Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Tranzicioni’

Totalitarizëm Reloaded

In Artikuj, Ese on 1 Maj, 2012 at 20:20

Green Coca-Cola bottles, 1962 - Andy Warhol

Kur flitet për totalitarizëm në skenat mediatike, shpeshherë llomotitet në mjegull, pa patur parasysh atë çka në të vërtetë e bën një shtet totalitar, madje pa patur parasysh as karakteristikat që e dallojnë shtetin totalitar nga shteti demokratik. Po t’i referohemi teoricienëve të filozofisë politike, e sidomos Walter Benjamin-it dhe Herbert Marcuse-s që janë marrë gjerësisht e në detaj me analizimin e marrëdhënieve të dominimit në shtetet totalitare, sistemet total-autoritare karakterizohen kryesisht prej mbështetjes në një botëvështrim të vetëm (ndalimit të të tjerëve), dhe prej kontrollit të çdo sfere shoqërore dhe individuale, duke filluar nga familja, marrëdhëniet e punës, jeta qytetare, e deri tek krijimtaria artistike apo shkencore – gjithçka në një shtet totalitar duhet të jetë konform ideologjisë, duhet të realizohet brenda koncepteve të saj dhe duhet t’i shërbejë asaj. Por nuk kam ndërmend të trajtoj skolastikisht totalitarizmin në këtë shkrim, se kam përshtypjen që memorjet e shqiptarëve janë ende të freskëta: mbahet mend shtypja e mendimit ndryshe (sado i zbehtë dhe i mefshët të ishte ky mendim); mbahet mend varfëria që propagandohej si vlerë heroike në shërbim të kombit; mbahet mend mirë arti apo media që u kthye në një mjet trushpëlarës në dorë të ideologjisë; mbahet mend dënimi i diversantit, i disidentit e i kulakut; mbahet mend edhe ndarja e kastës së sipërme të nomenklaturës prej realitetit popullor, një ndarje fyese për dinjitetin e shumëkujt që kish luftuar e kish punuar për një jetë dinjitoze e për një shoqëri të drejtë. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Terma të zbrazët

In Artikuj on 24 Prill, 2012 at 17:03

Trompe l'Oeil of Newspapers, Letters and Writing Implements
on a Wooden Board, 1699 - Edward Collier

Mes fjalorit politik përveç banaliteteve, kërcënimeve odontojatrike (t’i thyej dhëmbët unë e m’i thyen dhëmbët ti), metaforave futbollistike (topin ia kaluan ndërkombëtarëve, topi në fushën e opozitës, mbrojtja më e mirë – sulmi, duhet lojë ekipore, etj.), poezive e bejteve, shpalljeve pasionale të dashurive e të urrejtjeve jetëgjata sa “flutura e majit” gjenden të shpërndara tek-tuk, si tip stolie që përdoret kur do “me u duk” ekspert dhe ca koncepte politike, ekonomike e sociale, të cilat po të përdoreshin me vend do të lejonin një analizim të asaj çka thuhet sot dhe një parashikim të asaj çka do të jetë nesër.

Bëhet fjalë për nocione e norma principale të politikës, siç mund të jenë “demokracia”, “komunizmi”, “liria e fjalës”, “shkollimi për të gjithë”, “mbështetja e artit”, “pavarësia e universiteteve”, “hapja e dosjeve”, “reforma në drejtësi”, “interesi kombëtar”, “transparenca”, “zgjedhjet e lira e të ndershme” e shumë klishe të tjera që përdoren për të bombarduar emocionalisht dëgjuesin sipas qëllimeve të përdoruesit, për ta zbutur, zbythur a hedhur në revoltë. Natyrisht që pakkush prej politikanëve që i përdorin këto klishe po të pyetet më gjatë mbi kuptimin e tyre e ka ndonjë shpjegim më të thellë, pasi termat kryesisht paraqiten si koncepte të mirënjohura e të pranuara (mbi të cilat ngrihet mirëqenia dhe begatia që karakterizon këto njëzet vjet në Shqipëri!). Ca prej këtyre shprehjeve qëllimkëqija shfaqen rrallë, ca të tjera shfaqen më shpesh. Në këtë shkrim synoj të analizoj shkurt (dhe disi përciptazi) katër prej klisheve më të përdorura nga të gjitha palët në këto 20 vjet “demokraci”, klishe që do të meritonin një ekspozim më të gjatë e më ngulmues, për të treguar se sa të pasinqertë, se sa shpirtvegjël e mbi të gjitha sa të trashë janë ata që vijojnë t’i përdorin. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »