Arber Zaimi

Archive for Korrik, 2012|Monthly archive page

Rritje rroge si shpërblim për dekadencën ekonomike

In Artikuj on 23 Korrik, 2012 at 19:46

Our heads are round, so that we change our thoughts – Francis Picabia

Edhe një lajm i mirë për Kosovën e për ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiç. Paga mesatare në Kosovë rritet. Se sa rritet, kjo duhet llogaritur, ama me rëndësi është që rritet.

Ky vend i vogël që qeveriset nga njerëz me intelekt të madh, gjatë 2011 eksportoi rreth 419 mln. dollarë dhe importoi 3.3 mld. dollarë, pra importoi tetëfishin e asaj që eksportoi, po kjo e dhënë faktike nuk ka ndikuar në zhvillimin e Kosovës. Zhvillimi i Kosovës, me vendim qeverie e me konsensus të gjerë të mediave të pushtetit, ka kohë që nuk ndikohet nga faktet.

Zhvillimin natyrisht që nuk e ndal as papunësia që vlerësohet në nivelin e 45%, nuk e ndal as paga mesatare rreth 250 euro (më e ulëta në rajon, së bashku me Shqipërinë).

E meqë zhvillimi, siç u bë tashmë e qartë, nuk ka ndërmend që të ndalet, Kosova vendosi, domethënë Kuvendi vendosi, domethënë Qeveria vendosi, domethënë PDK-ja vendosi, që të rrisë ndjeshëm pagat e shpërblimet në institucionet publike. Domethënë Thaçi vendosi që të vetëshpërblehet e t’ia rrisë vetes me mbi 80% të vlerës. Natyrisht që nuk ia rriti vetëm vetes, ai nuk është egoist, po dhe funksionarëve të tjerë publikë. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Dubluesi Polak

In Artikuj on 19 Korrik, 2012 at 17:52

Fenomeno, 1962 – Remedios Varo

A e mban mend kush se në fillim të viteve ’90, nën frenezinë e asaj që Ardian Vehbiu ka zgjedhur ta quajë emancipim prej kryemetaforës së rrethimit, në Shqipërinë e mbushur me antena satelitore jo rrallëherë qëllonte të ndiqje ndonjë kanal polak. Përmes saçave high-tech­ shqiptarët lidheshin në një farë solidariteti me ca bashkëvuajtës të imagjinuar, të të njëjtit kamp dikur, me të njëjtat ëndrra perëndimore sot.

Me sa duket kanalet polake piratonin filma (kanalet shqiptare filluan të piratojnë pas ’97, kur edhe filloi të lulëzojë ky lloj tregu). Prandaj jepnin filma më të mirë se sa kanalet e rregullta perëndimore, po këtë gjë asokohe nuk e kuptonte kush, e as në xhep s’i hynte kujt. Se ne perëndimin e donim me çdo kusht, qoftë ky dhe i vjedhur, i kontrabanduar a i falsifikuar. Dhe nuk donim ndonjë perëndim dosido, por bash atë që kishim ëndërruar, i cili do të na shtrinte dorën e do të na përqafonte në gjirin e vet, si djelm plangprishës që ishim. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Lëmoshët e Berishës

In Artikuj on 18 Korrik, 2012 at 02:39

Toppkeller (Aquarell), 1925 – Rudolf Schlichter

Ish-presidenti i Francës, François Mitterrand kishte zakonin të thërriste herë pas here në takime një sërë filozofësh e intelektualësh nga akademitë franceze e të diskutonte me ta për çështje të aktualitetit politik e social të kohës. Përmes këtij gjesti Mitterrand-i e poziciononte veten qartësisht si një udhëheqës në traditën iluministe, që përpiqet ta afrojë pushtetin me urtësinë e të legjitimojë vetveten njëfarësoj. Nuk kemi të dhëna nëse programi qeverisës i Mitterrand-it përfitoi ndopak prej filozofëve, por ajo që mund të themi me siguri është që vetë intelektualët e ftuar nuk kanë parë ndonjë të mirë prej këtyre takimeve, përkundrazi. Përzierja me pushtetin ka hedhur hije mbi diskursin e tyre, duke shkaktuar keqinterpretime publike e duke iu mveshur atyre përgjegjësi simbolike për akte që në fakt i përkisnin ekskluzivisht politikës, pra duke i shfrytëzuar haptazi apo tërthorazi për qëllime nuk para përputhen me interesa të një filozofi apo të një intelektuali.

