Arber Zaimi

Archive for Gusht, 2012|Monthly archive page

Teshtimë prej kokëpalari

In Artikuj, Ese, Uncategorized on 31 Gusht, 2012 at 15:08

Arbër Zaimi

Family (A Child Shall Lead Them), 1932 – George Grosz

Ftohma njeriun e kap me kollë e me teshtima, e këto janë të bezdisshme, të zhurmshme, mund t’ia ngjisin virusin të tjerëve, ndaj kërkush s’ka qejf të rrijë gjatë me kë teshtin a kollitet. I sëmuri, fillimisht synon ta zgjidhë problemin me vetveten. Për të mos vënë në siklet të tjerët, ja rri në shtëpi e izolohet, ja përpiqet ta zbusë kollën me ndonjë shurup a çaj të nxehtë, ndërsa teshtimat i mbyt duke zhytur hundët në shami e duke bërë lloj-lloj marifetesh (duke mbajtur frymën, duke pickuar majën e hundës e të tjera gjëra qesharake, si këto).

Mirëpo historia (magistra vitae) rrëfen faktin imponues, që teshtimat e kollitjet kanë vazhduar, pavarësisht marifeteve e shurupeve. Afërmendsh, nuk mjaftojnë hiletë për ta ndaluar përgjigjen reflektive të organizmit ndaj shqetësimeve të brendshme, në këtë rast viruseve që shkaktojnë të flamosurën ftohmë. Duhet tjetër zgjidhje.

Një zgjidhje qesharake do të qe receta e tiranit, një dikush arrogant që synon të shmangë menjëherë bezdinë. E tillë zgjidhje do të qe psh. lëshimi i një urdhri për të ndaluar me dhunë kollën e teshtimat, apo për t’i kërcënuar, rrahur e përzënë autorët e këtyre gjesteve bezdisëse. Po sot zor se gjen njerëz kaq të trashë e të pasjellshëm (apo ndoshta gjen?) sa të lëshojnë të tillë urdhra, e sërish kjo nuk e ndalon as kollën e as teshtimën. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Lindja e Korrupsionit dhe “Simptoma Meta”

In Artikuj on 23 Gusht, 2012 at 11:14

Paraqitja televizive e bisedave të turpshme mes Metës e Priftit ishte ngjarja e vitit të shkuar. Ekzistenca e kësaj videoje kishte kohë që përflitej, Prifti e kish përmendur kërcënueshëm ekzistencën e këtij materiali filmik që kur u “zu” me LSI-në, e megjithatë të gjithë (madje dhe Meta) mbetën të habitur nga publikimi. Kjo ishte tema kryesore e bisedave, u rrah ndër tavolina, indinjoi njerëz të ndershëm, bëri të buzëqeshin njerëz që “e kishin parashikuar”, e vuri në pozitë të vështirë njerëz që për një arsye apo për një tjetër kanë lidhur fatin e tyre me “kampin qeveritar”, çkado që të jetë domethënia e këtij kampi.

Që të jetë e qartë që në fillim, efekti i videos nuk është zbulimi apo denoncimi i korrupsionit. Korrupsioni dihej që ishte, madje korrupsionin shoqëria jonë tashmë e ka gëlltitur si diçka normale. Efekti kryesor i videos, ai për të cilin flitet më pak sepse kërkon pak më shumë impenjim, është pikërisht fakti se kjo video e shfaq korrupsionin në vërtetësinë e tij, jo si shkak të gjendjes së mjerueshme të politikës e të politikes, por pikërisht si simptomë të këtij mjerimi. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Shënime mbi Kronikën e Zezë

In Artikuj on 22 Gusht, 2012 at 16:56

Einsamer Grosstadler, 1932 – Herbert Bayer

Arbër Zaimi

Një babë vret vajzën. Dikush, diku tjetër vret një fëmijë për gjakmarrje, e për dhjetë ditë gjaku shuan edhe gjashtë jetë të tjera. Dikush hedh foshnjën e sapolindur nga materniteti, dikush vret nënën në sy të fëmijëve për të vjedhur varësen, dikush vret ish-punëtorin e nxehur se ka mbetur pa punë, pastaj vret dhe veten, e pastaj ia copëtojnë kufomën në shenjë shpagimi… Shumëkush rreh, bërtet, vjedh e vidhet, vret e vritet. Kronika e zezë po shndërrohet në një sport ku Shqipëria po shënon rekordet e veta, e ku duket se po garon suksesshëm edhe në nivele ndërkombëtare. Në muajt e fundit kam dëgjuar për më shumë raste krimesh të rënda, vrasjesh, dhunimesh e vetëvrasjesh (s’po i fus në një thes, po meqë janë në të njëjtën faqe gazete), sa kurrë ndonjëherë në jetën time – e unë gazetat i lexoj rregullisht.

S’jam i vetmi që e kam ndjerë duhmën që ka pllakosur, përkundrazi. Reagime ka plot, në media, në rrjete sociale, në tryeza shtëpish e kafenesh. Ato variojnë që prej qëndrimeve religjioze, që thërrasin për një rikthim në zot e në fe, e gjer te qëndrimet konservative borgjeze, që thërrasin për më shumë ndëshkim e për rikthim të dënimit me vdekje. Opozitarët nuk mënojnë t’ia hedhin fajin qeverisë, shkaku i papunësisë e i varërisë, e qeveria ia hedh fajin depresionit global e pjesërisht edhe opozitës, e cila pengon ecurinë e dogmës politike të kohës, integrimit evropian. Psikologët thirren në media e lëshojnë fjali klishe, jo “shthurja e familjes”, jo “lëvizjet demografike”, jo “stresi ekonomik” e të tilla sende. Qëndrime ka aq sa ka edhe njerëz, e ndoshta te të gjitha gjen arsye, diku përzier me mllef, diku me pamundësinë për të hapur syte, diku me cinizmin, diku me melankolinë e diku me mosbesimin… Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Fyell me ashtin e shpinës – 2

In Përkthime, Vjersha on 7 Gusht, 2012 at 10:06

Bathing, 1911 – Aristarkh Lentulov

Majakovski

 

Dhe qiellin,

që harron se është i kaltër përmbi vranësirë,

dhe retë që vrapojnë si refugjatë allasoj,

me agim t’dashnisë s’fundme nuk i lë në errësirë

me jerm tuberkulozi, unë fort do i ndriçoj.

 

Dhe me lumturi do ta klith ulërimën

e turmës

që s’gjen as rehat as shtëpi.

Dëgjoni,

o popull!

Dilni llogoresh e gjer në front

Për luftë ka kohë pastaj, s’ka pse tani.

 

Dhe nëse

në kalamendje e marramendje, gjakprishur si Baku

e dehur pra vijon edhe vijon beteja –

e as atëherë fjalët e dashurisë s’vjetërohen.

Gjermanë të dashur!

e di

se Gretcheni i Goethes duhet

t’ju jetë gdhendur në buzë.

Francezi

jep shpirt buzagaz përmbi bajonetë

piloti i qëlluar me qejf do të rrëzohej,

po të qe se do të merrte

prej buzëve të tua puthjen,

Traviatë.

 

E sa për mua, unë thjesht s’kam më kohë

për tulet e trëndafilta përtypur në shekuj. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Fyell me ashtin e shpinës – 1

In Përkthime, Vjersha on 6 Gusht, 2012 at 12:53

Rayonism, Red and Blue, 1911 – Mikhail Larionov

Majakovski

 

Kilometra rrugë, dhe hapat shtrij me zor.

E nga t’ia mbaj vallë unë me këtë ferr ngarkuar!

Cili poet, cili Hoffman hyjnor

Të shpiku, qofsh urryer e mallkuar!

 

Rrugët plot njerëz, spitullaqë të pabotë

Janë shumë të ngushta e stuhinë nuk ma nxënë

I mas me mend

Si gjaku që rrjedh i veshtull e i ngrohtë

mendimet m’derdhen jashtë e kafkën lënë

 

Unë

që gjithnjë kam qenë shkak për festa e gëzim

tash fill i vetëm në ahengje shkoj

E shihmëni si lëshohem kryengulthi në kërcim

e në shkëmb të lumit kokën e copëtoj!

 

Kam blasfemuar

Shava dhe thashë se nuk ka hyjni

e zoti që prej ferri një t’atillë grua nxuar’

sa malet fërgëllonin kur shihnin at’perri

ma solli e m’urdhëroi

bjer në dashuri !

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Fyell me ashtin e shpinës – Prolog

In Përkthime, Vjersha on 5 Gusht, 2012 at 15:01

Tragediya, 1913 – Iosif Shkolnik, Pavel Filonov

Majakovski

 

Për të gjithë ju,

q’ju kam admiruar a ju admiroj,

të fshehur si ikonat nëpër guvat e shpirtit,

posi një kupë verë në tryezë festive do ta ngre dollinë

me kafkën time të rëndë, gjer në buzë e mbushur me verë-poezi.

 

Shpesh e më shpesh pyes veten, –

pse mos ta mbyll

strofën time bash me nje plumb, si pikë?

Sot,

meqë s’i dihet

po luaj të fundmin koncert, atë të tumirës.

 

Kujtesë!

Paraqitma n’auditore të trurit

të pafundmen radhë të dashamirëve

prej syrit në sy derdhe mbi ta galdimin.

Ndeze mbrëmjen me ahengun e së shkuarës.

Nga trupi në trup le t’i mbulojë zbavitja.

Se dëgjoni, sot do t’i bie fyellit

Të bërë me ashtin e kurrizit tim.