Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Europianizmi’

Industria e Zbrazëtisë (Individualizimi i Arsimit të Lartë)

In Artikuj, Ese on 28 Shkurt, 2012 at 18:27

Në një letër të hapur drejtuar redaktorëve të gazetave franceze në vitin 1979 intelektuali francez Pierre Vidal-Naquet shpreh shqetësimin e tij për lavdet që i thuren veprës Le Testament de Dieu që sapo kish botuar filozofi Bernard Henri-Lévy. Sipas Vidal-Naquet libri i Henri-Lévy përbënte “një inflacionim të kulturës së mendimit kritik, plot me gabime trashanike, amulli konceptesh e kontekstesh, citimesh të rreme apo pohimesh jo-logjike”. Konkluzioni i natyrshëm është që mbështetja institucionale, akademike e mediatike që i jepej kësaj vepre apo veprave të ngjashme (që sipas Vidal-Naquet shfaqnin një injorancë të thellë në temat të cilat trajtonin, qoftë kjo histori antike greke, histori biblike apo histori bashkëkohore) do të bënte që diskursi intelektual ta humbte integritetin e vet e të kthehej në një fenomen pop. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

“Parajsa” që e quajmë Evropë

In Artikuj, Ese on 27 Shkurt, 2012 at 02:07

Ideologjia e dedikimit ndaj BE, si shuarje e mohim i subjektit plural (popullit politik)

Ideologjia perëndimoro-evropianiste, dominimi i opinionit publik e politik prej premtimeve të pambarimta të politikanëve të të gjitha palëve, në Shqipëri ka marrë përmasa të stërmëdha. Disidenca e kritika ndaj kësaj ideologjie nuk pritet mirë, përkundrazi, përbuzet e kundërshtohet haptazi, duke të kujtuar në një farë mënyre hegjemoninë e një tjetër ideologjie, asaj para ’91. Por nëse totalitarizmi i shkuar u shfaq si një tragjedi, ky i dyti – për të kujtuar parashikimin e Hegelit – shfaqet si farsë. Duket komike të shohësh se si në pluralizmin e shumëpritur palët kritikojnë njëra-tjetrën se kush është më në përputhje me udhëzimet e BE-së apo të miqve tanë perëndimorë. Politikanët garojnë me dekorata që shpallen në progres-raporte, dhe kritikojnë njëri-tjetrin po me ato progres-raporte. Ministrat mburren për kontribute konstruktive kombëtare në strukturat ndërkombëtare. Me pak fjalë, janë të gjithë në të njëjtën rrugë, ecin në të njëjtin drejtim, i shërbejnë qëllimit të njëjtë, dhe akuzojnë njëri-tjetrin për sabotazh, apo për ngadalësim të procesit. Dhe këtë e quajnë pluralizëm… Gjithçka merr formën e melodramës dhe anon nga komikja, nëse mban parasysh psh. diskutimin që zhvillohet aktualisht në BE, apo rëndësinë që paraqet Shqipëria për vetë BE-në. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »