Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Zdanevich’

sonatë ekstremiste

In Vjersha on 25 Prill, 2015 at 16:34
Kompozicion kubo-futurist me figura, Kirill Zdanevich, 1921

Kompozicion kubo-futurist me figura, Kirill Zdanevich, 1921

kur nata shtjellohet në rrugët e gotës

asht momenti ma i mirë për t’u parë me mjekun

truni rreh si i mpimë nën cipën e borës

si i vdekun

 

ti i lyp një shkëndijë, dikush shet cigare

të tjerë hanë, a shkërdhehen, a pështyjnë, a flenë

a peshojnë me pare çdo trup sepse marre

s’u vjen

 

dy poetët në park marrin poza herojsh

nji lypsar endacaken flokëgjatë e rreh dhe e ther

dhe barkboshi i pshurr dy poetët e gdhendur

n’mermer

 

a dilet në një natë të tillë prej mejhanes

në kët’ borë e kët’ baltë e të ftohtë të ndyrë

rri n’tryezë e mejhanxhiut ia përplas të palarat e tua

në ftyrë

 

kur çdo shpresë shpërbëhet nën dhunën e rrotës

dhe përnatë në gostinë e bollshme të frikës darkon i papunë

i largohesh gjithë botës dhe përngjahesh me gotën

të premte

të shtunë

 

nji polic dhe dy romë ulërijnë tallava

fërshëllejnë nji vijë melodike të dhjerë sa për pije

nji snob duke ngrënë shan Shostakoviçin

gromësimë barazie

 

ja ku vjen dhe doktori armatosur me syze

t’i rrëfejë narratorit se qysh iu krimb truni

t’ia zhgroposë sekretet që kalben në shpirtin

prej druni

 

e merr mjeku kët’ punë me profesionizëm

narratorin gjithë kujdes e lëmon dhe e prek

aty ku kushdo sheh me menefregizëm

nj’odradek

 

dhe e zhvesh dalëngadalë si ta kishte dashnore

tue ia kqyrë me vëmendje drithërimën

narratorit i trembet e i dirset çdo pore

për vrimën

 

jo për vrimën e vet po për vrimën e botës

që s’e mbulon dot as gota as bora

s’i mungojnë botës planet a idetë për ta mbushur kët’ vrimë

por dora

Reklama