Arber Zaimi

Archive for the ‘Uncategorized’ Category

Pajtimi i njeriut

In Uncategorized on 29 Qershor, 2018 at 00:45

Aubrey Williams – Death and the Conquistador 1959

A s’është e shenjtë zemra ime, përplot jetë të bukur

Ç’prejse dashuroj? Pse çmohesha më tepër

Mendjemadh e nopran

Fjalaman e i zbrazët kur isha?

 

Ah! Turma vlerëson veç mallin në treg

Dhe shërbëtori nderon veçse të dhunshmin

Te e perëndishmja besojnë

Veç ata që të tillë janë vetë.

 

F. Hölderlin

Përktheu A. Zaimi

Mendo për të tjerët…

In Uncategorized on 10 Nëntor, 2014 at 14:16

 Mahmood Darwish

 

Pa titull, 1986 - Massoud Arabshahi

Pa titull, 1986 – Massoud Arabshahi

Kur përgatit mëngjesin, mendo për të tjerët.

Mos harro të ushqesh pëllumbat.

Kur bën luftërat e tua, mendo për të tjerët.

Mos i harro ata që duan paqë.

Kur paguan faturën e ujit, mendo për të tjerët.

Mendo për ata që s’kanë nga të marrin ujë, pos nga retë.

Ndërsa shkon në shtëpi, në shtëpinë tënde, mendo për të tjerët

Mos i harro ata që jetojnë nëpër tenda.

Ndërsa fle, e numëron planetët, mendo për të tjerët

Ka edhe gjind që s’kanë se ku të flenë.

Ndërsa çliron shprehjen tënde përmes metaforash mendo për të tjerët

Ata që e kanë humbur të drejtën për të folur.

Dhe kur mendon për të tjerët e largmë

Mendo për veten edhe thuaj

“Dua të jem kandil në errësirë.”

Alzheimer

In Uncategorized on 19 Shtator, 2014 at 22:58

 

Sunshine_and_snow,_Halligarth,_Baltasound_-_geograph.org.uk_-_1691774Mbi krahinat e tua u shtrua dalëngadalë dëbora

Dhe mjegulla mbështolli

Së pari malet

Prej nga mund të kesh parë dikur ndonjë horizont të largmë

Në majat ku sa shumë herë ke ndenjur bashkë me ne

Ke parë kohën të ndalet

Ke parë mijëra përrenjtë e së ardhmes

Që vijnë e kullojnë e bëhen një i vetëm

Në luginën ku hodhe themelet e shtëpisë që na ke dhënë

Që unë e prisha, pa të thënë

 

 

E squllët mjegulla, ngjan si jastëk që shtyp orteqet

E rëndë, varet shpateve ku bora mbush hendeqet

Ku kemi qenë bashkë gjatë vjeshtës

E gjatë verës tënde, shtigjet ku

Në pranverë je endur i vetmuar

Apo me miq të tjerë

Që unë s’i njoh e që ti s’i mban më mend

Dëbora nis e hollë të mbulojë çdo të shkuar

E vonë, e gjithçka zbardhet për të zhdukur dyshimet

ngjyrat, alarmimet

Mbeten të errëta e të pambushura prej borës

Veç honet edhe gërxhet më të hershëm

Që rrallë përshkohen nga ndonjë vështrim i marrë mendsh

Ndonjë mendim i përmalluar a i mnershëm

 

 

Gjithë një fletore e zbrazët

Pa asnjë njollë kafeje a rakie

S’ka më asgjë të bukur për t’u ritreguar

Një shkretëtirë ku rëra s’është veç grimca historie

Gjithçka e mbulon bora dhe harresa

Dhe drita që lbyr sytë e tu të gjelbër

Brigjet e qetësisë s’i lag dot më as dallgë e fajit apo ndonjë mburrje

E as pendesa

Teshtimë prej kokëpalari

In Artikuj, Ese, Uncategorized on 31 Gusht, 2012 at 15:08

Arbër Zaimi

Family (A Child Shall Lead Them), 1932 – George Grosz

Ftohma njeriun e kap me kollë e me teshtima, e këto janë të bezdisshme, të zhurmshme, mund t’ia ngjisin virusin të tjerëve, ndaj kërkush s’ka qejf të rrijë gjatë me kë teshtin a kollitet. I sëmuri, fillimisht synon ta zgjidhë problemin me vetveten. Për të mos vënë në siklet të tjerët, ja rri në shtëpi e izolohet, ja përpiqet ta zbusë kollën me ndonjë shurup a çaj të nxehtë, ndërsa teshtimat i mbyt duke zhytur hundët në shami e duke bërë lloj-lloj marifetesh (duke mbajtur frymën, duke pickuar majën e hundës e të tjera gjëra qesharake, si këto).

Mirëpo historia (magistra vitae) rrëfen faktin imponues, që teshtimat e kollitjet kanë vazhduar, pavarësisht marifeteve e shurupeve. Afërmendsh, nuk mjaftojnë hiletë për ta ndaluar përgjigjen reflektive të organizmit ndaj shqetësimeve të brendshme, në këtë rast viruseve që shkaktojnë të flamosurën ftohmë. Duhet tjetër zgjidhje.

Një zgjidhje qesharake do të qe receta e tiranit, një dikush arrogant që synon të shmangë menjëherë bezdinë. E tillë zgjidhje do të qe psh. lëshimi i një urdhri për të ndaluar me dhunë kollën e teshtimat, apo për t’i kërcënuar, rrahur e përzënë autorët e këtyre gjesteve bezdisëse. Po sot zor se gjen njerëz kaq të trashë e të pasjellshëm (apo ndoshta gjen?) sa të lëshojnë të tillë urdhra, e sërish kjo nuk e ndalon as kollën e as teshtimën. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »