Arber Zaimi

Posts Tagged ‘Bashkimi Europian’

Serbia heq makiazhin

In Artikuj on 21 Maj, 2012 at 16:14

Serbia heq makiazhin

The Mask with the Little Flag, 1925 – Paul Klee

Të vetmit që u habitën për fitoren e Tomisllav Nikoliçit në zgjedhjet presidenciale të Serbisë ishin europianistët paternalizues të Brukselit, këta babaxhanë që kujdesen kaq shumë për mbarëvajtjen e marrëdhënieve mes popujve të Ballkanit. Në sytë e tyre ballkanasit janë ende fëmijë, e fëmijët janë të paditur, të paformuar, me një subjektivitet të mangët.

Mirëpo habia e baballarëve europianë me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale serbe nuk zgjati shumë. Në fund të fundit ata kanë vendosur t’ia njohin Serbisë statusin e fëmijës të preferuar, atij fëmije që edhe kur e bën “llum”, shpëton vetëm me ndonjë heqje veshi e pas ca orësh veç ia rinisin me lazdrime, karamele e çokollata.

Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Moskokëçarjet për Mitrovicën

In Artikuj on 22 Prill, 2012 at 11:45

Honor Pythagoras, 1964 - Alfred Jensen

Pavëmendja e opinionit publik mbi tragjedinë e pandërprerë të shqiptarëve që jetojnë në veri të lumit Ibër, apo soditja e Mitrovicës nga larg – si një vend i mjerë e i përtejmë ndaj të cilit s’kemi ndonjë detyrim përveçse t’i dedikojmë dy-tre komente të cekëta gjatë kohës që shohim lajmet – përbën një shfaqje interesante të dukurisë politike që në përgjithësi do të mund të quhej “konformizëm”, apo pranim i sundit si realitet objektiv, në një formë të dhënë. Ky (mos)reagim i publikut në fakt përputhet me linjën politike që ndjekin hierarkitë e pushtetit, e ky botëkuptim nuk e ka patur të vështirë të bëhet hegjemonik ndër shqiptarë (edhe pse në dëm të tyre).

“Të mos e vrasësh mendjen për shqiptarët” është paradigma e pushtetit ndërkombëtar që e kthen përmbys dynjanë kur rrihet ndonjë serb – pavarësisht kontekstit, ndërkohë që shfaqet i habitur e i indinjuar kur shqiptarit në mes të qytetit i vendoset tritoli në shtëpi, i merret jeta e i dhunohen fëmijët. Ky standard i dyfishtë shfaqet edhe në qëndrimin “konstruktiv” që u mbajt kur u arrestuan punonjësit e Ministrisë së Brendshme të Serbisë në mes të Kosovës, të cilët shumë shpejt u liruan që të mos mërzitej shefi i tyre Ivica Daçiç, dikur beniamin i Sllobos famëkeq. Ndërsa serbët mbajtën në gjendje arresti (pa arsye, siç u shprehën dhe monitorues të Amnisty Int.) një sindikalist shqiptar për më shumë se një muaj, arrestuan policë të Kosovës e ish-pjesëtarë të UÇK-së pa teklif, organizojnë zgjedhje e mbajnë në këmbë strukturat paralele në Kosovë të cilat veprojnë haptazi edhe pse ilegale, pa u përballur me ndonjë presion a sanksion të mirëqenë. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

“Parajsa” që e quajmë Evropë

In Artikuj, Ese on 27 Shkurt, 2012 at 02:07

Ideologjia e dedikimit ndaj BE, si shuarje e mohim i subjektit plural (popullit politik)

Ideologjia perëndimoro-evropianiste, dominimi i opinionit publik e politik prej premtimeve të pambarimta të politikanëve të të gjitha palëve, në Shqipëri ka marrë përmasa të stërmëdha. Disidenca e kritika ndaj kësaj ideologjie nuk pritet mirë, përkundrazi, përbuzet e kundërshtohet haptazi, duke të kujtuar në një farë mënyre hegjemoninë e një tjetër ideologjie, asaj para ’91. Por nëse totalitarizmi i shkuar u shfaq si një tragjedi, ky i dyti – për të kujtuar parashikimin e Hegelit – shfaqet si farsë. Duket komike të shohësh se si në pluralizmin e shumëpritur palët kritikojnë njëra-tjetrën se kush është më në përputhje me udhëzimet e BE-së apo të miqve tanë perëndimorë. Politikanët garojnë me dekorata që shpallen në progres-raporte, dhe kritikojnë njëri-tjetrin po me ato progres-raporte. Ministrat mburren për kontribute konstruktive kombëtare në strukturat ndërkombëtare. Me pak fjalë, janë të gjithë në të njëjtën rrugë, ecin në të njëjtin drejtim, i shërbejnë qëllimit të njëjtë, dhe akuzojnë njëri-tjetrin për sabotazh, apo për ngadalësim të procesit. Dhe këtë e quajnë pluralizëm… Gjithçka merr formën e melodramës dhe anon nga komikja, nëse mban parasysh psh. diskutimin që zhvillohet aktualisht në BE, apo rëndësinë që paraqet Shqipëria për vetë BE-në. Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »

Një mijë arsye ka për të demonstruar. Të njëmijat janë Republika

In Artikuj on 27 Shkurt, 2012 at 01:58

Si qe e mundur që lufta, përpjekjet e pandërprera, demonstratat, jetët e humbura e dekadat e burgimit, shpresa e aspiratat për liri të reduktoheshin të gjitha në një opinion jodetyrues, edhe ky në “footnote”, në një shënimth që do të shpjegojë asteriskun që tash e tutje do t’i ngjitet pas Kosovës, një bisht që duket sikur do të vërtetojë një tezë të vjetër mbi anatominë e njeriut shqiptar si jo tërësisht modern. Si mund të vihet në dyshim pas gjithë historisë, vetë historia, si mundet të lëvizet në shekullin XXI në drejtim të kundërt me antikolonializmin? Lexoni pjesën e mbetur të këtij zëri »