Në Shqipëri ne nuk kemi filozofë sepse nuk kemi akademi. Por nuk na mungojnë udhëheqësit e dashuruar pas spektaklit “iluminist” sepse edhe këtu pushteti e ndjen të nevojshme të marrë legjitimitetin moral nga një shtresë e ndriçuar. Kur “intelektualët gjenuinë” mungojnë, pushteti detyrohet të krijojë të tillë. Kandidatët kryesorë për të zënë vendin e filozofëve të munguar janë personat me akses në media e në publik. Grupi në fjalë është tepër heterogjen, dhe kushdo do ta kishte të vështirë ta përshkruante, por në një përpjekje përafruese do të mund ta ndanim në dy nënbashkësi, në atë të artistëve e në atë të intelektualëve. Kuptohet që të dyja termat po i përdor në sensin më të gjerë e më të zbrazët, pra nuk po quaj artistë vetëm ata që angazhohen në artin si procedurë e të vërtetës, as intelektualë s’po quaj vetëm ata që angazhohen në politikën si aksion. Në këtë artikull po përdor zhargonin popullor, po quaj artistë ata që prodhojnë argëtim për shtresa të ndryshme të publikut dhe intelektualë atë që ka diplomë. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

mbi lumë

In Vjersha on 9 Korrik, 2012 at 00:47

Jupiter & Io, 2006 – Betsy Podlach

nëpër terr ndërsa shkojnë, ai thotë se është lumë

në mesnatë, tek errësira thellohet është lumë

turbullohet e kthehet nga vetja ku zhytet, është lumë

ji e dlirë edhe doje e shkatërroje kët’lumë

ji kristal e ji qumësht edhe shkoji përkrah

 

nëpër gjumë ai shket edhe ikën, është lumë

që rreh zaje e skërka e oshëtin, është lumë

thyen trungje e zhvesh trupa që i mbyt, është lumë

bëhu turp, merrja faqet dhe përskuqe në lumë

bëhu afsh e maraz merrja zemrën që ka

 

ta merr sodin, ta merr ymrin e nderin, është lumë

merr të shkuarën, mbi ty derdhet, shuan ferrin, është lumë

të ndëshkon e ta prish bukurinë, është lumë

kur të vdesë e ti të bëhesh dritë dielli mbi lumë

shkel mbi të edhe puthe, e harroje si ra

Djali dhe vajza e pasanikut

In Artikuj on 5 Korrik, 2012 at 18:50

Bildnis der Journalistin Sylvia von Harden, 1926 – Otto Dix

Çdo ditë shkoj të fitoj bukën e gojës

Në pazarin ku shesin gënjeshtra

Do zoti

Dhe gjej një vend nga an’e shitësve

Bertolt Brecht – Hollywood

U ula të shkruaj me ide të qartë në kokë, një analizë për privatizimin e çuditshëm të llotarisë kombëtare në Tiranë, si dhe për privatizimin e rrjetit të distribucionit të energjisë elektrike në Kosovë, dy fenomene të papranueshme nga cilado normë politike e ekonomike, dy privatizime të monopoleve publike që si pasojë do të sjellin të dyja zgjerim të hendekut a honit që ndan shqiptarët e pasur nga ata që nuk kanë kohë të dinë se janë të varfër. Mora do raporte e do shifra, do shënime prej ekonomistëve që lexoj, e bash kur hyra në internet për t’u konsultuar me gazetat për dy privatizimet respektive, më dalin përpara dy lajme, të dyja të botuara në gazeta tepër serioze të nivelit udhëheqës sa i përket shitjeve (meqë kemi vendosur që kush shet – udhëheq).

