Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Darwish’

Rita dhe pushka

In Përkthime, Vjersha on 8 Shkurt, 2017 at 15:03
Kay Sage - Nesër është kurrë, 1955

Kay Sage – Nesër është kurrë, 1955

Mahmoud Darwish

Mes Ritës e syve të mi
Qëndron një pushkë
Dhe cilido që e njeh Ritën
Bie në gjunjë e i falet
Hyjnisë që rri në ato sy ngjyrëmjaltë
Dhe e putha Ritën
Kur qe e re
Dhe e mbaj mend si m’u qas pranë
E si krahu im ia mbuloi më të bukurin gërshet
Dhe më kujtohet Rita
Siç i kujtohet trumcakut kroi
Ah, Rita
Mes nesh ka një milion trumcakë dhe imazhe
Dhe shumë rendez-vous
Të qëlluara me pushkë

Emri i Ritës qe gosti në gojën time
Trupi i Ritës qe dasmë në gjakun tim
E unë u përhumba te Rita për dy vjet
Dhe për dy vjet ajo fjeti mbi krahun tim
Dhe i premtuam njëri-tjetrit
Mbi më të bukurën kupë
Dhe u dogjëm në verën e buzëve tona
Dhe u lindëm sërish

Ah, Rita!
E çfarë vallë i hiqte sytë e mi prej të tuve, para se të vinte pushka
Përveç ndonjë gjumi a ndonjë reje ngjyrë mjalti?
Një herë e në një kohë
Oh, heshtja e muzgut
Mëngjeseve hëna ime mërgonte diku larg
Drejt atyre syve ngjyrëmjaltë
Dhe qyteti i spastroi krejt këngëtarët
Dhe Ritën

Mes Ritës dhe syve të mi –
Një pushkë!

 

Psalmi numër 9

In Përkthime, Vjersha on 27 Shkurt, 2016 at 22:14
John Duncan - Deirdre of the sorrows

John Duncan – Deirdre of the sorrows

O trëndafil i pambërritshëm prej kohës e prej ndjenjave

o puthje e mbështjellë në shaje thurur erërash

shtangmë me një ëndërr

mandej marria ime do të tërhiqet që prej teje.

Duke u tërhequr prej teje

për të t’u avitur

unë zbulova kohën.

Duke t’u avitur

për t’u tërhequr prej teje

unë zbulova ndjenjat e mia.

Mes avitjes dhe tërheqjes

është një gur i madh sa një ëndërr.

Ai nuk avitet.

Ai nuk tërhiqet.

Ti je vendi im.

Një gur nuk është ajo çka unë jam

ndaj nuk më pëlqen të rri përballë qiellit

as nuk shtrihem përtokë

por jam i huaj, gjithnjë i huaj.

 

Mahmood Darwish

Lavd i hijes së naltë

In Përkthime, Vjersha on 6 Nëntor, 2014 at 13:09

 

Mahmood Darwish

 

The Red Wedge, 1919, Kasimir Malevich

The Red Wedge, 1919, Kasimir Malevich

Për ty është të jesh a të mos jesh

Është të krijosh a të mos krijosh

Gjithë çështjet ekzistenciale përtej hijes tënde janë farsë

Dhe univers është fletorja jote e vogël, e ti je krijimtari i saj.

Pra shkruaj në të parajsën e gjenezës,

Ose mos e shkruaj,

Ti, ti je çështja.

Çka do ti?

Ndërkohë që marshon prej legjendës në legjendë?

Një flamur?

E ç’të mirë sollën ndonjëherë flamujt?

A e kanë mbrojtur ndonjëherë qytetin prej shrapnelëve të bombave?

Çka do?

Një gazetë?

A do mundnin gazetat të nxirrnin zogj nga vezët, apo të mbrunin qoftë dhe një thërrmijë?

Çka do?

Policinë?

A e di policia se kur do të mbarset dheu i vogël prej erërave që po vijnë?

Çka do?

Sovranitet mbi hi?

Ndërkohë që ti je i zoti i shpirtit tonë; padron i ekzistencës sonë të gjithëndryshueshme?

Largohu pra,

Se vendi nuk është joti, nuk janë të tuat as pirgjet me plehra.

Ti je liria e krijimit,

Ti je krijuesi i rrugëtimit,

Dhe ti je antiteza e kësaj epoke.

Pra largohu

I varfër, si një lutje,

Këmbëzbathur, si një lumë në një shtrat me shkëmbinj

Dhe i grisur, si një rreckë. Ti, ti je çështja.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »