe sheh qerpikpadridhur drejt tek e ardhmja

Siç mund të bëjë vetëm ajo.