Lajmi i parë, që të mos zgjatem, vdekja e një tjetër minatori në galeritë e minierave ilegale në Bulqizë. Revolta tashmë është rreshkur, është bërë trishtim. Ngjet si fatkeqësi, edhe pse është veç krim, drejtpërdrejti krim. Lajmi i dytë, po në këtë gazetë udhëheqëse, kish të bënte me pushimet e djalit të pronarit të gazetës, një farë rioshi që në fotografinë e vendosur online, shullëhej nën diellin e plazhit në Ibiza. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

loja e heroit borgjez

In Vjersha on 4 Korrik, 2012 at 14:43

Retrato del doctor Ignacio Chávez, 1957 – Remedios Varo

ndërsa vetveten mjel si një ide e para vajzë flet

e ta pret fatin me gërshërë sermi:

 

“do lindësh bir i një nëne të bukur

që bishën do të dojë për burrë, jo hyjninë

e vetë ti kurrë nuk do të kesh fëmijë”.

 

pastaj e dyta nxjerr prej gjoksit një shenjë rruzullore:

 

“do të jetosh gjatë sa tre jetë

tre herë do t’i vrasësh mbretërit e tu, se shumë do i lakmosh

e treja jetët do t’i shthurësh më në fund”.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Cila dhunë ishte legjitime?

In Artikuj on 3 Korrik, 2012 at 16:45

Pas ngjarjeve të së premtes, 21 janar, ku protestuesit u shtypën brutalisht prej një shteti revanshist ata që kanë qenë më të zëshmit nëpër media kanë qenë dashnorët e paqes me çdo kusht. Dje dhe sot analistë të ndryshëm, opinionistë, njerëz të medias, politikanë, gazetarë e ndërkombëtarë kanë ripërsëritur formulën e tyre bajate, kanë dënuar dhunën duke e denoncuar atë çka ndodhi si shfaqje të kafshërisë e prapambetjes qytetare të shqiptarëve, këtij populli të pamësuar me demokraci e me institucionalizëm, këtij populli iskariotësh, që na e shitkan Mesinë (kryeministrin apo kë?) për 20 a 30 mijë lekë.

Më lejoni të shpreh bindjen time, bindje e formuar in situ, se ajo çka ndodhi në 21 janar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ishte në fakt një prej shfaqjeve më gjenuine të demokracisë, ishte një prej momenteve më të sinqerta politike të këtyre 20 vjetëve të fundit, ishte një akt sublim. A do të përpiqen ta instrumentalizojnë këtë akt Berishët, Ramët e lëtyrat si Meta – po patjetër. A duhet t’i lëmë ta bëjnë këtë? Jo, në emër të logjikës, në emër të një populli anonim që tashmë është lodhur me alternativat boshe e tashmë kërkon të zgjidhë hallet e veta me mjetet e veta. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

opalin

In Vjersha on 2 Korrik, 2012 at 13:05

Patterns of Conflict, 1944 – Mark Tobey

muza tre herë ngrihet në avuj të vapës

në muzgun e më-së-fundit kur vëllai takon vëllanë

e i flet për dorën që kur duhej nuk mbërriu ta shtrinte

e i flet për sytë e zinj që s’ia panë shoshojt në çastet

kur marazi gotaplotë mpinte gjymtyrë e tru, e kur

të mjegulluar – siç dinë vëllezërit – edhe pse kaq larg

i thyen gotat mbi borxhe të shkuar e përmbi agime

që prej natës s’lindën dot, e përmbi djenë që asnjëherë

s’u bë sot. e përmbi gjakun që njësh me vodkën

zhyen një bluzë të përhimtë. për një dëshirë të pambarimtë

e një shtrëngim të vetëtimtë. po tash është muzg, e vëlla është ai

që kërkon të të japë e që s’pranon të t’i marrë, vëlla në shpirt

e vëlla në zjarr. në zjarrin që rritet e rritet e rritet gjersa i djeg yjet

e pastaj venitet në kujtime që gjyshat i prunë prej gjyshave,

dhe shpresë që vjen prej andej me fytyrë të zbehtë e me flokë

kërleshur. zë vendin e gjakut aromfortë mëlmesë që të shpon

nëpër flegra e ndihesh i dehtë, më kot ndihesh i qeshur.

një vëlla që nuk është një vëlla në mërgim

një vëlla që nuk njihet, një mungesëpërqafim