Arber Zaimi

Archive for Prill, 2012|Monthly archive page

phantasos

In Vjersha on 29 Prill, 2012 at 16:05

Hypnos and his brother Thanatos - John William Waterhouse

çfarë ndodh kur kërkon nëpër gjokset e njerëzve

të gjesh lumturinë, apo hidhërimin

sytë mbuluar në syze të errëta

këndon këngë bardësh të verbër, luan rolin

e ëmbël të morfeut, atij që zotëron

zanatin banal të manipulimit

 

çfarë dëgjon në fjalët e përrallës

që shuan kandilin e fundit – përpara se kokën

ta mbështesësh ngadalë në jastëk

gërshetat t’i shprishësh, qepallat t’i thurësh

dhe ngrohtësinë të lësh të të marrë me vete në krahë hypnotikë

sakohë një zë i zvargur rapsodi këndon:

 

…kryqëzimet pasditeve shuheshin në motin e vrenjtur,

ditë dimri,

rrugët gjithë pluhur u mbushën nga era

që frynte e frynte – por ajo

vijonte të ecte me duart

rrasur thellë në xhepat e xhaketës së hollë prej lëkure…

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Këngë lamtumire për gjumin

In Vjersha on 26 Prill, 2012 at 17:13

Benefits Supervisor Sleeping, 1995 - Lucian Freud

Gjumi lazdrohet mes shtriqjesh

Ka zbritur prej syve e në gjymtyrë

Është shpërndarë.

Harruar prej kohësh pushimi…

Muskujt dhembin acidi laktik,

Neuronet lëshojnë xixa,

Mendimi

Rrugën e trurit e ther si me thikë.

 

Mëngjeset paraqiten dritëpasjella.

Ajri

Rrëshket i lyrshëm

Mes shtrojash të krevatit që mbështjell

Edhe më të fundmin çast nga pasioni i djeshëm.

Hëna dhe thërrmijat e tjera kozmike

Janë duke iu dorëzuar diellit

 

Sipër barrikadave të murrme që ngrenë retë

Për të izoluar dritën

Mes vjershash – se luftë të tillë përjetojnë.
Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

lëkundje e frymës në gjoks

In Vjersha on 25 Prill, 2012 at 10:36

Seascape, 1952 - Adolph Gottlieb

çfarë lind e purpurt përfundon e kuqe

ditar recetash i një alkimisti që në fund

kupton se plumbi nuk i ngjitet dot floririt

dhe shkruan: “koha lëkundet mes tingujve të fados

e një sevdallinke.

drita e hënës fërgëllon e ndjekur

prej dy ujqish që brenda natës kanë vendosur ta capërlojnë.

korbat e harresës dhe marrisë flenë mbi tela të çuditshëm telefoni.

retë i nënshtrohen yjeve, teksa rendin në stepa të qiellit.

qiell, shumë qiell, si në filmat me dhunë

nuk duhet të kishte kaq qiell

ndoshta perdja…

rrudhur mes vetmisë dhe këngës së detit”

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Terma të zbrazët

In Artikuj on 24 Prill, 2012 at 17:03

Trompe l'Oeil of Newspapers, Letters and Writing Implements
on a Wooden Board, 1699 - Edward Collier

Mes fjalorit politik përveç banaliteteve, kërcënimeve odontojatrike (t’i thyej dhëmbët unë e m’i thyen dhëmbët ti), metaforave futbollistike (topin ia kaluan ndërkombëtarëve, topi në fushën e opozitës, mbrojtja më e mirë – sulmi, duhet lojë ekipore, etj.), poezive e bejteve, shpalljeve pasionale të dashurive e të urrejtjeve jetëgjata sa “flutura e majit” gjenden të shpërndara tek-tuk, si tip stolie që përdoret kur do “me u duk” ekspert dhe ca koncepte politike, ekonomike e sociale, të cilat po të përdoreshin me vend do të lejonin një analizim të asaj çka thuhet sot dhe një parashikim të asaj çka do të jetë nesër.

