Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Turbocinizëm’

Djali dhe vajza e pasanikut

In Artikuj on 5 Korrik, 2012 at 18:50

Bildnis der Journalistin Sylvia von Harden, 1926 – Otto Dix

Çdo ditë shkoj të fitoj bukën e gojës

Në pazarin ku shesin gënjeshtra

Do zoti

Dhe gjej një vend nga an’e shitësve

Bertolt Brecht – Hollywood

U ula të shkruaj me ide të qartë në kokë, një analizë për privatizimin e çuditshëm të llotarisë kombëtare në Tiranë, si dhe për privatizimin e rrjetit të distribucionit të energjisë elektrike në Kosovë, dy fenomene të papranueshme nga cilado normë politike e ekonomike, dy privatizime të monopoleve publike që si pasojë do të sjellin të dyja zgjerim të hendekut a honit që ndan shqiptarët e pasur nga ata që nuk kanë kohë të dinë se janë të varfër. Mora do raporte e do shifra, do shënime prej ekonomistëve që lexoj, e bash kur hyra në internet për t’u konsultuar me gazetat për dy privatizimet respektive, më dalin përpara dy lajme, të dyja të botuara në gazeta tepër serioze të nivelit udhëheqës sa i përket shitjeve (meqë kemi vendosur që kush shet – udhëheq).

Lajmi i parë, që të mos zgjatem, vdekja e një tjetër minatori në galeritë e minierave ilegale në Bulqizë. Revolta tashmë është rreshkur, është bërë trishtim. Ngjet si fatkeqësi, edhe pse është veç krim, drejtpërdrejti krim. Lajmi i dytë, po në këtë gazetë udhëheqëse, kish të bënte me pushimet e djalit të pronarit të gazetës, një farë rioshi që në fotografinë e vendosur online, shullëhej nën diellin e plazhit në Ibiza. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Reklama

Pengjet e Ferronikelit

In Artikuj on 25 Mars, 2012 at 13:20

Evocation d'une ille, 1870 - Victor Hugo

Më nj’anë konfuzioni gjeopërfytyrues i krijuar prej rrjeteve shoqërore virtuale, m’anë tjetër paaftësia për të lexuar shkallët e hartave, po sjellja e përgjithshme e njerëzve në Prishtinë të lë të mendosh se pakkush e di që Drenasi e impianti masiv i shkrirjes së xeheve është diku më pak se 20 km. larg. Praktikisht është në derë të shtëpisë të çdo prishtinaliu, e po të mos qe për një farë imponimi të politikave “decentralizuese”, Drenasi do të qe thjesht një prej lagjeve të jashtme të Prishtinës.

Rrallëkujt në Prishtinë i bie ndërmend ta vizitojë qytezën, e cila për më tepër gjendet në një tjetër njësi administrative (komuna e Drenasit), e tradicionalisht është pjesë e një tjetër krahine (Drenicës). Për më tepër, Prishtina është kryeqytet, Drenica është zonë rurale, me gjithë qytezat e veta që ndërtohen rreth një gërshetimi të jetës agrare e asaj industriale apo minerare, kryesisht të zhvilluar në kohë të komunizmit jugosllav. Kryeqytetasit katundari i duket distant, pavarësisht largësisë reale. Kundërvënia dialektike mes kryeqytetasit wannabe metropolitan dhe katundarit që jeton në fisin e familjen feudale shfaq dhe sipërfaqje spektakolare e politike. Prishtinaliu shpesh cinik, ironik, nuk angazhohet fizikisht në politikë, veç voton, sepse ka punët e veta. Prishtinaliu e do dhe e përkrah stabilitetin dhe stagnacionin tradicionalist tipik borgjez. Ndërsa drenicaku voton për PDK-në, se ata luftuan, se ata çliruan. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »