Arber Zaimi

Archive for Dhjetor, 2017|Monthly archive page

Nuk humbet

In Vjersha on 30 Dhjetor, 2017 at 04:16

Ernest Briggs – Pa titull, 1958

sa herë që më ngushtohet qenia
më kaplon kujtimi i vështrimit tënd të blertë.

lisi thahet
rilind në fidanët rreth rrënjës së tij.

fryma e njeriut nuk vdes ajo
vazhdon te njeriu që vjen.
loti nuk ndahet kurrë syri, se edhe kur rrjedh
lë pas zbrazëtirë që s´e mbush dot tjetër lot.
ti nuk më mësove të jem i brishtë
si rreze e diellit dimëror,
por dimrit pluhuri i qytetit është më i shtruar,
rrugët e përbaltura i mbajnë njerëzit më gjatë brenda,
trafiku bllokohet mbingarkesë veturash të lagura
nën degët e zhveshura të drurëve dekorativë,
gishtërinjtë e tu në ngërç mbi qytet,
më kujtohet zëri, e pafjala këngë e fundit
dhe asgjë nuk humbet.

si trupa të rremë

In Vjersha on 21 Dhjetor, 2017 at 04:29

Mala Breuer – Pa titull, 2002

edhe heshtja e robit të zënë e të lënë në kafaz

është e fortë sa zhurmën e tërë këtij vendi e zhbën.

prapë asgjë nuk pushon. qen policë ndjekin njerëz

në korridorë të padyer. sirena, mirë natën pa gjumë

po edhe ditën? megjithatë heshtja ende stoike qëndron,

hapësirë për jehonë. Qëndron piramidale, e panjollë,

e vogël sa vend i shqiptarëve. Aq e vogël, as hëna

as yjet që u fshehën pas secilës re

si t´i trembeshin skandalit tonë urban.

zbavitës si filmat e rinj e të harrueshëm si po ata –

mundësisht të paturp, plot trupa të rremë që

i bishtnojnë vetvetes me solemnitetin platitës të

heshtjes. pavetëdija i taksohet prurësit me ta parë,

dhe heshtja e tij kuptohet si thjesht mungesë fjalësh

të parëndësishme. edhe heshtja e robit të zënë

e të lënë në kafaz.

Gjërat mbrujtur prej hekuri

In Përkthime, Vjersha on 17 Dhjetor, 2017 at 02:26

Paul Emile Borduas – Xhevahirë të vjetër, 1956

D.H. Lawrence

Gjërat mbrujtur prej hekuri, bërë me çelik
Lindin të vdekura, qefinë, thithin jetë prej nesh.
Deri pas një kohe të gjatë, kur plaken, atëherë na futen në jetë
Zënë të bëhen të qeta, qetësuese: e atëherë
I flakim.

 

Përktheu Arbër Zaimi

Të klithësh ujku, ujku

In Përkthime, Vjersha on 17 Dhjetor, 2017 at 02:16

Samuel Bookatz – Fantazi, 1960

Vladimir Nabokov

Letërsia nuk lindi atë ditë kur një djalë që klithte ujku, ujku vraponte nëpër luginën Neandertal i ndjekur këmba këmbës nga një ujk i madh i murrmë: letërsia lindi atë ditë kur një djalë vraponte duke piskatur ujku, ujku pa patur ujk pas tij. Që djaloshi i shkretë, për shkak që mashtronte shpesh, në fund u hëngër prej një bishe të vërtetë, kjo është thjesht rastësore. Ama dëgjoni çka është e rëndësishme. Mes ujkut ndër shkurret e dendura dhe ujkut në rrëfimin e dendur ka një hendek rrëzëllitës. Ai hendek, ai prizëm që thyen dritën është arti i letërsisë.

Letërsia është krijim. Trilli është trill. Ta quash një tregim histori të vërtetë është ta fyesh edhe artin edhe të vërtetën. Çdo shkrimtar i madh është mashtrues i madh, por e tillë është edhe krye-hileqarja, Natyra. Natyra gjithnjë mashtron. Prej rrenës së thjeshtë të shumimit e deri tek iluzioni gjenial e i sofistikuar i ngjyrave mbrojtëse tek krahët e fluturave e zogjve, ekziston në Natyrë një sistem i mrekullueshëm magjish e hilesh.

Shkruesi i letërsisë ndjek udhën e Natyrës.

Të kthehemi për një çast te vogëlushi ynë leshator që brit ujku, ujku nëpër korije, mund ta themi edhe kështu: magjia e artit rri tek hija e ujkut që ai trilloi, tek ujku i ëndrrës së tij; e më vonë historia e hileve të tij prodhoi një tregim të mirë.

E kur në fund ai ra pré, rrëfimi i tregimit për të prodhoi një mësim të mirë për t’u dëgjuar në terr, rreth zjarrit fushor. Por ai ishte magjistari i vogël. Ai ishte krijuesi.

 

Përktheu Arbër Zaimi

Keqardhje për vetveten

In Përkthime, Vjersha on 17 Dhjetor, 2017 at 02:10

Aleksander Bogen – Sulmi, 1944

D.H. Lawrence

S’kam parë kurrë asgjë të egër
T’i vijë keq për vetveten.
Trishtili i vocërr bie në tokë i ngrirë i vdekur
Pa ndjerë kurrë keqardhje për vetveten.

 

Përktheu Arbër Zaimi

Pelegrinazh

In Përkthime, Vjersha on 17 Dhjetor, 2017 at 00:50

Seymour Boardman – Peizazh nate, 1954

Giuseppe Ungaretti

Kapërthyer
Në këto rropulli
Gërmadhash
Me orë të tëra
Kam zvarritur
Kufomën time
Përdorur prej baltës
Si një shollë
Apo si një farë
Gjembaçi

Ungaretti
O burrë i vuajtur
Të mjafton një iluzion
Për të marrë zemër

Një reflektor
Atje tej i vë det mjegullës

 

Përktheu Arbër Zaimi

Gjërat bërë nga njerëz

In Përkthime, Vjersha on 17 Dhjetor, 2017 at 00:42

Norman Bluhm – Ode Apollonit, 1997

D.H. Lawrence

Gjërat bërë nga njerëz, me duart e tyre të drobitura
Mbesin gjallë në vite se transmetojnë prekjet e tyre
Dhe vazhdojnë të ndriçojnë
Për një kohë të gjatë.
Prandaj ca gjëra të vjetra janë të dashura
E të ngrohta, sepse ende në to bartin jetë nga ata
Njerëzit e harruar, që i bënë.

 

Përktheu Arbër Zaimi

Njeriu prej bore

In Përkthime on 17 Dhjetor, 2017 at 00:32

Elmer Bischoff – Andromeda, 1956-57

Wallace Stevens

Duhet ta kesh mendjen dimërore
Që ta vështrosh ngricën dhe degët
E pishave borës mbuluar;

Ftohur të kesh qenë për një kohë të gjatë
Që t’i vësh re dëllinjat veshur akull,
Të sertët brej me vizllimin e largët

Të diellit në janar; dhe të mos mendosh
Për asnjë mjerim te fërshëllim i erës,
Në fëshfërimën e atyre pak gjetheve,

Që është tingulli i tokës
Së mbushur prej të njëjtës erë
Tek fryn nëpër të njëjtën djerrinë

Për dëgjimtarin që dëgjon nën borë,
Dhe, vetë asgjë, vë re
Asgjënë që s’është aty edhe asgjënë që është.

 

Përktheu Arbër Zaimi