Bëhet fjalë për nocione e norma principale të politikës, siç mund të jenë “demokracia”, “komunizmi”, “liria e fjalës”, “shkollimi për të gjithë”, “mbështetja e artit”, “pavarësia e universiteteve”, “hapja e dosjeve”, “reforma në drejtësi”, “interesi kombëtar”, “transparenca”, “zgjedhjet e lira e të ndershme” e shumë klishe të tjera që përdoren për të bombarduar emocionalisht dëgjuesin sipas qëllimeve të përdoruesit, për ta zbutur, zbythur a hedhur në revoltë. Natyrisht që pakkush prej politikanëve që i përdorin këto klishe po të pyetet më gjatë mbi kuptimin e tyre e ka ndonjë shpjegim më të thellë, pasi termat kryesisht paraqiten si koncepte të mirënjohura e të pranuara (mbi të cilat ngrihet mirëqenia dhe begatia që karakterizon këto njëzet vjet në Shqipëri!). Ca prej këtyre shprehjeve qëllimkëqija shfaqen rrallë, ca të tjera shfaqen më shpesh. Në këtë shkrim synoj të analizoj shkurt (dhe disi përciptazi) katër prej klisheve më të përdorura nga të gjitha palët në këto 20 vjet “demokraci”, klishe që do të meritonin një ekspozim më të gjatë e më ngulmues, për të treguar se sa të pasinqertë, se sa shpirtvegjël e mbi të gjitha sa të trashë janë ata që vijojnë t’i përdorin. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Moskokëçarjet për Mitrovicën

In Artikuj on 22 Prill, 2012 at 11:45

Honor Pythagoras, 1964 - Alfred Jensen

Pavëmendja e opinionit publik mbi tragjedinë e pandërprerë të shqiptarëve që jetojnë në veri të lumit Ibër, apo soditja e Mitrovicës nga larg – si një vend i mjerë e i përtejmë ndaj të cilit s’kemi ndonjë detyrim përveçse t’i dedikojmë dy-tre komente të cekëta gjatë kohës që shohim lajmet – përbën një shfaqje interesante të dukurisë politike që në përgjithësi do të mund të quhej “konformizëm”, apo pranim i sundit si realitet objektiv, në një formë të dhënë. Ky (mos)reagim i publikut në fakt përputhet me linjën politike që ndjekin hierarkitë e pushtetit, e ky botëkuptim nuk e ka patur të vështirë të bëhet hegjemonik ndër shqiptarë (edhe pse në dëm të tyre).

“Të mos e vrasësh mendjen për shqiptarët” është paradigma e pushtetit ndërkombëtar që e kthen përmbys dynjanë kur rrihet ndonjë serb – pavarësisht kontekstit, ndërkohë që shfaqet i habitur e i indinjuar kur shqiptarit në mes të qytetit i vendoset tritoli në shtëpi, i merret jeta e i dhunohen fëmijët. Ky standard i dyfishtë shfaqet edhe në qëndrimin “konstruktiv” që u mbajt kur u arrestuan punonjësit e Ministrisë së Brendshme të Serbisë në mes të Kosovës, të cilët shumë shpejt u liruan që të mos mërzitej shefi i tyre Ivica Daçiç, dikur beniamin i Sllobos famëkeq. Ndërsa serbët mbajtën në gjendje arresti (pa arsye, siç u shprehën dhe monitorues të Amnisty Int.) një sindikalist shqiptar për më shumë se një muaj, arrestuan policë të Kosovës e ish-pjesëtarë të UÇK-së pa teklif, organizojnë zgjedhje e mbajnë në këmbë strukturat paralele në Kosovë të cilat veprojnë haptazi edhe pse ilegale, pa u përballur me ndonjë presion a sanksion të mirëqenë. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

dimri

In Vjersha on 22 Prill, 2012 at 00:44

Of a Fearful Symmetry (Bound Hand and Foot), 1991 - Josephine Gail Baer

dimri dhunshëm gdhend dhembjen e vet

në sytë e shplara të një të dehuri

që sheh i qashtër, që pa temë mallkon

kalimtarë edhe pemë

ndër këmbë i lëpihen dy këlyshë

dimri bashkë me zbokthin rri

ulur mbi shpatulla pleqsh

luajnë shah apo tavëll në stolat

bri restoranteve ku drekojnë

xhaketa Dior, tailleurs en agneau

mbështjellin fort brymën

dhe hejet e akullit që dikush quan zemër.

 

dimri zhurmon këndshëm rrugëzat në mbrëmje

me rast festash kombëtare, televizive, fetare,

popullore, muzikore, madhështore

aty ku dimri – surprizë e përhershme –

shfaqet në banesën e tij më të bukur. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

në këmbë të yjeve

In Vjersha on 19 Prill, 2012 at 12:21

Sleeping woman, 1917 - Oskar Kokoschka

shtrëngim nëpër brinjë, do jetë prej të ftohtës.

kërcasin degët e pemëve të rralla

të zhveshura e dridhen prej erës në qytetin e fëmijëve

ku gjethet lundrojnë nëpër pellgje – a thua

nuk pati viktima ky krim dimëror

 

ca vajza të vogla kërcejnë kapur

dorë për dore, dorë për dore, dorë për

rreth trupash të vendosur kapicë në mënyrë të rëndomtë.

krakërijnë sorra mbi antena televizionesh dhe nga kodrat

ujqit ulëritës të përditshëm dic

i shtojnë erës një tingull elektrik.

 

dielli përkulet për t’i lënë vendin natës aromë bari.

unaza t’arta, vathë e të tjerë vargonj xixëllojnë

yjëzojnë, pyjëzojnë gishtërinj, gjunj e gjinj Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

perfer et obdura

In Vjersha on 18 Prill, 2012 at 16:08

Painting, 1948 - Willem de Kooning

nën re është një vend ku një djalë shkon e përhumbet kur gjithë të tjerët
janë kah flenë

është një lumë
që rrjedh shpejt, dhe gurët rrokullisen përnën ujëra të tij
një lumë me dallgë, me vorbulla e ujëvara
që përmbys brigje, përmbyt fshatra

një lumë të turbullt me ujin e ngrohtë që vjen nga mali e sjell me vete trungje
shtëpi, pallate, antena televizive
kafshë, njerëz, kafshë dhe njerëz e gjithë ç’i ka dalë para

një lumë për t’i dhënë kuptim jetës së kënetshme, pa rrymë e pa dallgë
qytetit që të mbyt ngadalë nëpër gropa
të baltosjes është një këngë që dëgjon
një kitarë dhe një violinë që bien kur të tjerët janë kah shkojnë

është një këngë për një port mbushur me marinarë, ushtarë
lypës edhe kurva, njerëz të veshur plot sqimë,
Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

m a l e t (t) r e

In Vjersha on 16 Prill, 2012 at 20:16

Study for a rhythm of a russian dance, 1918 - Theo van Doesburg

shpresa valltare, vishnje, shije vere e gjakut të gëlltitur

limonti, thyhen dhëmbë që përplasen n’beton

rëndon një ndëshkim si një fjalë që mungon

prej një nënë të paqenë,

që prej hijes e nxitur, rri e sheh drejt në sy

bishtnimin që unë e quaj vetvete

 

mbush dhomën me libra e trishtimin e saj të spërdredhur

e shoh të zbërdhylët, e ndjej që s’më sheh

e ndjej që mes tingujsh e aromash më njeh

ajo që vetveten tek unë

plot me shpresë e pat hedhur, pa e parë

bishtnimin që unë e quaj vetvete